Po rriten fajdet?! Bizneset dhe individët po përdorin paratë informale për financim

Niveli i lartë i eurove që po qarkullojnë jashtë kanaleve bankare, të ardhura kryesisht nga aktivitetet informale, përveçse ka qenë një nga faktorët që ka ndikuar në zhvlerësimin e monedhës së përbashkët, duket se po arrin deri te biznesi dhe familjet shqiptare. Këta të fundit kanë ulur kërkesën për kredi në banka dhe po financohet nga para jashtë kanaleve bankare.

Konstatimi është bërë sot nga Banka e Shqipërisë në publikimin për vrojtimin e aktivitetit kredituese për tremujorin e dytë të këtij viti.

Si një nga faktorët që kanë ndikuar kërkesën BSH thotë se “Bankat raportojnë se kërkesa për kredi nga ana e bizneseve është mbështetur nga nevoja për financimin e kapitalit qarkullues dhe e investimeve, si dhe nga kushtet e favorshme të  kreditimit. Kërkesa më e ulët për kredi është perceptuar nga bankat si pasojë e përdorimit të burimeve alternative  të financimit jashtë sistemit bankar”.

E njëjta tendencë është konstatuar edhe për individët. “Ndërkohë, ekspertët bankarë raportojnë se prania e burimeve alternative dhe besimi konsumator kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të individëve”, thuhet në vrojtim.

Sipas grafikëve që publikon bankat, tek individët kjo dukuri është vënë re përgjatë tre tremujorëve të kaluar (duke filluar nga shtatori 2016).

Për bizneset, ndikimi i burimeve alternative të financimit është konstatuar gjatë dy tremujorëve të fundit, pra që nga fillimi i këtij viti.

Sasia e lartë e valutës që ka qarkulluar në treg muajt e fundit ka ndikuar dhe në zhvlerësimin e monedhës së përbashkët që aktualisht këmbehet në 132 lekë, afër nivelit më të ulët të 9 viteve të fundit, nga rreth 139-140 lekë që kishte qenë mesatarja e kursit që nga viti 2009. Në një konferencë të fundit për shtyp, guvernatori i  Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pranoi për herë të parë se nuk përjashtohet ndikimi i flukseve informale në ecurinë e euros.

“Nga të dhënat që disponojmë, ne kemi rritje të shkëmbimeve me jashtë dhe rrjedhimisht rritje të ofertës në euro. Po kështu kemi pasur një rritje të fluksit të investimeve të huaja. Vetëm nga Investimet e Huaja Direkte janë 174 milionë euro, kurse eksportet e mallrave dhe shërbimet janë 163 milionë euro më shumë se një vit më parë, pra 232 milionë euro ofertë. Ka një ofertë të madhe që është vërtetuar nga të dhënat tona. Po kështu, ndikim ka pasur edhe pjesa e turizmit. Këto nuk shmangin edhe qarkullimin nga informaliteti, por ne flasim mbi bazë të shifrave. Pritet që gjatë verës do të kemi një euro të dobët, por kjo s’mund të parashikohet gjithsesi, por po i referohemi ciklit historik”, tha guvernatori./Monitor

SHKARKO APP