Policizimi i Drejtësisë

Nga Miltiadh M. Muçi*/Në një shtet demokratik, gjykatat dhe prokuroritë janë institucionet bazë të Sistemit të Drejtësisë. Bashkudhëtare të këtij rrugëtimi janë Avokatia e Noteria, por edhe shkenca ligjore e Kriminalistikës, që Drejtësia e ka izoluar dhe zëvendësuar me oficerët e Policisë Shkencore, njëherësh të Policisë Gjyqësore, çka tregon për “policizim” të Sistemit të Drejtësisë, sikurse është e shprehur në legjislacionin shqiptar. Jo vetëm me ligjin “Për Policinë e Shtetit”, ku thuhet se punonjësi i policisë ka atributet e Policisë Gjyqësore, por dhe në KPP, theksohet se Policia Gjyqësore kryen veprime hetimore nëpërmjet oficerëve e agjentëve të saj, të urdhëruar ose të deleguar nga prokurori. Prandaj, edhe në nenin 33.1 të KPP, do lexohet se “Seksionet e Policisë Gjyqësore varen nga drejtuesit e prokurorisë në rrethe”, ndërsa në nenin 33.4 të po këtij kodi, përforcohet  më shumë se “gjykatat e prokuroritë e disponojnë drejtpërsëdrejti personelin e seksioneve dhe mund të shfrytëzojnë çdo shërbim të Policisë Gjyqësore”, që do të thotë se policia është midis prokurorisë dhe gjykatës. Prandaj, dispozitat e mësipërme të KPP dhe të tjera, tregojnë qartë se veprimtaria e gjykatës dhe e prokurorisë është e “policizuar”, me mbështetjen totale të veprimtarisë së oficerëve dhe agjentëve të Policisë Gjyqësore, efektivë të Policisë së Shtetit. Nuk po e analizoj këtu, praninë e përforcuar të trupave të policisë, hera-herës mbështetjen e trupave speciale, në numër më të  shumtë se të familjarëve apo qytetarëve të pranishëm,  në sallë të mjediseve të sigurisë së lartë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

“Policizimi” i Sistemit të Drejtësisë nuk reflekton vetëm në gjykimin e çështjeve penale, që lidhen ngushtësisht midis veprimtarisë së prokurorisë e policisë, edhe pse në dështimin e hetimeve ato ngarkojnë me faj të ndërsjellë njëra-tjetrën, ndërsa për sukseset secila i përvetëson si meritë të njërës. Gjykata, e familjarizuar me emrin e “Policisë Gjyqësore” që e komprometon, sepse nuk përmendet në asnjë dispozitë të KPC, është e lidhur  ngushtë me oficerët e Policisë Shkencore, pra të Policisë Gjyqësore, edhe për çështjet civile, sikur të jenë vërtetë pjesë e sistemit të Drejtësisë, në veçanti të gjykatës. Këtë e tregon fare mirë dhe lista e “ekspertëve kriminalistë”, në faqen e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, në internet dhe pranë çdo gjyqtari, me emrat e oficerëve të Policisë Shkencor, që mbyllet me atë të Drejtorit të saj, të “kryeekspertit të të gjithë llojeve të ekspertimeve”, si “xholi” i letrave të bixhozit që fatmirësisht nuk i kam luajtur ndonjëherë.

Ai dhe kushdo tjetër në këtë detyrë, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dhe në veçanti Ministri i Brendshëm, subjekt i rëndësishëm politik, në respektim dhe mbrojtje të ligjshmërisë nga punonjësit e policisë, duhet t’i referohen “Rregullores së Institutit të Policisë Shkencore”, ku midis të tjerash për laboratorët rajonalë pranë  Drejtorive të Qarqeve, thuhet qartë se nga këta “laboratorë administrohen kartotekat kriminalistike, kryhen krahasime daktiloskopike, balistike e grafike, ekspertime të karakterit teknik dhe vlerësues për organet e policisë dhe të prokurorisë”. Prandaj drejtuesit e tyre, nuk duhet të lejojë dhe as të marrin pjesë, në ekspertimet e çështjeve civile të gjykatës apo  të të tretëve, në kundërshtim me rregulloren, sepse jo vetëm janë burim korrupsioni, por e “policizojnë” sistemin e Drejtësisë, të rrënjosur prej dekadash nga paraardhësit e këtyre laboratorëve.

Kjo vazhdon të ndodhë, me drejtorin e ri të Policisë Shkencore dhe drejtuesit rajonal të saj, edhe pse me detyrimin e interesimin e veçantë të ndërkombëtarëve, po ngulmohet për reformimet në drejtësi, midis të tjerash për shumë vite është kërkuar institucionalizim i “Ekspertimit të Pavarur Ligjor” në përgjithësi dhe Kriminalistik e Mjekësor në veçanti, drafti i të cilit i është paraqitur Komisionit të Ligjeve në  Kuvend dhe Ministrit të Drejtësisë.  Mbështetës së saj kanë qenë dhe dy shefat e sotëm të laboratorëve, i Drejtorisë së Policisë Shkencore në Ministrinë e Brendshme dhe ai i Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Tiranës, të cilët tashmë nisur nga interesat komerciale të tyre, sikurse e tregoi qartë dhe ekspertimi i kryer me kërkesën e një shtetasi të huaj, kosovar, duket qartë se nuk e dëshirojnë oponencën, që personi në gjykim duhet ta ketë të sigurt  në çështjet penale, por jo vetëm, ndërsa gjykata të sigurojë pavarësinë nga pushteti i qeverisjes dhe i politikës, që mos të mbetet “skllave” e Policisë së Shtetit, sikurse funksionon pa asnjë ndryshim me çka ndodhte para viteve ‘90. Ka qenë kjo përvojë e trashëguar e praktikuar dhe më shumë, që ka çuar jo vetëm në “politizim”, por njëkohësisht në “policizim” të Drejtësisë.

*Jurist-Ekspert Kriminalist i Pavarur

SHKARKO APP