Perla e Kepit të Rodonit (VIDEO)

Vetëm pak kilometra larg nga Tirana, në formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalzit shtrihet Kepi i Rodonit, si një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.

Një perlë e natyrës, ku bluja dhe jeshilja shkrihen në një në thellësinë e Adriatikut, një bukuri ende e virgjër, që së fundmi po eksplorohet si destinacion njëditor për turistët. Vizitorët këtu mund të shijojnë ujin e kristaltë në qetësinë që panorama ofron, larg zhurmave të plazheve masive.

“Kepi i Rodonit është një nga destinacionet turistike më atraktive që mund të ofrojë Shqipëria, për arsye se është afër Tiranës dhe është një ndërthurje e turizmit veror e turizmit historiko-kulturor. Është një destinacion që shumë njerëz e preferojnë, sepse ka një plazh të qetë e të pastër”, tha Olger Berberi, guidë e certifikuar “My Albania”.

Një shteg i ngushtë të çon drejt saj, ndërsa muzika e vetme që shoqëron udhëtarët është zukatja e gjinkallave. Para saj shtrihet thellësia e detit Adriatik të gjirit të Patokut e atij të Shëngjinit, një oaz i vërtetë relaksi.

Kalaja e Rodonit njihet ndryshe si kalaja e Skënderbeut për shkak të afeksionit që heroi ynë kombëtar kishte me këtë vend. Pikërisht këtu thuhej se ai vinte pas betejave të vështira, ku edhe gjente qetësinë në këtë panoramë.

Kepi i Rodonit, me infrastrukturën e ndërtuar, pastërtinë e ujit dhe rërës, gjelbërimin natyror edhe në ditët më të nxehta të vitit, është destinacioni ku në një ditë pushimi mund të gjesh gjithçka dëshiron./TCH/

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=sA-_d0gQozw” width=”560″ height=”315″]

SHKARKO APP