Pezullohet llogaria e Qeverisë së Hungarisë në Twitter

Qeveria hungareze tha të mërkurën se llogaria e saj zyrtare në Twitter, është mbyllur “pa ndonjë paralajmërim”.

“Ne kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe jemi duke pritur një shpjegim zyrtar nga Twitter”, tha zëdhënësi i qeverisë, Zoltan Kovacs në llogarinë e tij personale në Twitter.

Kovacs e quajti pezullimin si një akt censure kundër qeverisë së kryeministrit nacionalist, Viktor Orban, duke thënë me ironi:

“Më në fund, një botë e re dhe e bukur ka ardhur, në të cilën kompanitë e teknologjisë po iu mbyllin gojën atyre që kanë mendime të ndryshme”.

Çdo përpjekje për të hyrë në llogarinë e qeverisë hungareze përballet me mesazhin “përdoruesi @abouthungary është pezulluar.”

LLogaritë tjera zyrtare të mediave sociale të Hungarisë duket se po funksiononin normalisht të mërkurën, raporton agjencia AFP.

Sipas organizatës Freedom House, demokracia në Hungari, vend anëtar i Bashkimit Evropian, ka qenë në rënie gjatë dekadës së kaluar.

Në raportin e fundit të publikuar në muajin maj, Freedom House e përshkroi Orbanin si udhëheqës që “nuk bën asnjë veprim për të respektuar institucionet demokratike”.

SHKARKO APP