Peshq kemi boll, po rrjeta a kemi mjaftueshëm?
Nga Ilir Levonja
Reforma në drejtësi, filloi me një peshk 300 milionësh. Këto në para shqiptare. Dhe shumë prej nesh mendojnë se vërtetë në fund të këtij viti, a nga pranvera e vitit tjetër, burgjet do jenë mbushur plot me peshq. Dhëntë zoti t’i kenë marrë masat se gjasat janë që Shqipëria ka nevojë të menjëhershme të katërfishojë institucionet e vuajtjes së dënimit.
Ky që sapo kapët është një cironkë o të uruar. Një nga ato për të kuar grepin. I cili ashtu si puna e demave që kullosin qesat, gjeti rastin e mori ca kallinj nga ara e madhe.
Eshtë një naivitet klasik i yni pasi e gjitha nuk është asgjë tjetër, por një zhurmë e radhës. Ky me këto 300 million lekë është një ngecje sa rastësore aq edhe kurbanizim për të bërë me dije peshqit baballarë. Ata që lëvizin rëndë në ujët e oqeanit shqiptar. Që ato që keni poshtë jastëkut, a brenda sustave të dyshekut, gjejuni vendin sa më shpejt.
Llogaritë bankare të publikuara janë ajo aurora e qumështi në buzët e fëmijës. Paratë reale, shumat, janë subjekte të bankave anonime, dyshekëve a kasafortave në mure. Ndarjeve bashkëshortore të pronësisë dhe objektet e lëshuara me qera. Shitëblerjet e mjeteve etj. Të gjitha janë kollaj të verifikueshme sa kohë një njeri ka nje aktivitet të deklaruar. Të gjitha! Nuk ka asgjë të pamundur për t’u verifikuar mbi bazën e të ardhurave nga paga. A, honoraret e biletat e shërbimit një trend shqiptar për majmjen e xhepave të shushunjave dhe anamizimin e shoqërisë shqiptare.
Si? Me lëmosha sociale, pensione apatike etj.!
Shqiptarët kurrë nuk duan ta kuptojnë atë që janë të pushtuar, në një kolaps të plotë politik, pasi i kanë të dy krahët plot me peshq të mëdhënj. Ku do t’i fusni? A keni vend? Dhe a keni gjeneratë t’i zëvendësoni? Janë të pushtuar nga ata që bëjnë debate të zhurmshme në kuvend. Enkas, plot pështyma. Plot vrer karshi njëri-tjetrit. Janë totalisht të pushtuar se invazionet sllave të kohës, më keq se nga turqit. Italia dhe shovinizmat e tjera rajonale. Janë në kolaps pasi nuk arritën të sjellin prurje ndryshe, si përshembull Greqia me Ciprasin, Franca me Makronin, Austria me 31 vjeçarin Sebastian Kruz etj. Janë të pushtuar nga qillotat e Edi Ramës dhe lufta frontale e Sali Berishës për jelekët antiplumb të Zenit. Duhet gjak i ri për reforma reale. Janë karvane të tëra maunesh me soje rasatesh e përmasash gati katastrofike. Ky 300 milionshi në lekë, një ballgjër a karas koprative është. Me 300 milionë në lëkë shqiptare. Po si i bëhet halli me ata që I kanë këto miliona në valutë?
Të huajt nëse vërtetë e kanë seriozisht që do na ndihmojnë, duhet të na afrojnë kafazë me shumicë. Se çështja është ajo që a kemi mjaftueshëm burgje? Kjo është e vërteta dhe kolapsja jonë. Pa eshqit i kemi me shumicë. Kishin nga një dhomë e guzhinë, sot kanë resorte, hotele, ferma. Duart plot I kanë. Kurse ju vetëm arka me tranguj e domate plot hormone.