Perime me stimulantë? AKU merr mostra në tregun e Lushnjes

Në tregun e fruta-perimeve të Lushnjes, që përbën një nga pikat më të mëdha të tregtisë me shumicë, zbarkuan këtë të martë specialistët e Kontrollit Ushqimor të Drejtorisë së Fierit. Ata morën mostra nga fermerët për analiza, pas dyshimeve se ata kanë përdorur stimulantë tek perimet. Vetë fermerët kishin pohuar për kamerat e fshehta përdorimin e kimikateve. 

Drejtoria e kontrollit ushqimor në qarkun e Fierit zbarkoi për kontrolle blic në tregun e shumicës së fruta perimeve në Lushnje. Specialistët e AKU-së, kanë marrë mostra  të  perimeve e frutave nga fermerët për të kryer analizat përkatese për cilësinë e tyre.  Shkak i këtyre kontrolleve, sipas drejtorit të AKU në Fier, Frederik Çuko janë dyshimet se fermerët kanë përdorur stimulantë në perime.

Çuko: Tani është piku dhe maksimumi i eksporteve, prodhime tona dhe të thuhet nga ne, nga fermerët tanë, nga tregarët tanë që ka elementë të tillë sot, unë këtë nuk e kuptoj. Prandaj ne jemi këtu për të mbrojtur fermerët, për të mbrojtur tregtarët dhe tu themi të gjithë konsumatorëve tanë shqiptarë të jenë të sigurtë. Sidomos në këtë moment kemi një temperaturë, e cila absolutisht është e panevojshme, e pamundur të përdoret qoftë stimulantë, qoftë elementë të tjerë.

Çuko thotë se kontrollet nuk janë të përditshme por të rastësishme dhe fermerët që kanë përdorur vërtet apo kanë gënjyer se kanë përdorur stimulantë apo pesticide do të përballen me organet kompetente.

Ndërkaq, fermerët përkundër asaj që është shfaqur në kamerat e fshehta thonë se në këtë periudhë të vitit nuk eshte e mundur përdorimi i stimulantëve për shkak të temperaturave shumë të larta. Sipas tyre, dyshime të tilla do të sjellin akoma edhe më shumë ulje të cmimit të fruta perimeve e si rrjedhorë, më pak të ardhura për familjet e tyre.

SHKARKO APP