Përse po ndodh ky largim nga Kosova?‏

Nga Kevin Kapllani

Kohët e fundit, siç ju duhet të keni parë e dëgjuar, ka ndodhur një emigrim masiv i mijëra kosovarëve nga shteti i tyre drejt shteteve te Bashkimit Europian, e kryesisht : Gjermani, Austri, Belgjikë dhe Zvicër, madje ka pasur raste ku shumë të tjerë kanë kërkuar strehim në Serbi, drejt kushteve më të mira të jetesës. Kjo nuk është për t’u habitur, pasi një shtet pa një qeveri funksionale nuk do të mund kurrë të ketë një zhvillim të caktuar, si ekonomik, financiar apo edhe shoqëror. Si mundet të jetojnë kosovarët të jetojnë në një vend të tillë, ku dhe kushtet minimale duke përfshirë këtu asistencat sociale apo dhe vendet e punësimit mungojnë në çdo cep. Kosovën e ka ‘’mbytur’’ papunësia, moshat e reja kryesisht gjendet të endur rrugëve dhe jo vetëm, por dhe shumë familjarë të cilët nuk mund të ushqejnë familjet e tyre. E si kështu mund të pretendojë ky shtet që të mos largohen banorët ?! Gjithkush mendon se plagët e vuajtjet u mbyllën përfundimisht që pas përfundimit të luftës me shtetin serb, por në të vërtetë nuk është kështu. Pasojat fatale që shkaktoi lufta ishin tepër kolosale jo vetëm mbi njerëzit, por gjithashtu dhe në ripërtëritjen e ekonomisë së këtij vendi në vitet në vazhdim, të cilat shihet qartë që ndikojnë ende sot e kësaj dite. Pra në pak fjalë, shkaqet janë të shumta për sa i përket këtij eksodi masiv të Kosovës. Së pari, le të fillojmë me problemet sociale që shkaktoi lufta ku i përmendëm më sipër. Siç  ju e dini, lufta pati pasoja të rënda tek shoqëria  kosovare, duke iu prishur atyre ekuilibrin e kënaqshëm. Flas kështu sepse shumë kryefamiljarë u vranë e gjymtuan, gjë e cila nuk lejoi që shumë kosovarë të kishin të ardhura të mjaftueshme për një jetesë normale. Së dyti, kemi konfliktet dhe përplasjet e shkaktuara midis ish-drejtuesve të luftës dhe pushtetarëve që sot qëndrojnë në krye të shtetit, gjë e cila nuk lejon një stabilitet dhe nuk krijon një bashkëpunim për të kaluar këtë krizë, e cila ka mbërthyer vendin prej një kohe të gjatë. Përse të mos ishin të bashkuar dhe të kishin një frymë solidariteti për këtë vend kaq të vuajtur, por edhe me një pasuri të rrallë kulturore?  Është kjo një arsye më tepër që nuk e lejon Kosovën të hedhi hapa të mëtejshëm drejt një zhvillimi të lartë të dëshiruar dhe një vendi me standarte Evropiane. Së treti, një tjetër faktor i cili po shkakton largimin masiv ,është pikërisht fakti i konflikteve midis ekstremit fetar dhe shtetit laik, jo vetëm, por edhe ndaj komunitetit të fuqishëm islamik funksional në Kosovë ku shumë ekstremistë janë larguar drejt Sirisë për të luftuar përkrahë ISIS. Kjo normalisht ka pasur pasojat e saj fatale, duke shkaktuar vdekjen me afërsi të 100 luftëtarëve, po nga kjo zonë, deri në çastet që po flasim. E si mund të shmanget një veprim i tillë, ku këta personat në fjalë janë të bindur kundrejt një ‘’doktrine’’ dhe s’mund t’i vihen kundër?! Në raste të tilla, i mbetet ‘’Zotit’’ të ndryshojë situatën pasi askush tjetër nuk mundet, as qeveria, as shteti, as banorët, askush… Së katërti, desha të përmend një faktor tjetër kryesor e madhor gjithashtu, i cili po e pengon zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kosovës dhe është pikërisht KORRUPSIONI, me nje përqindje tepër të lartë si askund tjetër, ka kapur çdo kënd te vendit, çdo institucion përkatës e funksional në Kosovë. Normalisht, ju bashkë me mua i dini mjaft mirë pasojat e korrupsionit, duke sjellë kështu padrejtësi dhe ‘’kriminalitet’’ në një shoqëri demokratike. Qeveria, në vend të gjejë zgjidhje për këto çështje me rëndësi e të cilat kërkojnë gjykim të menjëhershëm, shkakton  konflikte midis forcave të tjera politike, gjë e cila nuk të shpie kurrkund.
Siç thashë, këto janë disa nga shkaqet të cilat kanë bërë që mbi 30000 kosovarë të lënë trojet e tyre, vendin ku kanë lindur e jetuar drejt kushteve më të mira të jetesës e duke e humbur shpresën tek një shtet me një qeveri të tillë, egoiste dhe aspak rigorize në punën që duhet të kryente. Imagjinoni, çfarë mund të ndodhë në të ardhmen kur deri më sot pati një emigrim kaq masiv? Ku duhet të shpresojë pjesa tjetër e popullsisë së Kosovës?
Janë këto pyetje të cilat ende nuk kanë një përgjigje konkrete e po ndeshin kosovarët në mendjet e tyre në këto çaste… Nëse ky shtet nuk vepron menjëherë atëherë me siguri qe ky eksod do të vazhdojë e në vitet në vazhdim gjë e cila do të shpjerë në një zbehje të numrit të banorëve, por edhe të ekonomisë së vendit, si dhe më kryesorja e traditave e kulturës shumëvjeçare KOSOVARE…

SHKARKO APP