Po Amerikanëve: me ta reformojmë besimin te sistemi!

Nga Alfred Lela/Qarqe të ndryshme, politike dhe mediatike, më shumë nën zë se sa me forcë, janë duke mbledhur ujërat e një shqetësimi, e me to duan të bëjnë një rrëke zemërimi antiamerikan. Sa herë e kemi parë këtë skenë, sa herë këto ‘lule të së keqes’, për të cituar bodlerin, kanë çelur në shpatinat politike shqiptare, aq të mira na gjetshin.

Ambasadori i parë amerikan në Tiranë, Ryerson, urrehej me gjithë shpirt nga komunistët që në vitin e largët ’92, shihnin tek u rrëshqiste pushteti, ideologjia dhe madje vetë ‘vepra’ e jetës nga kthetrat ku kishin mbërthyer Shqipërinë për 46 vjet. Ai u vu hapur dhe me forcë në anën e opozitës së re antikomuniste, duke marrë pjesë, madje edhe në ato mitingjet e papërsëritshme që ngrinin në këmbë thuaj gjithë popullin, kudo ku shkonin liderët e rinj të Demokratikes. Kishte nga ata që nuk ishin dakord me ndërhyrjen amerikane. Shumica e shqiptarëve, ai lumi që u derdh në shesh për Baker-in, po.

Në ndërkohën që është dashur për të ardhur nga Ryerson te Donald Lu ka rrjedhur shumë dhe kanë çelur lule të reja politike, por të vjetrat nuk janë ende në herbariumin e historisë. Edi Rama dhe Lulzim Basha janë ‘të rinjtë’, ndërkohë që Berisha e Meta (ky i fundit jo në moshë) janë te ‘të vjetrit’. Secili ka artikuluar aleancat e veta, por edhe ka guxuar kundërshtimet në raport me amerikanët. Partneriteti, megjithatë ka rezistuar dhe ja ku jemi sërish përballë një sprove të re për të njëjtën aleancë.

Amerikanët janë duke kërkuar me ngulm Reformën në Drejtësi. Ambasadori Lu është personalisht në krye të fushatës dhe ky ngulmim i tij ka shtrembëruar disa fytyra, profilet e të cilave mund të përmblidhen nën etiketën ‘sovranistët’. Kjo është fushata e dytë e Lu-së pas së parës, e cila theksonte nevojën e dekriminalizimit. E përfituara e saj, duhet thënë, ka qenë opozita, e cila ka mbërthyer brirët me ambasadorin amerikan te e dyta, pra te Drejtësia. Basha me të tijtë ngulmojnë që vetingun ose procesin e verifikimit të anëtarëve të institucioneve të drejtësisë ta bëjnë shqiptarët, ndërkohë që amerikanët dhe europianët kërkojnë që monitorimin ta kryejnë vetë.

Kur mendon investimet, trajnimet, partneritetet, bursat, donacionet e me radhë të partnerëve amerikanë e europianë për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, nuk mund të mos rrish pa shpallur: në fakt po kërkojnë shumë pak. Në fakt, kjo është më e pakta që mund të kërkojnë. Provat apo dhe çdo dyshim i arsyeshëm ju thonë atyre, por edhe ne që nuk jemi në politikë se investimi i tyre në drejtësinë shqiptare është i shkuar dëm. Besimi ynë po e po. Kësisoj pas një qasjeje të butë, jo funksionale, ata duan të provojnë një më të fortë. Vetingu është një mekanizëm i tillë.

Të kujtohemi pak për gjërat që ne ndajmë me amerikanët dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

A nuk u kemi besuar atyre mbrojtjen, d.m.th. ushtrinë dhe strukturat tona militare? A nuk jemi ne, nën artikullin 51 të NATO-s aleancë ku bëjmë pjesë, të detyruar për t’iu bindur verdiktit ‘një sulm mbi një vend anëtar është agresion mbi të gjitha vendet anëtare’? A nuk është e vërtetë se prej vitesh, pa ngurruar, ne po përafrojmë legjislacionin tonë me atë të BE? A nuk është ky përafrim i shprehur te dëshira jonë e përbashkët për të hapur negociatat për anëtarësim me qëllim final anëtarësimin?

A nuk shkëmbejmë informacion; a nuk kemi lidhje preferenciale me shërbimet inteligjente dhe të sigurisë amerikane, kryesisht sa i takon receptimit, mbledhjes, çkodimit apo dhe aksioneve në terren në çështje që kanë të bëjnë sa me terrorizmin aq dhe me krimin e organizuar. A nuk është një rregull i pashkruar prej vitesh që shefi i shërbimeve sekrete shqiptare të kalojë nën ‘vetingun’ amerikan?

Mund të debatohet në terma të ortodoksisë kushtetuese e politike për këtë ‘dorëzim të sovranitetit’, por debati nuk mund të nisë artificialisht. Sepse është artificiale të thuash se drejtësia nuk funksionon dhe reforma duhet bërë, dhe të argumentosh se kjo reformë mund të bëhet me të njëjta mënyra, nëpër të njëjtat shtigje si 25 vjet e këtej.

Ata që e ndjekin futbollin e dinë se kur ka ndeshje vendimtare që përcaktojnë fituesin e Kupës apo Kampionatit shqiptar Federata, me kërkesën e skuadrave rivale thërret një arbitër të huaj. Për arsye se ndërluftuesit nuk i zënë besë apo janë të zënë në mosbesim me gjyqtarët dhe praktikat vendase të gjykimit.

Mungesa e besimit ka arritur deri në këtë pikë dhe ky është një problem i shoqërisë dhe politikës. Por kjo e fundit, duhet thënë, është gjeneruesja më e madhe e kësaj klime. Po të më pyesësh, po të të pyesin, po t’i pyesin, shumica e shqiptarëve do të parapëlqenin një arbitër amerikan edhe në drejtësi, ashtu siç do zgjidhnin edhe një europian në një derbi futbolli.

Në pamje të parë duket se e gjithë beteja zhvillohet për reformimin e drejtësisë. Në thelb jo. Lufta e vërtetë dhe e padukshme, më e vështira për t’u fituar, bëhet për sistemin e besimit apo më saktë të mosbesimit me të cilin shqiptarët janë detyruar ta konceptojnë sistemin. Sigurisht, edhe ne kemi gisht në këtë gjellë. Asnjë sistem nuk mund të jetë i shkëputur nga antropologjia kombëtare. MAPO

SHKARKO APP