Përpjekjet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor
Lajme E Mërkurë, 26 Maj 2021 14:59
Nga Ilir Kalemaj/Sikundër raportonte së fundmi Projekti i Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, spiunët dhe diplomatët rusë ishin përfshirë për më shumë se një dekadë në shpërhapjen e propagandës dhe mbjelljen e trazirave në Maqedoni. Të dhënat e raportuara edhe nga prestigjiozja britanike The Guardian i referohen pra një përpjekje sistematike për të përhapur lajme të rreme (fake news) nga ana e Kremlinit.
Në Bosnje-Herzegovinë gjithashtu Rusia ka pasur një rol dhe peshë të jashtëzakonshme po të marrim parasysh se sponsori kryesor i Republika Serbska dhe kryeministrit të saj Milorad Dodik nuk është Beogradi por Moska që tërheq fijet kryesore dhe kjo është bërë e qartë dhe nga deklaratat publike të vet zotit Dodik.
Në Mal të Zi, përpjekja për grusht shteti në pragzgjedhjet parlamentare, të orkestruara nga punonjës aktivë të FSB-së dhe GRU-së ruse (pra shërbimeve sekrete të Rusisë), çuan në një gjyq të pazakontë, dorëheqjen në formë proteste të ish-Presidentit dhe ish-kryeministrit Gjukanovic dhe risollën në vëmendje penetrimin e fuqishëm të oligarkëve rusë në republikën e vogël ballkanike që sapo u pranua në NATO dhe është duke ecur me hapa të shpejtë drejt integrimit europianë.
Vetëm Kosova dhe Shqipëria duket se kanë shpëtuar imunë ndaj përpjekjeve të Rusisë për penetrim në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ndryshe nga Serbia me të cilën e lidhin fije të forta bashkëpunimi historik dhe politik por edhe ekonik, sic qe për shembull rasti i NIS, privatizimit rus të 51 përqind të kompanisë shtetërore serbe të prodhimit të naftës, apo kërcënimeve dhe impaktit politik, social, ekonomik dhe kulturor në Bosnjë-Herzegovinë, Maqedoni dhe Mal të Zi, në Kosovë dhe Shqipëri janë vënë re pak apo aspak ndërhyrje të tilla.
Përpjekje politike për destabilizim në këto dy vende nuk ka pasur ose të paktën nuk është raportuar as nga media investigative kombëtare apo ndërkombëtare, as nuk ka pasur rrjedhje informacioni nga shërbimet sekrete për ndonjë tentativë të Kremlinit për të influencuar zgjedhjet politike në Shqipëri apo Kosovë apo të të përftuar ndonjë kapital politik përmes mekanizmave gjëo-ekonomikë apo gjeo-kulturorë.
Fakti se në të dyja këto vende ka një përqindje jashtëzakonisht të lartë mbështetje për NATO dhe SHBA nga sondazhet periodike të kryera (mbi 90 përqind), dhe në mënyrë konstante, si dhe fakti po aq i rëndësishëm që faktori politik ndonëse skajshmërisht i antagonizuar në problemet e brendshme, ka një përputhshmëri gati 100 përqind të axhendës pro-amerikane dhe pro-europiane, pra të drejtimit euro-atlantik të Shqipërisë dhe Kosovës, i ka bërë këto vende të jenë imunë ndaj cilësdo përpjekje për destabilizim apo infiltrim të mundshëm rus. Gjithashtu shkalla e ulët e përdorimit të web-it si burim primar i marrjes së informacionit si dhe mungesa gati totale e investimeve ruse në këto dy vende, kanë bërë të mundur një shkallë rreziku gati inekzistent për influencimin e axhendave të ndryshme nga ajo euro-atlanticiste. Madje edhe mungesa e turistëve rusë si një nga mekanizmat e fortë ekonomikë të ndër-varësisë, ndonëse kushtet natyrore dhe harta territoriale e Shqipërisë në princip e favorizon si një nga vendet atraktive të rajonit, si dhe mungesa e linjave charter ka bërë të mundur mbajtjen në minimum të kontakteve me autoritetet ruse. Vlen të nënvizojmë këtu edhe mungesën gati totale të vizitave të nivelit të lartë në këto tre dekada demokraci të periudhës paskomuniste, për shkak se konsiderohet një liabilitet politik me kosto elektorale një ndërveprim i tillë, përveç se vë në pikëpyetje koordinimin dhe bashkë-rendimin e axhendave me Washingtonin dhe Brukselin respektivisht.