Përplasja e Enver Hoxhës për çështjen jugosllave
DOSSIER/Nga Skifter Këlliçi
(Vijon nga numrat e kaluar)
Pra, duke lënë mënjanë vendet perëndimore, përfshirë këtu edhe SHBA-në, që sipas Enver Hoxhës ishin vende tradicionalisht armike, edhe vendet e demokracive popullore na u bënë vende armike? Dhe përse?Sepse “merrnin anën e jugosllavëve”? Ky konkluzion nuk është aspak i logjikshëm, ngaqë në atë periudhë, pra në vitin 1955 e tutje, asnjë nga këto vende nuk kishte shfaqur ndonjë shenjë se ishin kundërshtarë, aq më tepër “potencialë” të vendit tonë.
Kjo ishte psikoza që krijonte Enver Hoxha në kokën e vet dhe që ua përcillte edhe byroistëve të bindur ndaj tij. Këto ishin edhe shenjat e përparimit të mëtejshëm të paranojës, siç e vë në dukje Ramiz Alia, kur flet për “komplotet” dhe “atentatet” e armiqve të ndryshëm, (dhe këto ai fjalë i vë në thonjëza, si për të shpotitur mësuesin e tij të ndërkryer), të cilat krijonin një situatë që “…ndikonte te Enveri, i cili me të drejtë, (në shumicën e rasteve), ose pa të drejtë, e kishte të theksuar dyshimin ndaj çdo gjëje që vinte nga titistët, ashtu siç e kishte më pas të theksuar për sovjetikët. Një farë paranoje sipas meje e justifikuar”. (“Jeta ime”, faqe 198)
Në këtë rast, ashtu siç nuk ka qenë kurrë e justifikuar paranoja nga e cila ka vuajtur Enver Hoxha, ashtu nuk ishte i drejtë arsyetimi ndaj vendeve që merrnin anën e jugosllavëve. Aq më tepër që vetë Ramiz Alia nuk i përmend me emër, ndonëse fjala duhet të jetë kryesisht për vendet e demokracive popullore, të cilat deri më 1960 nuk shfaqën kurrë shenja kundërshtimi ndaj vendit tonë.
Që këto vende do të mbanin anën e jugosllavëve, kjo ishte e natyrshme, përderisa ato ishin vende vasale të Bashkimit Sovjetik dhe të tilla do të mbeteshin edhe në të ardhmen. Veç kësaj, ato, në një mënyrë a në një tjetër, mund t’ia kishin zili Titos që e detyroi Hrushovin të shkonte tek ai dhe jo ai te Hrushovi dhe sepse, megjithë rigjallërimin e kësaj miqësie të prishur padrejtësisht nga Stalini, Tito ruajti pavarësinë e tij, pa qenë kurë i ndërvarur nga Hrushovi, të cilin, kur ishte rasti, edhe e kundërshtoi.
Veç kësaj, edhe vetë Enver Hoxha, një vit pasi Hrushovi kishte shkuar për t’u pajtuar me Titon, e ka lëvduar Jugosllavinë dhe politikën e Titos. Së pari, në Konferencën e Tiranës, në prill të vitit 1956 dhe së dyti në Kongresin e 3-të të PPSH-së, të mbajtur nga 25 maji deri më 3 qershor maj të po atij viti në Tiranë, në prani të delegacioneve të të gjitha partive komuniste të vendeve socialiste, përfshirë këtu edhe atë të Bashkimit Sovjetik.
Në Konferencën e Tiranës, duke iu përgjigjur pyetjes së Nesti Zotos, delegat dhe drejtor i Kinostudios “Shqipëria e Re”, se përse nuk po përmirësoheshin marrëdhëniet me Jugosllavinë, Enver Hoxha i përgjigjet atij, madje me duf: “Duhet të vinë këtu shokë jugosllavë, të piqen me njerëzit tanë, në frymën e re, shëndoshë, të vemi edhe ne të shohim si janë organizuar ata atje. Po në qoftë se Nesti Zotos nuk i mbushet mendja që nuk po ecet shpejt në përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë , të thotë ç’duhet bërë më shumë? Unë vetë kam folur me ministrin jugosllav dhe i kam thënë të na dërgojë sa më shumë filma jugosllavë:”Ne duhet të marrim shumë filma nga ju dhe shfaqja e filmave do të lozë një rol të madh për çështjen e miqësisë. Ky është vullneti ynë”. (Arkivi i Shtetit, Fondi 2 i Komitetit të partisë së Tiranës, Dosja A, A/1, A/2 faqe 1-530, 1956)
Më pas, në Kongresin e 3-të Enver Hoxha dënoi hapur kultin personal të Stalinit dhe pranoi që në marrëdhëniet me Jugosllavinë, tashmë në përmirësim e sipër, edhe pala shqiptare kishte bërë gabime, për të cilat bënte autokritikë. (Natyrisht, të gjitha këto sa për sy e faqe, sepse koha vërtetoi të kundërtën.)
Hrushovi: “Gjatë vizitës sime në Shqipëri unë nuk do të flas fare për Jugosllavinë. Këtë e bëj që Tito të mos mendojë se kudo është në qendër të vëmendjes”, (maj 1959)
Kështu sipas Ramiz Alisë ka deklaruar Hrushovi që në takimin e parë me Enver Hoxhën dhe udhëheqës të tjerë të PPSH-së gjatë, vizitës që bëri në Shqipëri, në maj të vitit 1959. (faqe 209). Kurse në prill të vitit 1957 në një miting të organizuar në vizitën e tij në një uzinë të Leningradit, Enver Hoxha kishte sulmuar pa doreza Titon. Dhe ishte habitur, gjithnjë sipas kujtimeve të Ramiz Alisë, se përse fragmentet e kësaj kritike ndaj tij nuk ishin botuar në shtypin sovjetik. Dhe kur kishte pyetur, kishte marrë përgjigje se faji kishte qenë… i redaktorëve. Por, sidoqoftë, pavarësisht nga kundërtitë që filluan të dukeshin përsëri në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, (historikisht të tilla jo për fajin e shqiptarëve), nuk ishte rasti që Enver Hoxha t’i shfaqte ato në një vend ku ishte i ftuar si mik, i cili, pavarësisht nga fërkimet me atë vend, pra Jugosllavinë, e konsideronte atë mik dhe komunist . Dhe “miku nuk shahet në shtëpinë e atij ku ti vetë je i ftuar”, – thotë populli. Ndaj dhe Hrushovi, duke ditur mosmarrëveshjet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, parapëlqeu me të drejtë të mos fliste fare për to.
Atëherë student i vitit të fundit të fakultetit histori-filologji të UT, i mbaj mend aspekte të kësaj vizite, pritjen në rrugën e Elbasanit, kur Hrushovi do të ngjitej në Pallatin e Brigadave, mitingun e zhvilluar te sheshi i Universitetit, puthjet dhe përqafimet e Enver Hoxhës me Hrushovin, betimet e tij për miqësinë e pathyeshme shqiptaro-sovjetike dhe as mua dhe as shokëve më të cilët bisedonim nuk më shkonte ndërmend për çfarë fshihej pas tyre.
Ramia Alia thekson pak më poshtë se kjo vizitë nuk solli përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve . . se “kreditë dhe projektet për ndërtimin e disa veprave po zvarriteshin me pretekste të ndryshme…” sidomos “… në kërkimet gjeologjike për naftën e minierat…”. (faqe 209)
Mosmarrëveshjet me PK të BS, thellohen, (Bukuresht, qershor, 1960)
Përsëri po përdor një titull të huazuar nga libri “Jeta ime” i Ramiz Alisë. Është fjala për mbledhjen e Bukureshtit, në qershor të vitit 1960, me të gjithë përfaqësuesit e partive komuniste e punëtore që ndodheshin aty, të ftuara nga PK e Rumanisë për të marrë pjesë në kongresin e saj që mbajt ato ditë.
Ramiz Alia shpjegon së në këtë mbledhje “sulmin kryesor Hrushovi e drejtoi kundër PK të Kinës, të cilën kërkonte ta nënshtronte ose ta dënonte duke e izoluar nga lëvizja komuniste. Arsyeja ishte se midis kinezëve dhe sovjetikëve kishin lindur mosmarrëveshje që, siç u duk qartë edhe më vonë, në thelb lidheshin me synimin që kishte secila nga këto parti për të vendosur hegjemoninë e vet në lëvizjen komuniste ndërkombëtare dhe në kampin socialist”. (faqe 211).
Me fjalë të tjera, siç pohon vetë Ramiz Alia, këto ishin asgjë më tepër se synime ambicioze midis “këndesash”, të cilët kërkonte që “ki-ki-ri-ki-a” e tyre të dëgjohej sa më shumë në “kotecin e pulave” që vështronin mëdyshas se nga cili këndes duhej t’ia mbanin.
“Disa nga kritikat kineze kundër sovjetikëve, -shkruan Ramiz Alia, – sidomos ato që kishin lidhje me deformimin hrushovian të bashkekzistencës paqësore, me pikëpamjen e luftës kundër revizionizmit që ne e identifikonim me vijën titiste, ishin të përafërta me pikëpamjet e partisë sonë. Si rrjedhim, në mbledhjen e Bukureshtit PPSH-ja u gjend në një front të përbashkët me kinezët”. (po aty)
E çuditshme, pra krejt rastësisht. Përkim vetëm në “disa nga kritikat”. Po në qoftë se Enver Hoxha zbatonte parimet marksisto-leninisto-staliniste, përse nuk e kritikonte Kinën komuniste që kishte devijuar në shumë drejtime të tjera nga këto parime?
Në librin “Profesor në tri kontinente”, prof. dr. Agron Fico, që ka drejtuar për shumë vite katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja në Pekinit dhe është njohur nga afër me realitetin kinez të viteve ‘60-të, shkruan: “Nga vëzhgimet e mia të përditshme personale, nga studimet dhe leximet e mëvonshme për Kinën, del se sistemi socialist në Kinë, edhe pse mbështetej në sundimin e një partie, në formë ndryshonte nga ai sovjetik-stalinian. Në Kinë u ruajtën mjaft forma të pronës private dhe sistemi i partive të tjera jo komuniste. Ishim në Kinën e Jugut për vizitë kur u organizua një miting përkrahjeje për luftën e popullit vietnamez. Aty njeri pas tjetrit folën përfaqësuesit e pesë partive jo komuniste kineze, si ajo e tregtarëve të mesëm, e borgjezisë nacionale etj. ” (faqe 79)
Dhe pak më poshtë nënvizon:
“Në politikën ekonomike, ish-pronarët e pakompromentuar me pushtuesin japonez merrnin 2 % nga ish-pasuria prona e tyre e dikurshme”. (Po aty)
Kur lexoja këto radhë, m’u kujtua pyetja që bën Stalini Enver Hoxhës më 29 mars të vitit 1949, gjatë bisedës më të në Kremlin, rreth rolit të borgjezisë kombëtare shqiptare dhe përgjigjja që i jep “Stalini shqiptar”:
“Në Shqipëri ka borgjezi tregtare, por ajo s’ka fabrika, as dyqane, as shtëpi, se të gjitha i janë marrë”.
Atëherë Stalini e qorton:
“Kjo nuk është gjë e mirë. Borgjezia kombëtare do të mund ndihmonte për të prodhuar disa mallra për të bërë një farë tregtie, sa të forcohet shteti”. (“Letër e panjohur e Enver Hoxhës për Kosovën”, (faqe 60 , viti 2000)
Rrjedhimet e Mbledhjes së Bukureshtit…
…Por të kthehemi te kjo mbledhje. Në librin e tij “Jeta ime” Ramiz Alia përshkruan se si Hysni Kapo, që kryesonte delegacionin e PPSH-së në këtë mbledhje, njoftonte Enver Hoxhën se ishte shumë i shqetësuar nga situata që zhvillohej prapa krahëve me intriga e komplote nga Hrushovi që synonte përjashtimin e Kinës nga lëvizja komuniste, ndërsa delegacioni i PPSH-së e quante këtë “…si një veprim në kundërshtim me parimet që rregullonin marrëdhëniet midis partive. Ai gjithashtu u bashkua në disa çështje me kritikën që kinezët u bënin sovjetikëve. Për këtë arsye Hrushovi tehun e sulmit të tij e drejtoi edhe kundër PPSH-së”. (faqe 211)
Pastaj në libër tregohet se si Enver Hoxha i diktoi Ramiz Alisë dy radiograme në të cilat e këshillonte Hysni Kapon “…që të mos nënshkruante anjë dokument që nuk përputhej me qëndrimet dhe vendimet tona… se ne nuk jemi kurrsesi dakord me frymën dhe me metodat që përdoren në këtë mbledhje për zgjidhjen e problemeve të lëvizjes komuniste ndërkombëtare… ”(po aty).
Sigurisht, në parim Enver Hoxha kishte të drejtë. Stalinit i ishte tekur që të përjashtonte Jugosllavinë nga kampi socialist, sepse kishte “devijuar” nga parimet marksiste-leniniste. Dhe këtë e kishte bërë me një vendim të Byrosë Informative, pa pyetur, ose formalisht duke pyetur drejtuesit e vendeve të tjera socialiste, ku përjashtohej Shqipëria, të cilën, siç dihet, ia kishte lënë të bënte çfarë t’i donte qejfi pikërisht kësaj Jugosllavie. Mirëpo Jugosllavia ishte sa një provincë e vogël e Kinës, atëherë me pak më shumë se 15 milionë banorë, kurse Kina po i afrohej shifrës . . 1 miliard shpirt!!. . .
Sidoqoftë, nuk mund të pritej ndryshe nga drejtuesit e PK e BS dhe Hrushovi që, ashtu si Stalini, ishin mësuar me “peqe-lepet” e udhëheqësve të partive komuniste motra. Paraardhësit e tyre, veç Titos, i ishin bindur Stalinit, kishin ndjekur me fanatizëm të pashembullt udhëzimet e tij, duke ndërtuar, ose më mirë duke kopjuar, socializmin stalinist, (veçanërisht Enver Hoxha).
Por pas vdekjes së Stalinit, Hrushovi, pasi demaskoi kultit dhe krimet e këtij tirani gjakësor, kishte ndërmarrë ato hapa që janë përmendur më sipër, për afrimin e B. S. me vendet perëndimore dhe sidomos me SHBA-të dhe për këtë arsye kishte ndikuar që edhe në vendet e tjera socialiste në Europë të largoheshin një herë e mirë udhëheqësit stalinistë, (synim që nuk e bëri, nuk deshi, ose nuk mundi ta bënte këtë me Enver Hoxhën e Shqipërisë.).
Të tërë këta udhëheqës ishin pajtuar me kursin e ri politik të Bashkimit Sovjetik, të tërë kishin aprovuar dhe zbatuar me dëshirë vendimet e Kongresit të 20-të të PK të BS. Kurse tani na dilte kundër këtij kursi vetëm një vend i vogël, Shqipëria, vetëm ajo që mbështeste Kinën, shemrën e superfuqisë së dytë në botë, pas Amerikës!…
Në këtë kapitull kushtuar ngjarjeve që ndodhnin në Bukuresht, Ramiz Alia shkruan se si atë mbrëmje qershori të vitit , pasi iu dërguan radiogramet e mësipërme Hysni Kapos, ai së bashku me Enver Hoxhën bëri një shëtitje deri ura e Lanës, pranë hotel “Dajtit”, ku kishte mbrëmje vallëzimi.
“ -Kërcejnë, gëzohet rinia, -tha Enveri. -Ata nuk e dinë që në këtë kohë në Bukuresht po luhet një tragjedi e madhe në kurriz të komunizmit edhe në kurriz të popullit tonë…” (faqe213)
Çfarë patetizmi… “revolucionar”!…
Mund të shpreh me bindjen më të plotë se unë, me bashkëmoshatarët e mi, atë kohë, nga 18-30 vjeç, si prindërit tanë, ishim zhgënjyer nga “ky komunizëm”, i cili, siç dëshmoi koha, solli pasoja katastrofike për popullin tonë, të cilat i ka pohuar dhe për të cilat ka kërkuar falje dhe vetë Ramiz Alia, në librin e tij “Jeta ime”.
Pastaj Ramiz Alia thekson se pas mbledhjes së Bukureshtit “…zemërimi i udhëheqjes sovjetike kundër PPSH-së filloi të zbrazej në mënyrë të shkallëzuar, sidomos në fushën ekonomike, ku vonesat në sjelljen e mallrave e të makinerive, ndonëse kontratat ishin të rregullta”.(Po aty).
Këto dukuri, siç vënë dukje ai më poshtë, u panë gjatë punimeve të komisionit që do të përgatiste deklaratën e përbashkët, e cila do ta miratohej nga mbledhja e partive komuniste e punëtore që do të mbahej në Moskë, komision në të cilin bënin pjesë përfaqësues të 25 partive, duke përfshirë edhe një delegacion nga vendi ynë, bënin pjesë Hysni Kapo, Ramiz Alia, Todi Lubonja dhe Foto Çami.
Gjatë punimeve të komisionit, sipas shpjegimeve të Ramiz Alisë, Hysni Kapo shprehu mendimin se “…Mbledhja e Bukureshtit, si në formë, ashtu dhe në përmbajtje, ishte e nxituar…se veprimet e deriatëhershme duhet të analizoheshin me sy kritik dhe të nxirreshin mësimet e nevojshme… ” (faqe 218)
Dhe më poshtë citon fjalët e Enver Hoxhës:
“Në Bukuresht Hrushovi e pa që në partinë tonë pikëpamjet e tij nuk shkojnë. Në komisionin përgatitor “të shijojë” një kritikë më të hapur. Në mbledhjen e nëntorit t’i japim goditjen, -na shkruante Enveri. ”(po aty)
Dhe, siç do të shohim në pjesën e fundit të këtij dosieri, ashtu ndodhi.
(Vijon në numrat e ardhshëm)