Policia jep detaje për incidentin në Pukë
Policia e Shtetit ka dhënë dje detaje për incidentin e kandidates për deputete Sajmira Laçi dhe kryetares së LRI-së, Romina Kuçi. Policia thotë se ka marrë dëshminë e disa personave për kërcënimin. “Nisur nga informacionet që dispononte Komisariati i Policisë Pukë për automjete qe qarkullonin me xhama të errësuar dhe ofronin lekë në këmbim të votës në territorin e Njësisë Administrative Fushë Arrëz, policia lokale ka ushtruar kontrolle për të parandaluar këtë fenomen. Sot në orën 17:10 Patrulla e Përgjithshme në hyrje të qytetit Fushë Arrëz ka ndaluar një automjet tip ‘Ford’ me xhama të errësuar dhe i është kërkuar drejtuesit te mjetit, dokumentacioni. Ndërkohë dy zonja që udhëtonin në automjet janë prezantuar si anëtare e një subjekti politik dhe kandidate për deputetë. Pas prezantimit janë lejuar të vazhdonin lëvizjen. Por dy shtetaset kanë dalë nga automjeti dhe njëra prej tyre ka shfaqur gjendje të fikëti. Ajo është dërguar me automjet dhe personat me të cilin udhëtonte në Qendrën Shëndetësore Fushë Arrëz dhe është në gjendje të mire shëndetësore. Për të sqaruar dhe analizuar veprimet e punonjësve të Policisë në lidhje me ngjarjen është dërguar në Pukë Zv.Drejtori Policisë Shkodër, përfaqësues të Drejtorisë së Standardeve Profesionale nga Drejtoria Përgjithshme Policisë Shtetit dhe SHÇBA.
Gjithashtu pak minuta më parë (dje) policia lokale ka shoqëruar dhe po merr dëshmitë e disa personave për të cilët shtetaset në fjalë u kanë komunikuar drejtuesve të Policisë Shkodër së i kane kërcënuar për motive politike. Për të sqaruar dhe dokumentuar ngjarjen po kryhen të gjitha veprimet hetimore të nevojshme duke bashkëpunuar me Task Forcën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë”.