Plani vendor i Himarës, kërkohet interpelancë në parlamentin grek
Pas reagimit të djeshëm nga Ministria e Jashtme, edhe partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re, ka “vrapuar” të pozicionohet planin e përgjithshëm vendor të bashkisë Himarë.
Madje konservatorët kanë shkuar një hap më tej: ata kërkojnë interpelancë me Ministrin e Jashtëm, Nikos Kotzias.
Kërkesa për interpelancë është inicuar nga shefi i Departamentit të Jashtëm të Demokracisë së Re, Jorgos Kumutsakos.
Në argumentimin e kërkesës, nënvizohet se kohët e fundit “janë shtuar informacionet se autoritetet shqiptare po avancojnë një plan urbanistik në zonën e Himarës, që do të mund të përdorej qëllimisht nga Tirana si instrument për shtetëzime masive mijëra dynymësh sipërfaqe bregdetare, me vlerë të madhe ekonomike, që u përkasin pjesëtarëve të minoritetit grek të atjeshëm”.
“Një zhvillim i tillë do të sillte një goditje vendimtare për jetesën dhe do të ishte një tjetër hap për çrrënjosjen e tyre nga vatrat historike”.
Demokracia e re kërkon që Ministri i Jashtëm t’u përgjigjet tri pyetjeve:
-Cila është saktësisht gjendja në zonën e Himarës dhe nëse qeveria vlerëson që plani urbanistik, si dhe ligji i ri për zhvillimin e turizmit do të mund të ishin një mjet për të goditur minoritetin?
-Nëse qeveria ka këtë vlerësim, cilat janë hapat që ka ndërmarrë apo do të ndërmarrë Ministria e Jashtme?
-Qeveria greke, a e ka shtruar këtë çështje në organet kompetente të BE-së, përderisa një shkelje e mundshme e të drejtave të pronës shkel në mënyrë direkte kriteret e Kopenhagës, që Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim, është e detyruar t’i respektojë?
Para kërkesës për interpelancë, Demokracia e Re kishte nxjerrë një deklaratë për shtyp, ku shënjestronte drejtëpërdrejtë Kryeministrin shqiptar.
“Kryeministri i Shqipërisë, zoti Rama duhet më në fund ta kuptojë se përdorimi i arbitraritetit dhe i sulmeve ndaj minoritetit etnik grek do ta sjellë në një rrugë pa krye. Kjo rrugë e rrëshqitshme do ta bëjë atë përgjegjës para popullit shqiptar sepse, me veprime intolerante, minon të ardhmen europiane të vendit”, vëren partia më e madhe e opozitës greke.