Përplasja me Tahirin, flet zv.ministri i shkarkuar nga Rama: Jam në detyrë!

Zëvendësministri i Brendshëm, Ilir Marko, vazhdon të ushtrojë detyrën e tij, edhe pse kryeministri Edi Rama kërkoi largimin pas përplasjes me ish-ministrin Brendshëm, Saimir Tahiri.

I kontaktuar nga “Panorama”, Ilir Marko konfirmoi se vazhdon të qëndrojë në detyrë.

“Unë vazhdoj të qëndroj në detyrë deri në momentin që do të marr vendimin e shkarkimit tim”, tha Marko.

Ndërkohë që një ditë më parë, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, tha se vendimi i Kryeministrit për të shkarkuar zv.ministrin ishte joligjor.

Sipas tij, zv.ministri i Brendshëm nuk mund të shkarkohet nga Kryeministri, por nga Këshilli i Ministrave.

“Zv.ministrin e emëron dhe shkarkon Këshilli i Ministrave e jo Kryeministri! Edi Rama ka braktisur detyrën, duke konsumuar një kryevepër penale!”, ka thënë dje Ylli Manjani.

Ilir Marko u shkarkua të enjten nga kryeministri për shkak se u konfliktua me mesazhe me Saimir Tahirin. Fillimisht, LSI-ja ka denoncuar me emra konkretë rastet e blerjes së votave në qarkun e Tiranës, duke akuzuar se, pas këtyre veprimeve antiligjore, ishte ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Megjithatë, Tahiri ka replikuar me Ilir Metën, duke thënë se tentoi ta përgjonte me anë të zëvendësministrit të Brendshëm, i cili, sipas tij, i ka vendosur një përgjues në zyrë. Por pas këtyre etiketimeve, Ilir Marko, i cili ka qenë zëvendësi i Saimir Tahirit, ka reaguar me anë të një mesazhi privat të dërguar në celularin e ish-ministrit të Brendshëm.

Marko ka zbuluar në SMS-në drejtuar ish-ministrit se ndërkombëtarët kanë kërkuar me këmbëngulje shkarkimin e Saimir Tahirit për abuzime. Pasi u bënë publike SMS-të, Edi Rama nxori vendimin për shkarkimin e zv. ministrit të LSI-së.

 

SHKARKO APP