Përfitojnë 520 kompani në 8 muaj, rimbursohet TVSH 3 miliardë lekë më shumë se 2016
Rimbursimi i TVSH nga administrata fiskale përgjatë shumë viteve ka qenë gangrenë për biznesin. Por me ndryshimin e ligjit të TVSH dhe procedurave të rimbursimit, tashmë është përshpejtuar.
Sipas statistikave të Tatimeve, vetëm për 8 mujorin e këtij viti janë rimbursuar 520, ose 192 biznese më shumë se një vit më parë. Nga këto 198 tatimpagues i përkasin kërkesave te vitit 2016 dhe 322 tatimpagues i përkasin kërkesave te vitit 2017.
Rimbursimi i TVSH ndaj biznesit është përshpejtuar ndjeshëm këto vitet e fundit. Ky proces, i cili ka qenë një problem i vazhdueshëm i ngritur nga sipërmarrja, është një faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet me tatimpaguesit dhe si një detyrim ligjor, po ecën me hapa pozitive. Që nga viti 2015 ka hyrë në fuqi ligji I ri për TVSH-në.
Në ligj është vendosur që TVSH-ja do të rimbursohet vetëm mbi bazën e analizës së riskut.
Ligji parashikon uljen e kohës së trajtimit dhe dhënies së rimbursimit të TVSH-së nga administratat tatimore 60 ditë për subjektet e zakonshme dhe 30 ditë për eksportuesit.