Platini: Jam i neveritur, Blatter të japë dorëheqjen
Nuk përdor diplomacinë Michel Platini për skandalin që ka përfshirë FIFA-n. Shefi i UEFA-s del drejt e në temë në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp, duke kërkuar largimin e Sepp Blatter nga kreu i FIFA-s, madje ai shkon edhe më tej duke adresuar akuza të rënda ndaj selisë me qendër në Zyrih. "Jam i neveritur. Ajo që ndodhi në FIFA është e tepërt. Njerëzit nuk e duan më presidentin Blatter. Unë kam qenë i qartë dhe i drejtëpërdrejtë me të. E pashë në sy dhe i kërkova të jepte dorëheqjen, madje këtë gjë e bëra në një tjetër bisedë pak çaste më vonë. Ai m’u përgjigj se e kupton situatën por tashmë është shumë vonë. Unë i thashë se për të mirën e imazhit të tij do të ishte më mirë që të bënte një hap pas. E di cila është strategjia e tij. Të bindë anëtarët e kongresit për ta votuar duke u bazuar te demokracia e brendshme por për mendimin tim, në këtë rast humbasim të gjithë”. Duket i qartë dhe i prerë Platini për çështjen e të ardhmes së FIFA-s, madje ai leshon një mesazh edhe për të gjitha federatat që do të marrin pjesë në votim. “Unë nuk kam dashur asnjëherë të kandidoj sepse nuk kam dashur të luftoj asnjëherë kundër një miku si Sepp por vitet e tij të arta kanë qenë në mandatet e para. U bëj apel të gjitha federatave të votojnë princin Ali Hussein. Europa do ta bëjë një gjë të tillë. Ka shumë interesa që tronditën botën e futbollit por FIFA nuk meriton të trajtohet në këtë mënyrë sepse është nëna e të gjithë futbollit”.