Po basorelivin e tutkunit Kristaq a duhet ta prishim?

“Fjala është për basorelievin e kryeministrisë, në të majtë të zyrës ku sot rri Rama. Ai është ideuar dhe realizuar nga i ati i tij, Kristaq Rama shumë vite më vonë pas projektimit dhe lartësimit të kësaj godine tipike fashiste. Natyrisht edhe aty, me mendësinë e sotme të të birit, tutkuni Kristaq me shokë guxuan të vinin dorë”…

Nga Andi Bushati

I kapur në befasi nga nga reagimi i fortë që shkaktuan fotot barbare të prishjes së fasadës së stadiumit Qemal Stafa dhe rrëzimit të premtimit të tij publik se ajo do të ruhej, Edi Rama u detyrua ti përvishet një manipulimi të radhës. Ai shkroi në facebookun e tij se i qëndronte asaj që kish thënë, por pjesa që ishte shkatërruar qe vetëm ajo e basoreliefëve të socrealizmit.

Pra argumentet e kryeministrit ishin dy:

I pari qe se dy veprat e realizmit socialist, njëra që tregonte disa vajza basketbolliste dhe tjetra dy futbollistë, pra ato vepra tashmë të shkatërruara, nuk i shkonin ansamblit elegant të Gerardo Bosios.

I dyti, se ato ishin mballosur aty nga tutkunët e artit komunist dhe nuk i shtonin asaj fasade asnjë vlerë.

Me të lexuar këtë argument foshnjarak dhe të bërë sa nga nxitimi i njeriut të kapur në krim, aq dhe nga deliri i liderit që kujton se gjithçka që nxjerr nga goja mund të shndërrohet në të besueshme, mu kujtua një tjetër fasadë, në një tjetër monument historikë i bërë nga i madhi Bosio.

Fjala është për basorelievin e kryeministrisë, në të majtë të zyrës ku sot rri Rama. Ai është ideuar dhe realizuar nga i ati i tij, Kristaq Rama shumë vite më vonë pas projektimit dhe lartësimit të kësaj godine tipike fashiste.

Natyrisht edhe aty, me mendësinë e sotme të të birit, tutkuni Kristaq me shokë guxuan të vinin dorë mbi atë perlë të arkitektit italian, për ti fashitur sadopak ndërtesës ku do të qëndronin me radhe Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, shijen e armiqve të mundur me dyfek në dorë.

Sipas logjikës së përdorur sot nga Rama (i riu) edhe prishja e kësaj mballome betoni të tutkunit Kristaq, që nuk përbën asnjë vlerë për trashëgiminë kulturore, nuk do të përbënte një sakrilegj.

Në fakt nuk është kështu dhe Rama i kapur me foto në krim këtë herë përdor një argument shumë të dobët. Këtu tutkuni është vetëm ai dhe jo i ati i tij i ndjerë.

Basorelievi mbi kryeministri duhet ruajtur ashtu siç duheshin ruajtur edhe ato të stadiumit që arroganca e njerëzve që ndajnë paratë me kryeministrin i shkatërroi me të njëjtin zell që terroristët e ISISI-t shkatërruan Palmirën.

Për vlerën e tyre artistike mund të diskutohet. Padyshim që edhe një sy i pastërvitur e kupton se figurat e partizanëve dhe punëtorëve të Kristaq Ramës, janë ku e ku më të arrira sesa sportistët që pushtonin fasadën e Qemal Stafës.

Por në këtë rast, këto vepra nuk kanë vlerë vetëm dhe thjeshtë për artin e tyre. Ato e tejkalojnë gjykimin estetik. Sepse prej kohësh ato janë pjesë e historisë sonë, e memories sonë kolektive, e gëzimeve zhgënjimeve dhe përjetimeve të secilit prej nesh. Prandaj ato janë pjesë e trashëgimisë sonë. Në këtë kuptim, argumentet e Ramës se ati janë mballoma socrealiste dhe nuk janë origjinale të Gerardo Bosios, janë tepër të dobëta.

Ato janë thjeshtë një manovër më shumë për të mbyllur zërat e kritikëve të radhës. Për të fashitur skandalin që shkaktoi publikimi i atyre fotove barbare.

Dhe kjo është në fakt e njëjta strategji manipulimi që Rama përdor për të gjitha krimet që bën. Ndaj debati i sotëm për trashëgiminë i ngjan atij për seksin e ëngjëjve. Sepse ti kërkosh sot Ramës llogari se po shkatërron atë, është njësoj sikur të fajësoje dikur Hitlerin se po grabiste veprat e artit. (Lapsi.al)

SHKARKO APP