Përurohet muzeu Mesjetar në Korçë, Rama: Kemi bërë për trashëgiminë aq sa nuk u bënë në 25 vite

U përurua sot në Korçë Muzeu Mesjetar, ku mes të tjerave janë të vendosura rreth 400 ikona, pjesa më e madhe e të cilave i prezantohen publikut për herë të parë.

Kryeministri Edi Rama tha se sot më në fund trashëgimia kulturore mbrohet, por edhe studiohet në kushtet optimale.

“Sot ne çelim dyert e këtij muzeu që është pjesë e një qasje të re për ta rilindur jo trashëgiminë tonë kulturore, por raportin e respektit me të. Sot edhe pse jemi një vend që nuk i ka të pakufizuara mundësitë financiare dhe kemi kaluar përmes një faze të vështire për të dalë nga një krize e thellë nga çdo sektor, edhe pse na është dashur të shlyejmë shumë borxhe ne kemi bërë për trashëgimin kulturore aq sa nuk është bërë në 25 vite së bashku”, tha Rama.

Sipas Ramës qeveria ka bërë për trashëgiminë kulturore aq sa nuk është bërë në 25 vjet. Rama tha se ky muze është pjesë e një qasje të re për të rilindur trashëgiminë.

“Është pjesë e një qasjeje tonë jo për të rilindur trashëgiminë kulturore, por për të rilindur respektin tonë për të. Gjirokastra dhe Berati kishin hyrë në listën e zezë të UNESCO-s dhe konsideroheshin si pasuri në zhdukje. Qeveria investoi para dhe dije dhe sot e vërteta është që Berati dhe Gjirokastra nuk janë më në listën e zezë të UNESCO-s”, tha ai.

Kryeministri tha se janë disa pika kyçe të trashëgimisë për të cilat po kërkohen bashkëpunime të ndryshme për të ndërhyrë. Rama përmendu si model suksesi edhe Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

“1800 objekte u lanë në mëshirë të fatit, sot Muzeu është i çelur dhe objektet janë restauruar plotësisht”, deklaroi ai. Ndërkohë, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se nga 400 ikonat e ekspozuara në këtë Muze, 250 shfaqen për herë të parë për publikun. “Qeveria e kaluar nuk kishte prioritet as Muzeun dhe as Kulturën, ndërsa sot kultura është shndërruar në motor zhvillimi”, tha ajo.

SHKARKO APP