Përse Rama mbrojti Roshin?

“Më pas ishte Roshi që pranoi vetë në formular se ishte përzënë nga Gjermania dhe sërish asnjë reagim, përkundrazi. Roshi u mbrojt sërish dhe sërish u vu bast se ai ishte i pastër. Derisa një tjetër dënim i tij nga Italia u bë publik dhe Roshi u largua pa pritur që ligji i Dekriminalizimit të veprojë mbi të’…

Nga Blendi Fevziu

Dorëheqja e Elvis Roshit, kreut të Bashkisë së Kavajës nuk ishte vetëm rrjedhojë e ligjit të dekrominalizimit dhe as nuk mund të shihet ngushtësisht si e tillë.

Dorëheqja e Roshit ishte një betejë e gjatë publike, e cila ka ngërthyer jo PS dhe opozitën, por shumë faktorë të tjerë në Shqipëri. Ajo ishte simboli i përballjes me një femonëm, ardhja e të cilit në politikën shqiptare, është përgjegjësi direkte dhe ekskluzive e kësaj mazhorance. Asaj që tentoi ta mbronte deri në fund.

Veç opozitës, ishte media ajo që e publikoi e para faktet për përgjegjësitë ligjore të Roshit. Një vit më parë, BIRN publikoi një artikull ku nënvizonte vënien e tij nën akuzë nga një Gjykatë Zvicerane dhe më pas përzënien e tij nga ky vend me vendim të saj.

Po një vit më parë, shtypi botoi foton e tij në bankën e të akuzuarve të një gjykate shqiptare për armëmbajtje pa leje dhe solli edhe masën e dënimit të tij për të. Po shtypi botoi një tjetër akuzë ku ai bëhej përgjegjs për plagosje.

Ishte sërish shtypi që solli fakte të pakundërshtueshme të ndryshimit të emrit të tij, gjë që u mor me shakka dhe me tallje nga mazhoranca.

Në fund, ishte Ambasadori Amerikan Lu, që pasi foli me emra konkretisht, duke përmendur edhe Roshin. Ai kërkoi përjashtimin e tyre nga gara dhe ju bëri thirrje shqiptarëve që mos të votonin për ta. Ishte hera e parë që Ambasador fliste kaq hapur që nga viti 1992.

Asnjë reagim nuk pati për këto, përkundrazi. Kryeministri u betua se Roshi nuk kishte asnjë dënim; Partia Socialiste me disa zëra e quajti atë viktimë të një hakmarrje për humbjen e Kavajës nga opozita. Edhe pse ata që kërkonin largimin e tij ishin edhe komentatorë që s’kanë pasur të bëjnë kurrë me opozitën.

Më pas ishte Roshi që pranoi vetë në formular se ishte përzënë nga Gjermania dhe sërish asnjë reagim, përkundrazi. Roshi u mbrojt sërish dhe sërish u vu bast se ai ishte i pastër. Derisa një tjetër dënim i tij nga Italia u bë publik dhe Roshi u largua pa pritur që ligji i Dekriminalizimit të veprojë mbi të.

Por Roshi s’ka asnjë rol dhe asnjë rëndësi në këtë histori. Pyetja është përse PS vuri bast për mbrojtjen e Roshit? Përse Kryeministri gënjeu shqiptarët se ai nuk është dënuar kurrë? Përse Kryeministri ju kundërvu shtypit e Ambasadorit Amerikan për të mbrojtur një njeri që kishte probleme në Zvicër, Gjermani, Itali e Shqipëri? Kur një person si ky, vlen më shumë se sa shtypi, Ambasada Amerikane, Opozita dhe gjithë shoqëria shqiptare, atëherë ose Kryeministri s’ka ditur gjë, dhe këtë duhet ta thotë publikisht duke ju kërkuar falje i përulur shqiptarëve, ose ai ka tentuar ta mbrojë Roshin sepse ka qenë në dijeni të problemeve të tij që në fillim.

Kjo nuk është një histori dekriminalizimi, kjo është një betejë publike, ku Mazhoranca, e vetme kundër të gjithëve, është renditur në anën më të errët të kësaj shoqërie. Ndaj sot, është më normale të kërkojë falje, për t’ju thënë shqiptarëve dhe atyre që duan të tallen me ta, se që nga sot, asnjë kriminel, asnjë vrasës, asnjë trafikant, nuk do jetë më pjesë e politikës. I çfarëdo ngjyre qoftë ai…/Opinion.al/

SHKARKO APP