Përdorimi i medias sociale në taktikat e ISIS
Nga Ervin Hodo –
“Nxitoni o myslimanë në shtetin tuaj. Po, është shteti juaj. Nxitoni, sepse Siria nuk është për sirianët dhe Iraku nuk është për irakianët.” Kjo ishte thirrja që bëri Abu Bakr al-Baghdadi, në atë kohë i zgjedhur Kalif Ibrahim, duke shpallur fundin e ISIS dhe lindjen e Shtetit Islamik (IS) mw 28 Korrik 2014, ditën e parë të Ramazanit. Ai predikoi nga foltorja e Xhamisë së Madhe të al-Nurit, në Mosul, një qytet të cilin forcat e tij e kishin marrë nën kontroll disa ditë më parë. Edhe pse një irakian i lindur në Irak, al-Baghdadi e shpërfilli jo vetëm nënshtetësinë e tij, por të gjitha llojet e nënshtetësive. Nga pikëpamja e tij, ekzistonte vetëm Shteti Islamik dhe asnjë shtet tjetër nuk ekzistonte dhe nuk duhej të ekzistonte më. Madje, ai mendonte se njerëzimi mund të ndahej fare qartë në dy “kampe”. I pari ishte “kampi i myslimanëve dhe muxhahidinëve (luftëtarëve të shenjtë) kudo”, i dyti ishte kampi i hebrenjve, Kryqëzorëve, dhe aleatëve të tyre.” I veshur në të zeza, Al-Bagdadi e prezantoi veten e tij si pasardhësi legal i kalifatit mesjetar të Abasidit, si dhe njëkohësisht si shpirti i mishëruar i paraardhësit të tij heroik, Abu Musab al-Zarqawi, i cili kishte folur me terma po kaq revolucionarë dhe kishte shfaqur respektin më të madh për xhaminë, nga e cila Abu Bakr al-Baghdadi, ishte duke predikuar përmbushjen e një vizioni të errët 11- vjeçar.
Qysh prej fillimit të aktivitetit të tij, një nga pikat e strategjisë së IS, duket së ka qenë zhvillimi i një fushate të fuqishme të komunikimit strategjik, për ta bërë “kauzën” e tij të njohur në gjithë botën. Dhe për të qenë realist, duhet ta pranojmë se në këtë pikë ai (IS), ka qenë tepër i suksesshëm. Nëpërmjet masakrave të vrasjeve masive të qindra burrave, grave dhe madje edhe fëmijëve, përdhunimet masive të femrave të grupeve minoritare, apo edhe kthimi në skllave seksi të tyre ku një pjesë e mirë janë minorene, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore si dhe ekzekutimet “live” me prerje kokash, të gjitha këto kanë bërë që media në mbarë botën të fokusohet dhe t’i bëjë jehonë “fenomenit” Shteti Islamik, apo siç njihet me akronimin e tij në gjuhën angleze, IS.
Në shumë raste, nga vende europiane apo euroatlantike, mediat e tyre kanë vendosur që mos i transmetojnë më krimet mizore të organizatës më të fuqishme deri tani, në listën e organizatave të terrorit në mbarë botën. Megjithë masat për ta kufizuar “jehonën” që janë duke i bërë ndoshta edhe pa dashje IS mediat botërore, ai ende vazhdon të gjejë hapësirën e tij, për të transmetuar mesazhet që kërkon të përcjellë tek audienca e synuar. Një fenomen që vihet re në taktikat dhe strategjitë e ISIS, ndër të tjera është se në mungesë të një website apo një kanali televiziv lajmesh zyrtar, media sociale është një mjet dhe mundësi shumë e mirë për të përcjellë informacionin më të fundit, më të përditësuar, në lidhje me axhendën operacionale dhe ideologjike të tij.
Në vitet e fundit, grupet xhihadiste terroriste, dhe veçanërisht IS, i janë kthyer fuqishëm një sërë mediash sociale si Facebook, Twitter, Instagram etj., për të shpërndarë mesazhet e tyre nëpër botë. Këto mesazhe, synojnë të shpërndajnë supremacinë e organizatës. Myslimanë dhe jo-myslimanë, i shikojnë njëlloj pjesët e ndryshme të propagandës, qofshin këto të printuara apo video, të cilat synojnë të fusin frikë te “të pafetë”, si dhe të rrisin dhe inkurajojnë të tjerët t’i bashkohen kauzës xhihadiste. Përpos kësaj që thamë më lart, një tjetër fenomen që të bie në sy, është edhe fakti se grupet e ndryshme të xhihadit, janë përfshirë edhe në garë me njëri-tjetrin për supremaci në ‘luftën e shenjtë”. Me anë të postimeve në mediat sociale, ata synojnë jo vetëm poshtërimin e rivalëve të tyre, por shpesh shihen duke kërcënuar gjithashtu njëri-tjetrin edhe me akte dhune. E ndërkohë që përhapja e propagandës, është një nga qëllimet kryesore të grupit, ata e përdorin median sociale edhe si platformë për komunikim të brendshëm. Anëtarët shpesh postojnë video apo fotografi të luftëtarëve martirë, të cilët janë vrarë në operacione kamikaze. Luftëtarët raportojnë në lidhje me betejat duke përdorur video, foto dhe deklarata të shkruara, duke dhënë detaje në lidhje atë çfarë po ndodh në vend, ku janë të vendosura forcat, çfarë armësh po përdorin dhe efektet e sulmeve të ndryshme. Grupet terroriste, e përdorin gjithashtu median sociale për të informuar anëtarët në lidhje me rregulla të ndryshme, duke publikuar edhe udhëzime për ta. Një nga grupet e udhëzimeve, ka të bëjë me përdorimin e platformave të mediave sociale në mënyrë klandestine, si dhe përdorimin e rrjeteve të sigurta të telefonisë celulare brenda rrjetit të xhihadistëve. Nëpërmjet medias sociale, rrjeti i terroristëve ndihmon njëri-tjetrin për të qëndruar të informuar në lidhje me taktikat e ndryshme dhe me operacionet që janë duke u zhvilluar në zonat e konfliktit dhe me gjerë, ndërkohë që rrisin përpjekjet për të rekrutuar luftëtarë dhe diskredituar grupet rivale. Kohët e fundit, Shteti Islamik është bërë zëri kryesor i xhihadistëve në Twitter.
Taktikat e ISIS në Twitter
ISIS, ka filluar të përdorë websiten e medias sociale Twitter si platformë për rrjetin e saj on line dhe përhapjen e propagandës së grupit dhe kjo jo pa qëllim. Twitteri, ka provuar të jetë një platformë efektive për fushatën në internet të ISIS-it, pasi natyra e website-it lejon mbështetësit e ISIS, të krijojnë dhe të ndjekin një numër pa limit llogarish. Edhe nëse një llogari bllokohet apo fshihet, përdoruesit thjesht mund të krijojnë një të re, shpesh duke shtuar thjesht një numër në fund të llogarisë së tyre të mëparshme, duke e bërë kështu më të thjeshtë rilidhjen me simpatizantët e grupit. P.sh simpatizanti i Shtetit Islamik Abu al-Qazimi me nofkën “sqepari”, ka llogarinë në Twitter me emër @qazim23_sqep. Llogaria e tij para se të mbyllej ishte @qazim22_sqep. Nga kjo kuptojmë se ky person ka pasur rreth 22 llogari në Twitter, të cilat i janë mbyllur dhe ai aktualisht është duke operuar me llogarinë e tij të 23-të. Por, sapo llogari si të al-Qazimit mbyllen, simpatizantë të tjerë e përmbytin Twitterin me postime që reklamojnë llogarinë e re të sapohapur të personit, që i është mbyllur llogaria e parë duke rivendosur kështu kontaktet me pjesëtarët e tjerë të rrjetit.
Megjithëse është një mjet efektiv, i cili iu siguron mbështetësve të ISIS, mundësinë për t’u mos u përjashtuar nga interneti, natyra e decentralizuar e Twitterit, përfaqëson gjithashtu sfida operacionale për ISIS-in. Mbështetës amatorë të Shtetit Islamik, shpesh postojnë informacione që mund të komprometojnë operacionet e ISIS, duke harruar që çdo gjë që është e vlefshme për mbështetësit e ISIS, është gjithashtu e vlefshme edhe për organizatat e inteligjencës dhe grupet që luftojnë Shtetin Islamik. Kjo ka bërë që Shteti Islamik nëpërmjet anëtarëve të tij, të postojë në Twitter përveç të tjerash edhe postime me “rregullat”, për përdorimin e Twitterit nga mbështetësit dhe simpatizantët e ISIS.
Nëpërmjet këtyre “rregullave”, ISIS iu kërkon simpatizantëve të frenohen me postimet në lidhje me betejat aktuale, pa marrë në fillim lejen nga drejtuesit e organizatës, duke vlerësuar se postimet e këtij lloji venë në rrezik luftëtarët e ISIS.
Siguria kibernetike dhe pirateria
Një nga arsyet kryesore pse ISIS përdor platformat e mediave sociale si Twitter-i, është shpërndarja e informacionit (edhe e dizinformacionit) në lidhje me luftën dhe sigurinë kibernetike. ISIS, e ka të qartë që sot lufta zhvillohet edhe në hapësirën kibernetike. Prandaj ata duan që luftëtarët e tyre të jenë të mbrojtur dhe të tregohen të zgjuar kur përdorin internetin dhe pajisjet e komunikimit. Shumë llogari, shpërndajnë informacion nëpër radhët e simpatizantëve apo anëtarëve të ISIS duke inkurajuar përdorimin e sigurt, të motorëve të kërkimit si Tor, Open Door, dhe Kaspersky që të shmangin gjurmët dhe të hapin llogari në platforma sociale si Twitter-i, pa përdorur numra telefonash.
Postime të tjera, përshkruajnë se si luftëtarët duhet të shkarkojnë softwera duke mbrojtur identitetin për pajisjet e tyre mobile, ose të përdorin një përditësim të VPN, çka do të rriste sigurinë e internetit në telefonat e tyre. ISIS, nuk mund ta pranojë dhe përballojë që llogaritë kibernetike të luftëtarëve dhe liderëve të tyre të piratohen nga qeveritë dhe agjencitë, të cilat mund të përdorin informacionin për të përcaktuar vendndodhjen, lëvizjen e trupave, planet e betejave dhe informacione të tjera që mund ta dëmtonin ISIS në fushën e betejës.
Përveç informacionit në lidhje me sigurinë kibernetike, anëtarët e ISIS postojnë gjithashtu informacione në lidhje sulmet kibernetike të ISIS. Shpesh vihen re postime nga anëtarë apo simpatizantë të IS, në lidhje me sulmet kibernetike dhe sukseset e tyre në goditjen e rrjeteve informatike apo vjedhjen e llogarive të e-mail-it të shtetasve të huaj, apo hyrjet në websitet e ministrive të qeverive të shteteve të angazhuara në luftën kundër ISIS.
Pak kohë më parë, një llogari e tillë në Twitter postonte sukseset e tij në vjedhjen e mbi 1000 e-maile-ve iraniane, hyrjen në website-n e Ministrisë së Shëndetësisë së Iranit etj. Edhe pse këto sulme kibernetike mund të jenë të pakta dhe shpesh websitet e sulmuara reagojnë shumë shpejt për tu kthyer në gjendjen e mëparshme, ata shpesh tregojnë faqe të zeza të mbushura me vargje nga Kurani dhe flamuj të vegjël të zinj të ISIS në krye të faqeve. Një tjetër shembull i këtyre sulmeve është rasti i sulmimit të website-it zyrtar të Policisë së Shtetit në Malaizi.
Me anë të këtyre akteve, ndër të tjera anëtarët e ISIS jo vetëm që mundohen të ngrenë moralin e anëtarëve dhe simpatizantëve të organizatës, por synojnë gjithashtu të ulin moralin e forcave të sigurisë ku ata godasin, si dhe të përcjellin mesazhin se sa e fuqishme është organizata në lidhje me aftësitë e saj kibernetike.
Rekrutimet
Media sociale, është mënyra më e mirë për tu lidhur me këdo që do të bëhet xhihadist kudo në botë. Përderisa shumë njerëz përdorin platforma të tilla si Twitter apo Facebook, këto grupe kanë aftësinë të lidhen me mijëra njerëz duke përhapur mesazhet e tyre dhe videot me shpresën e influencimit të të tjerëve për t’iu bashkuar grupeve të xhihadit. Në Twitter, grupe si ISIS janë shumë të vetëdijshëm për përhapjen dhe influencën e medieve sociale dhe për këtë arsye e përdorin si një mjet tepër të përhapur për qëllime rekrutimi.
ISIS, boton shpesh fotografi të jetës në zonat nën kontrollin e organizatës, me shpresën e ekspozimit të “së vërtetës” për botën e jashtme. Fotografi dhe pamflete të prodhuara në mënyrë profesionale me tituj si: “jeta në vilajetin e Ninevesë” apo “Mosuli natën”, tregojnë imazhe të njerëzve të lumtur që qeshin, hanë akullore, dhe bëjnë pazar në qendra tregtare. Të tjera fotografi me dixhiturën “Projekti i Rrugës në vilajetin Dijlah” ose videot e titulluara: “lëmosha gjatë Ramazanit”, janë bërë më qëllim që të demonstrojnë kujdesin dhe “shqetësimin” që ka ISIS për njerëzit dhe zonat që ai ka nën kontroll.
Gjatë Ramazanit, ISIS-i ishte shumë i përkushtuar në postimin e fotove të shumë njerëzve që shkonin në xhami për tu falur, së bashku me imazhe nga vaktet e Iftarit në mbrëmje që tregonin njerëz të buzëqeshur dhe të lumtur. Madje ata postuan edhe një foto në të cilën tregohej hapja e një dyqani ëmbëlsirash në vilajetin e Tarablusit, për vaktet pas agjërimit. ISIS është i vetëdijshëm për imazhin me të cilin bota Perëndimore e ka etiketuar atë. Anëtarët e ISIS, e dinë se shumë njerëz në botë i shohin ata si mostra, grup terroristësh brutalë, pedofilë dhe maniak seksualë. Në përpjekje dhe me shpresën e ndërrimit të këtij imazhi, ata janë angazhuar në një fushatë marrëdhëniesh me publikun, të paktën në fushën kibernetike, për të treguar se si “është jeta në të vërtetë” nën regjimin e tyre.
Krahas “humanizimit” të organizatës, propaganda e ISIS bazohet shumë tek korniza fetare gjatë rekrutimeve. Videot në të cilat ata tregojnë ekzekutimet e të burgosurve dhe të ushtarëve, shoqërohen me nuanca fetare të cilat promovojnë viktimat si “heretikë” apo si “të pafe” të cilët e meritojnë të vriten, bazuar kjo në interpretimin Kuranor. Luftëtarët e ISIS, postojnë shpesh vargje nga Kurani ose tekstet e tjera fetare të cilat kanë si synim të legjitimojnë ekzistencën e ISIS dhe aktet e dhunës së kryer nga ai.
ISIS kundër Hamas-it
Gara ndërmjet grupeve terroriste, është përherë e pranishme në zonat e konfliktit, ndërkohë që ata përpiqen të bindin mbështetësit se do të jenë xhihadistë të drejtësisë dhe mjaft efektivë në kauzën e tyre si një forcë e jashtëzakonshme luftuese. Së fundmi ISIS është duke përplasur brirët me grupin e njohur terrorist palestinez HAMAS. Në vitin 2014, lufta me Izraelin e la Hamasin, në një farë mënyre të bllokuar, prandaj ai u angazhua shumë për të mbajtur mbështetje si grup salafist,ndërkohë që elementë të ISIS në Rripin e Gazit, ndërmorën disa operacione kundër Izraelit me shpresën e rifillimit të konfliktit. Për t’i kontrolluar këto grupe dhe të ruante negociatat e armëpushimit, Hamasi i arrestoi dhe madje edhe i ekzekutoi një sërë liderësh të njohur salafistë dhe përkrahës dhe aleatë të ISIS, cka ka shkaktuar kaos në komunitetet religjioze veçanërisht në Rripin e Gazës. ISIS, i cili e etiketon veten si një lloj i xhihadit salafist, i shikon këto akte si jo-islamike, duke i përdorur si pjesë të propagandës së tij kundër Hamasit, me qëllim fitimin e sa më shumë mbështetësve edhe nga radhët e këtij të fundit.
Me anë të postimeve dhe videove në Twitter, anëtarët dhe mbështetësit e kanë dënuar sjelljen e Hamas-it në mënyrë direkte dhe i kanë paralajmëruar ata për shkatërrim të menjëhershëm nëse ata do të vazhdojnë të dhunojnë ligjin e Shariatit dhe do të sulmojnë elementët salafistë dhe ISIS-in. Postimet e sulmojnë Hamasin veçanërisht për të qenit aleat me Iranin, të cilin ISIS e urren për shkak të llojit shiit të islamit; paefektshmërinë e tyre kundër ushtrisë së Izraelit; dhe mungesën e zbatimit të ligjit të Shariatit nga ana e tyre. Së fundmi, postimet i referohen vrasjes së dy të rinjve gjatë lutjeve për shkak të deklaratave pro ISIS, burgosjen e liderave salafistë, si dhe për hedhjen në erë të dy xhamive me orientim pro-salafist.
ISIS kundër Talibanëve
Ashtu sikurse Hamasi, Talebanët afganë kanë pasur kritika të rënda nga simpatizantët e ISIS në Twitter. Shteti Islamik, tani po përpiqet të përfitojë nga situata kaotike në Afganistan, duke tentuar të zgjerojë prezencën e tij në zonë. Duke i parë talebanët si kërcënimin e tij më të madh për zgjerim në Afganistan, Shteti Islamik përveç operacioneve në terren, ka filluar një ofensivë në Twitter për të diskretituar rivalin afgan.
Fushata afgane e Shtetit Islamik në Twitter, ka në fokus të saj diskreditimin e forcave talebane, ndërkohë që i bën jehonë “zgjerimit të shpejtë” të grupit në zonë. ISIS, është duke përdorur në mënyrë tepër intensive edhe dizinformacionin në lidhje me talebanët afganë. Kështu në një postim në Twitter, ata aludonin duke akuzuar rëndë talebanët afganë për një marrëveshje të fshehtë me Drejtorinë e Shërbimit Sekret të Pakistanit. Në një tjetër postim të vitit të kaluar rreth muajit Tetor, një simpatizant dhe mbështetës i Shtetit Islamik deklaronte nga llogarita e tij @abutalut4 se komandanti taleban Abdul Jabar, kishte urdhëruar forcat e tij të mbronin interesat e Pakistanit në zonë. Postime të ngjashme e akuzonin Jabbar, për të qenit një spiun i ISIS-it dhe se ai qendronte mbrapa bisedimeve aktuale të paqes me qeverinë afgane. Simpatizantët e ISIS, gjithashtu janë përpjekur ta prezantojnë grupin e tyre si forca “më islamike” e zonës dhe një alternativë serioze për qeverisjen kombëtare të Afganistanit.
Ndërkohë që përpiqet të diskreditojë autoritetin fetar dhe operacional të talebanëve, Shteti Islamik është duke punuar në të njëjtën kohë që të reklamojë “zgjerimin” e tij në Afganistan, duke reklamuar lidhjen e aleancave me grupet rajonale të Afganistanit. Në Korrik të vitit të kaluar, e njëjta adresë që fliste për komandantin taleban, i thurte lavde dhe e përgëzonte ish-komandantin taleban Mullah Abdul Qayum Zakir, për vendimin që kishte marrë për t’u bashkuar me Shtetin Islamik.
Disa javë para kësaj, llogari të mbështetësve të ISIS në Twitter i bënë jehonë të madhe aleancës së Lëvizjes Islamikë në Uzbekistan ( një grup që vepron në veri të territoreve të kontrolluara nga talebanët) me Shtetin Islamik. Ndërkohë që talebanët ngelen grupi islamik dominant në Azinë Qendrore, përhapja e gjerë e përdorimit të Twitter-it nga ISIS i ka krijuar atij mundësinë të zgjerojë influencën e tij në Afganistan. Në përgjigje të kësaj rritje të propagandës së ISIS një simpatizant Taliban shkruante në Twitter: “ISIS, duhet ta deklarojë Twitterin një vilajet të tijin.” Padyshim që aftësitë e shkëlqyera të ISIS në përdorimin e websit-it, e ka lejuar grupin që të zgjerohet në zona ku ai nuk ka as forca në terren.
Ekspansioni i ISIS
Përpjekjet e ISIS për të diskredituar talebanët afganë, janë pjesë e qëllimit të madh të grupit për t’u dukur si më të mëdhenj nga sa janë në fakt. Ndërmarrja më e fundit e ISIS në Twitter, është fokusuar në përpjekjet e grupit për tu zgjeruar në rajonet e reja, në Azinë Qendrore dhe Afrikë. E ndërkohë që Shteti Islamik ka marrë besnikërinë e aleancës nga grupet xhihadiste që veprojnë në Libi, Egjipt, Nigeri dhe Afganistan, krijimi i vilajeteve të reja apo provincave ekzagjerohet jashtë mase në Twitter. Një hartë e kohëve të fundit e “provincave të ISIS”, vlerëson se grupi tashmë qeveris territore të mëdha në njëmbëdhjetë shtete.
Edhe pse ky informacion, është pa pikë dyshimi i pasaktë, harta vazhdon të arrijë një audiencë të gjerë të mbështetësve dhe simpatizantëve të ISIS në Twitter. Harta të tilla, janë të zakonshme në Twitter, çka i krijon mundësi simpatizantëve të ISIS të ekzagjerojnë rritjen e grupit. Ndërmjet zonave të supozuara të ekspansionit të ISIS, llogaritë mbështetëse të ISIS duket se janë fokusuar shumë në Libi dhe Afganistan. Përkrah postimeve të hartave që theksojnë vilajetet e ISIS, mbështetësit e grupit vazhdimisht postojnë informacione në lidhje me “qeverisjen” e në zonat e kontrolluara nga grupe që i kanë deklaruar aleancë dhe besnikëri ISIS-it. Kështu në një tjetër postim në Twitter, mbështetësit e Shtetit Islamik i thurnin lavde organizatës për qeverisjen e shkëlqyer të vilajetit të Tripolit, një ilustrim ky që tregon se sa e ekzagjerojnë simpatizantët e ISIS prezencën e tij në shtete si Libia. Shteti Islamik e di shumë mirë se nuk e kontrollon Tripolin dhe rrethinat e tij, po duke deklaruar se “e zotëron” atë dhe vende si “vilajeti i Tripolit”, ISIS kërkon të duket shumë më i madh nga sa është në të vërtetë.
Jashtë vilajeteve të tij në Azinë Qendrore dhe Afrikë, përpjekja e ISIS për tu zgjeruar dhe të qeverisur në Siri, gjen menjëherë pasqyrim në Twitter. Pavarësisht humbjeve të fundit territoriale dhe luftën e vazhdueshme me forcat e regjimit sirian në provincën e Hamas, simpatizantët e ISIS vazhdojnë të propagandojnë se ata nuk e kanë humbur kontrollin e qytetit dhe te zonave përreth. Një simpatizant aktiv i ISIS, në llogarinë e tij vlerësonte me anë të postimeve se: “IS deklaron se Vilajeti i Hamas, vilajet i IS”, duke kërkuar të theksojë se vilajeti ngeli nën kontrollin e grupit. Pavarësisht fitoreve të fundit, të deklaruara nga forcat e Asadit në zonë, llogaritë pro-ISIS në Twitter e portretizojnë Haman si një provincë stabël dhe e mirë-kontrolluar nën regjimin e Shtetit Islamik. Përpjekja e ISIS-it për të publikuar “fitoren” në Hamas, përfaqëson një model të madh të përdorimit të medias sociale, për të theksuar unitetin dhe forcën e grupit, madje edhe kur ata janë duke pësuar humbje të mëdha në terren.
Analizimi i aktivitetit xhihadist në mediat sociale, ofron një informacion të vlefshëm në lidhje me objektivat strategjike të organizatave terroriste. Edhe pse në këtë shkrim u fokusuam te aktiviteti i ISIS në Twitter, grupet xhihadiste kanë vendosur prezencën e tyre në një varietet mediash sociale nga Facebook te Instagrami. Më 1 Korrik të vitit të kaluar, Ansar Bait Al-Maqdis, një pjesëtar egjiptian i ISIS, kreu një seri sulmesh mbi forcat ushtarake egjiptiane në Sinai, duke lënë qindra të vdekur dhe të plagosur. Gjatë sulmit llogaria @abu_ramzi00 ishte tashmë duke “cicëruar” në lidhje me “suksesin” e muxhahedinit egjiptian. Postimet e ngjashme të @abu _ramzi00 theksuan se këto sulme ishin fillimi i operacioneve të Ansar Bait Al-Maqdisit gjatë Ramazanit në Sinai. Megjithatë, pavarësisht listave të gjata dhe të shpeshta me rregulla për “maskimin” në media, mbështetësit e ISIS vazhdojnë të ofrojnë informacion të vlefshëm në lidhje me operacionet aktuale dhe ato të ardhshme nëpërmjet Twitter-it, çka i ndihmon shumë organet e sigurisë, në luftën e tyre kundër kësaj të keqe të madhe me të cilën po përballet sot mbarë bota e civilizuar dhe jo vetëm.