Peshëngritje, skandali i dopingut, dorëhiqet sekretari Muharrem Berisha

Pas skandalit të dopingut me sportistë shqiptarë që morën medalje ari në garat ndërkombëtare, por rezultuan pozitivë më pas në testet anti-doping, krerët e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes kanë nisur të marrin mbi vete përgjegjësinë e tyre dhe të largohen nga detyra. Ditën e sotme lajmëroi dorëheqjen nga posti që mbante Sekretari i Përgjithshëm i FSHP-së, Muharrem Berisha.  Rastet e konfirmuara të përdorimit të substancave të ndaluara edhe pas analizës B të testit anti-doping, për sportistë si Romela Begaj e Hysen Pulaku, kanë çuar në largimet e para në krye të Federatës së Peshëngritjes Shqiptare. Pritet që edhe Danile Godelli, i vetmi kampion bote në dy-garësh, të marrë së shpejti një përgjigje nga testi B, dhe shpresohet që të jetë i vetmi që mund t’i shpëtojë pezullimit, për të pasur pasur të paktën një kampion bote. Por ka pak shanse të shpëtojë federata, pasi gjasat janë që me dy raste, të gjobitet rëndë dhe të pezullohet nga aktivitetet. Për këtë arsye, ka dhënë dorëheqjen Muharrem Berisha. Presidenti i federatës, Elez Gjozaj, nuk është shprehur ende në lidhje me historinë e dopingut, ndërkohë mbi përdorimin e substancave të ndaluara nga ana e sportistëve tanë,  diçka e përsëritur,  Federata e Peshëngritjes është paralajmëruar nga ndërkombëtarët. Dy vite më parë ajo ishte gjobitur me 50 mijë dollarë dhe vështirë se mund t’i shpëtojë një gjobe më të vogël, pas këtyre rasteve. 

SHKARKO APP