Pjepri mbetet pa shitur, fermerët kërkojnë paratë e farës
Në fshatin Hyzgjokaj të Lushnjës, fermerët po hedhin pjeprin e kultivuar në sera, pasi nuk arrijnë të shesin. Ata thonë se fara ishte e keqe dhe çdo pjepër çahet pa arritur në treg.
Një dynym serë e mbjellë u ka kushtuar 700 mijë lekë secilës familje dhe këtë shumë e kërkojnë rimbursim nga firma qe u shiti farën.
Specialistët në drejtorinë e bujqësisë në Lushnje këshillojnë fermerët që kur të blejne farërat duhet të lidhin kontratë dhe të marrin garanci nga firma që i tregton.
“Është një problem shumë i madh. Nuk është vetëm problemi i farës. Po të marrim aspektin e farës që kanë fermerët. Fara që vjen duhet të jetë e certifikuar, e regjistruar. Rekomandimi bazë i joni është çdo produkt që blihet, të blehet me faturë”, thotë Miço Qorri, specialist në drejtorinë e bujqësisë, Lushnje.
Për shumë familje në Hyzgjokaj kultivimi i pjeprit është e vetmja mënyrë jetese, ndaj kërkojnë ndihmë për të përballuar humbjet e këtij viti.