Politika e nostalgjisë
Nga Ana Palacio
Rendi botëror – ose mungesa e tij është një temë e nxehtë këto kohë. Fiksimi ynë pas të ardhmes së strukturave dhe sistemeve globale është i dukshëm kudo – në lajme dhe në konferenca, në listat e librave më të shitur, madje edhe në shfaqjet televizive.
Njerëzit janë në ankth. Bota duket se po pëson ndryshime themelorë: aktorë të rinj po shfaqen në skenën botërore, rregullat deri dikur të shenjtë të sjelljes ndërkombëtare po shpërfillen, dhe një valë e re progresi teknologjik po ndikon në industri dhe sektorë të tërë ekonomikë. Në kërkimin tonë për strukturë dhe parashikueshmëri – një impuls i natyrshëm në kohë ndryshimesh të shpejtë – ne jemi të dëshpëruar për të gjetur mënyra se si do të zhvillohet bota dhe roli ynë në të.
Sigurisht, në këto situata është jetike që ne të identifikojmë mënyrën më të mirë, ose të paktën më të realizueshme, për të bërë përpara; parashikueshmëria ofron themelin për një analizë kosto/përfitim dhe për mendimin strategjik. Problemi del kur kërkimi ynë për siguri del mbi mendimin racional, duke i çuar idetë dhe veprimet tona në një drejtim joproduktiv, e madje të rrezikshëm.
Tendenca aktuale për një shikim rozë të të kaluarës është për t’u marrë shembull. Të gjendur përballë pasigurisë politike, ekonomike, gjeostrategjike dhe sociale, politikëbërësit i jepen gjithnjë e më shumë joshjes së nostalgjisë, duke premtuar në një rikthim tek ata që i përmendin si rregullat dhe praktikat e njohura dhe të plota të të kaluarës.
Në Rusi, Presidenti Vladimir Putin ka vepruar sipas një këndvështrimi si në botën e shekullit 19, ku fuqitë e mëdha dominojnë të pasfiduara sferat e tyre të influencës. Në një takim në tetor të vitit që kaloi në Klubin e Diskutimeve Valdai, ai tha: “Ariu as nuk do e marrë mundimin që të kërkojë lejë. Këtu, ne e konsiderojmë zot të tajgës”.
Shteti Islamik po përpiqet të rikthehet në një të kaluar edhe më të largët. Anëtarët e tij ndjekin një doktrinë të shekullit të nëntë për të justifikuar përpjekjet e tyre për rivendosjen e kalifatit, ku “ligjshmëria e të gjithë emirateve, grupeve, shteteve dhe organizatave bëhet nul”.
Edhe perëndimi ka rënë në kurthin e nostalgjisë, duke u kapur pas një koncepti të fundshekullit të 20 të rendit, ku ai i bën rregullat dhe më pas mund të zgjedhë nëse do i zbatojë apo jo. Shembulli më i fundit i kësaj perspektive anakronike është përpjekja (e dështuar) e Amerikës për të mos lejuar mbështetjen e Bankës Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë të udhëhequr nga Kina, pasi ka refuzuar në mënyrë të përsëritur që të ofrojë më shumë zë për fuqitë në rritje të botës në institucionet e Bretton ëoodsit.
Nostalgjia është shfaqur si një faktor madhor edhe në çështjet e brendshme të shumë vendeve. Në të gjithë Europën, partitë populiste – që nga UKIP e krahut të djathtë në Britaninë e Madhe deri tek Syriza e ekstremit të majtë në Greqi – kërkojnë një rikthim tek kohët më të thjeshta e më të lumtura të kontrollit kombëtar dhe kufijve të mbyllur.
Por nostalgjia nuk ofron zgjidhje – vetëm një ëndërr për t’u “arratisur”. Duke kthyer kokën pas, ne nuk i afrohemi më shumë asaj që duam; përkundrazi, është një mënyrë e sigurtë për të humbur sfidat – dhe shanset – që qëndrojnë para nesh. Përpjekja për të çuar përpara interesat, bazuar në rregullat e të kaluarës, është njësoj si të zgjidhësh fjalëkryqin e sotëm duke përdorur të dhënat e fjalëkryqit të numrit të djeshëm.
Le ta themi: bota e qetë tek e cila kaq shumë njerëz duan aq shumë të rikthehen – përpara BE dhe OKB, apo edhe shtetit-komb – nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Siç thoshte Marsel Prusti: “Kujtimi i gjërave të kaluara nuk është domosdoshmërisht kujtim i gjërave ashtu si ishin”. E kaluara po përmblidhet dhe po zbukurohet me qëllim që të paraqitet si më e mirë se sa tronditja dhe mjerimi i të sotmes.
Me kalimin e kohës, nostalgjia ka marrë një konotacion pozitiv. Por fjala – një kombinim i fjalës greke nostos (rikthim në shtëpi) dhe algos (dhimbje) – është përdorur në fillim për të përshkruar sëmundjen e “mallit të fortë për shtëpinë”. Ndoshta do ia vlente të riktheheshim tek definicioni i nostalgjisë, të paktën në këtë manifestim politik, si diçka më e ngjashme me sëmundjen: një gjendje që shtrembëron realitetin dhe pengon formulimin e zgjidhjeve të efektshme për sfidat e botës reale.
Asnjë pikëpamje për botën me rrënjë në shekullin 19 – aq më pak në shekullin 9 – nuk është e përshtatshme për kompleksitetet e botës së sotme të globalizuar. po kështu, ngjitja e fuqive të reja dhe aktorëve joshtetërorë do të thotë që bërja (dhe shkelja) e rregullave nuk mund të kufizohet tek një klub i ngushtë shtetesh perëndimorë. Dhe intensiteti i konkurrencës globale do të thotë që vendet europiane nuk mund të shpresojnë të lulëzojnë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.
Idetë joserioze lulëzojnë në mungesë të një alternative të zbatueshme. Për këtë arsye është e rëndësishme një periudhë reflektimi mbi rendin botëror. Por, në vend që të lejojmë të përfshihemi prej një vale regresive nostalgjie, ne duhet të angazhohemi mes nesh në një bashkëbisedim konstruktiv në lidhje me sfidat me të cilat ndeshemi dhe të propozojmë ide të reja për zgjidhjen e tyre.
"Project Syndicate, 2015"