Plazhet shqiptare në vëmendjen e mediave të huaja
Ato kanë nisur të shkruajnë gjerësisht për mundësitë e shumta që ofron Shqipëria për turistët e huaj.
“Lëreni pas rivierën franceze, gjeni alternativa të mrekullueshme në rivierën Shqiptare,”- shkruan faqja online Triposo.com e cila i dedikohet vetëm turizmit.
Ajo u kujton lexuesve të saj plazhet e bukura në vijën bregdetare të Shqipërisë.
‘Triposo’ shkruan se Shqipëria ofron një sërë mundësish dhe alternativash zgjedhjeje për të kaluar pushime të shkëlqyera dhe shumë të lira.
Ndër plazhet e përmendura në shkrimin dedikuar rivierës sonë theksohen ato të Sarandës, Ksamilit, Borshit, Palasës, Himarës, Dhërmiut, Lukovës e Vlorës.
Por nuk janë vetëm plazhet e bukura e të pa shkelura në brigjet shqiptare, por aty gjen edhe çmime të lira në ushqim dhe hoteleri si dhe një mikëpritje të veçantë. Mund të argëtohesh me jetën moderne që bëhet në lokalet që shërbejnë në të gjitha pikat turistike të plazheve – shkruan “Triposo.com”.
Për çdo plazh të përmendur në shkrim jepen të dhëna të shumta duke nisur nga vendndodhja me koordinata, historiku dhe mundësitë e shumta që ofrohen për argëtim e qëndrim.