Po ti shef ku e ndjen veten tek zotëria apo krimineli

Nga Ilir Levonja/Shumë njerëz në Shqipëri i gëzohen konstatimit të Ramës. Mbi dëmet e Shqipërisë ndaj Kosovës. Mbi konstatimin e përdorimit më shumë të fjalës kriminel se sa asaj zotëri etj. Vulës së shefit për mediat, pronarët dhe gazetarët që në një apo tjetër mënyrë ”tallen me publikun”. Fjalët e Ramës këto. Dhe po sipas Ramës, ”opinionistëve, portalistëve që i dinë të gjitha e flasin për të gjitha po i vjen fundi.”
Po e filloj nga Kosova, shef.
Nuk është Shqipëria ajo që e ka dëmtuar Kosovën, por politikanët e saj. Historia e shtetit shqiptar zë fill më 1912. Një përpjekje sa e fortë aq edhe e brishtë, pasi klasa politike me edukatë Stambolli. Nga lufta e vetvetes, me njëri-tjetrin. E mbajti shqiptarinë midis Turqisë, pashallëqeve. Dhe egos personale të bejlerëve tanë.
Shumë nuk donin të shkëputeshin nga Turqia. Disa të tjerë ashtu romantikë i shikon pashallëqet. Apo vilajetet si kufoma. Por prapë nuk besonin plotësisht në ngritjen e një shteti, ashtu sa koha. Atë në dheun e arbrit. Kjo pikërisht nga ai krimbi brenda sojit unik shqiptar. Kështu edhe më vonë nga njëra luftë botërore dhe tjetrën.
Sharmi i politikës së pashallarëve nuk u mrrol. Përkundrazi polli me shumicë. Kosova apo pjesë të tjera të dheut të arbrit, i shkputeshin Shqipërisë nga ky soj krimbi. Nga kjo soj rrace që vret përditë. I fut shqiptarët në grindje. I lë në hasmëri…, ndërsa ata vetë kur ua do interesi, trokasin gotat me shampanjë.
Kosova është një plagë që dhemb. Dhe që tani në liri, do dhembi më shumë. Ne nuk dimë ta përdorim atë. Na dhëmbin sytë. Kjo për arsye të sojit. Nuk të ka ndodhur që kur shkon tek mjeku, e para pyetje që të bëjnë, është tradita familjare. Me …, përshëmbull diabetin. A ta ka marrë babain, nënën a ndonjë të afërm kanceri etj. Kështu edhe puna jone me shqiptarizmën.
Punë krimbash. Vemjesh me shumicë.
Megjithatë fajin e ka Shqipëria.
Po me të drejtë e sëmurën Kosovën. Ku ta dimë ne përdorimin e fjalës zotëri. Deri dje, duhej të ishe i burgosur që të kishe privilegj shprehimor. Ne nga dyzetë e katërta e këtej, u rritëm me yshtjen që zotëri quheshin borgjezët. Mjafton të shikonim një me kapele republikë, me bastun, me kollare. Ky ishte borgjez.
Ndërsa në Kosovë, e thoshin pa gajle, pa frikë. Si zotri, si bacë.
Mjaft që të kishe ymër shenjti. Të ishe frymë njeriu.
Ne të zinjtë e bënim në brekë.
Ndërkohë që kosovarët apo shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë. Vuanin lirinë, por jo mirëqënien, jo të drejtën e daljes në botë. Ne i vuanim të gjitha njëherësh. Edhe pse ata na ëndërronin. Na i kujtonin se ishim parajsa e socializmit enverian. Në fakt ishim mjerimi njerëzor.
Ma kanë pohuar miq të mi, të atyre anëve. Më kanë thënë se kanë qarë kur kanë hyrë për herë të parë në dheun amë. Kanë qarë jo nga malli, por nga mjerimi ynë. Shkurt u jemi dhimbsur.
Megjithatë sot, ne kemi shumë pordhë, karshi tyre. U flasim sikur kemi lindur me universitet. Edhe pse jemi soj krimbash, që vdesim për një çikë qyl. Vdesim tu mburremi…, që ata të na ulen se ne jemi nga dheu amë.
Nga ana tjetër ai shtyp opinionistash nuk ka si ndodhi të jetë ndryshe. Rrjedh nga soji i krimbave. Sot i ke armiq dhe të duken të mërzitshëm. Nesër nuk është çudi t’i kesh aleat. Ashtu sikur dhe i ke. Ai që të quan të ka quajtur të çmendur dje, paranojak, apo të droguar. Eshtë sot me ty. Aleati i parë. Kjo jo për faj të tij. Por jo edhe për tëndin. Por si rrjedhojë e natyrës së krimbave. Motit para dhe pas shiut. Eshtë ajo gjenalogji familjare që ta don mjeku.
Po çfarë faji ka këtu e gjira Shqipëri. Ajo na ka dhënë jetën. Na ka dhënë truallin. Nuk na ka dhënë krimbëzimin.
Ndaj bota sot njeh vende të fortë. Të njëjtëzuar popull e komb, popull e shtet. Sepse e vdesin hera herës krimbëzimin.
Po si i bëhet hallit tek ne që momentalisht Shqipërinë e kap një dashuri perverse midis përshembull Ngjelës dhe Sali Berishës.
Plot njëzetë e gjashtë vjetë. Dhe vetëm dëngla. Që mjerë ato mikrofona e kamera se ç’heqin nga pështyma e krimbave.
Një histori duale, tradhtarësh dhe fitimtarësh. Një politikë vetëm denoncuese nga podet partiake. Për rrjedhojë një shtet pa shtyllë kurrizore. Pa asgjë themeltare. Dhe që mëndjengritur i kërkon llogari Europës që pse nuk e pranon.
Jemi një mishmashje shef.
Symbyllur! Me edukatën bëje për mua.
Të tjerat i kemi vetëm fjalë.
Dhe shyqyr zotit nuk kemi mes nesh ndonjë Edison. Se do ja kishim lëruar nënën botës. Shyqyr që nuk kemi ndonjë Guevarë, se do kishin pushtuar Universin.
Të marrim ty shef. A je soji i krimbave. Sigurisht… deri sa ke futur emrin në analin e emrave të shtetarëve. Ke që nga 1998…, nga kthimi prej makaronave. E bërë Tiranën me pallate shigjetash.
Një lloj tradite mongole. Ku, bash në dheun e arbrit.
Përshembull vetëm fakti që firma e babait tënd ndodhet në aktin ekzekutimit të një poeti. Do ta trondiste një shtetdemokratik. Një popull që e do demokracinë. Një klasë politike që aspiron pushtetin.
Mirëpo jemi në Shqipëri shef. Në Shqipërinë tënde. Atë të krimbave.
Që e kanë bërë dheun e arbrit, në shqiptarë kosovarë, shqiptarë shqiptarë, shqiptarë maqedonas, shqiptarë malazez, çamë etj.
Tani ma thuaj, po ti në këtë histori krimbash, ku e sheh veten shef?

SHKARKO APP