Politika si mosdashëse e reformës në drejtësi

Nga Arian Starova/Përkundër dyshimeve të fortë të shprehur të shumicës së shqiptarëve mbi gjasat e bërjes së një reforme të vërtetë në drejtësi, përfshirë edhe dyshimet e mia, gjithnjë e kam menduar se do të më pëlqente të ishim të gjithë të gabuar. E thënë ndryshe, shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë qenë duke e pritur dhe ende po e presin me padurim dhe me pritshmëri të pazakontë miratimin e të shumëdiskutuarës dhe të shumëpërfolurës reformë në drejtësi. Ka njerëz të cilët kërkojnë të drejtat e tyre të ligjshme pronësore të shkelura ose të nëpërkëmbura, ndërkohë që prona e grabitur po legalizohet, ose jepet me koncesion me leje qeveritare. Të tjerë njerëz shikojnë përditë sesi ligji ndëshkon rreptë çdo shkelje të zakonshme ligjore në veprimtarinë e përditshme të qytetarëve, por ndalet me frikë përpara shkelësve të pazakonshëm siç janë zyrtarët e gjithfarë llojeve. Ka të tjerë njerëz ende të cilët shikojnë sesi, në emër të ligjit dhe të rregullit, zyrtarët që qeverisin u kundërvihen interesave të qytetarëve pa e “çarë fare kokën” se ç’premtime “të bukura” kanë bërë në fushatën zgjedhore të fundit. Në emër të ligjit janë shpikur arsye gjithfarësh për të vënë tatime, taksa, pagesa të shërbimeve, pa llogaritur aspak se Shqipëria dhe shqiptarët janë ende të varfër dhe me një ekonomi kryesisht joprodhuese. Shqiptarët sigurisht që duhet t’i paguajnë detyrimet e tyre ndaj shtetit, por arkën e një shteti të mbytur në borxhe nuk mund ta mbushin paratë e një populli të varfër dhe të fituara me aq mund. Dështimi qeveritar për të rritur ekonominë prodhuese të vendit nuk mund të shndërrohet në sukses të sforcuar në kurriz të qytetarëve. Kjo lloj “klime ligjore dhe ekonomike” nuk po afron sa duhet as investime të huaj në Shqipëri, kurse mundësitë për rritje të vërtetë ekonomike të Shqipërisë po pakësohen me shpejtësi. Arsyeve që pengojnë investimet e huaj në Shqipëri tani iu është shtuar edhe mungesa e një sistemi të besueshëm të drejtësisë, sepse të huajt nuk mund të vijnë për të humbur në Shqipëri. As përpjekjet e sforcuara të paramenduara “për ndikim psikologjik” në ardhjen e investitorëve të huaj duke zbukuruar qendrat e disa qyteteve apo ca rrugë që bien më shumë në sy nuk ndihmon për këtë, madje e ka përforcuar mendimin qytetar se të majtët e kanë synim vetëm te “ambalazhimi” i një malli të keq, por jo te shitja e një malli të mirë, pra te mashtrimi. Pjesë e kësaj strategjie të vjetër sa s’ka më janë edhe konferencat dhe të folurit e pafund publik i të gjithë zyrtarëve qeveritare, prej Kryeministrit deri te zyrtari më i fundit. Në tre vjet qeverisje, është folur dhe po flitet pafundësisht nga zyrtarët, aq sa nuk po i duron dot më asnjeri kur i sheh duke folur në ekranet televizivë. Këta qeveritarë nuk e kuptojnë se nuk mund të ketë “shpëlarje truri” në një vend të hapur dhe duket se po ia hapin vetë “gropën” vetes. Nuk po i llogaritim këtu dukuritë e tjera që kanë dalë jashtë kontrollit qeveritar si kultivimi dhe tregtia e drogës, korrupsioni, që janë bërë krejt të zakonshëm, me ndryshimin e vetëm se zyrtarët e tanishëm po vjedhin me shpejtësi marramendëse. Ata ndjejnë se nuk kanë kohë për të humbur, sepse ndjejnë se janë të përkohshëm. Dhe kuptohet, në këtë lloj politike dhe të këtyre punëve “qeveritare”, atyre nuk u hyn fare në punë reforma në drejtësi.

Ndërkohë që njerëzit “poshtë” përjetojnë me dhimbje dhe pakënaqësi në rritje këtë gjendje që sapo e përshkruam, ata “lart” po vazhdojnë përtalljen e atyre “poshtë”, këtë radhë nëpërmjet “dekriminalizimit” dhe “reformës në drejtësi”.

Thelbi i asaj çka dëgjuam publikisht, fare së fundi, mbi ecurinë e së ashtuquajturës reformë në drejtësi ishte se përfaqësuesit e të dy palëve politike shprehën qëndrime krejt të kundërt, aq larg njeri tjetrit sa ndoshta duhet “qarë” jo për “pranverën” që na iku tutje pa reformën e shumëpritur, por për pranvera të tjera në ikje. Askush nuk është më i aftë të kuptojë se çfarë bëhet me këtë reformë. Dhe, megjithatë, gjërat janë edhe krejt të qarta për këdo. Fatkeqësisht, asnjëra prej palëve të sotme të politikës që flasin për reformimin e drejtësisë nuk mund ta luajë rolin e reformatorit, sepse vetë ato janë pjesë e problemit. Madje, vetë njerëzit e drejtësisë janë ata të cilët e pengojnë më pak këtë reformë sesa politikanët. Kjo reformë është e bllokuar dhe arsyet janë veçse politike. Pra, nëse e duam një reformë të tillë të drejtësisë, duhet të mendojmë për zhbllokimin ose reformimin e vetë politikës.

Edhe sikur të miratohej ai ligj i kësaj reforme kaq të nevojshme dhe të dëshiruar prej shqiptarëve, zbatimi i tij do të mbetej vetëm në ëndrrat e atyre që e duam me të vërtetë përparimin e Shqipërisë. Reforma politike e Shqipërisë mund të bëhet vetëm nga aktorë politikë të rinj të cilët nuk kanë frikë prej saj. Këtë reformë mund ta bëjnë vetëm aktorë të tillë politikë, të cilët e duan me të vërtetë reformën në drejtësi.

Aq i madh është tmerri nga një reformë e vërtetë në drejtësi dhe nga spastrimi i politikës prej të përzierëve me krimin dhe korrupsionin sa përtallja e disa aktorëve kryesorë të politikës po priret të kalojë përtej qytetarëve shqiptarë, përtej kufijve të vendit, duke përbaltur edhe interesa madhorë të Shqipërisë me aleatët e saj të strategjikë. A e kuptoni o të nderuar qytetarë shqiptarë se jemi në rrethana krejtësisht të dukshme kur interesat e një grushti të njerëzve “lart” kanë rënë në kundërshti të hapur me interesat e njerëzve “poshtë”?! Fatkeqësia më e madhe e kësaj gjendjeje është se ky grusht i njerëzve përtallës “lart” i ka të gjitha ngjyrat, mavi, blu, kuq. Dhe sa më shumë afrohet koha për të miratuar reformën ligjore-gijotinë për politikën e kriminalizuar ose të korruptuar aq më shumë përballja politike në Kuvend dhe kudo po merr pamjen e një grindjeje të fëmijëve, krejt pa argumente dhe arsye. Çdo ditë që kalon na përball me ndodhitë politike qesharake të ditës tjetër dhe, si për habi, arsyetimet pa tru po përzihen me përbetimet hipokrite mbi “dashurinë e madhe” të aktorëve politikë për reformën në drejtësi. Si mundet të jemi vetëm shikues të shqetësuar të kësaj përtalljeje?! Ne e kemi mbështetur besimin tonë të madh te ajo superfuqi demokratike që quhet ShBA, por siç po e shikoni kjo nuk mjafton. ShBA-të kanë dhënë mbështetje të paparë për një reformë në drejtësi në Shqipëri, e cila do të spastrojë “mishin e huaj” prej politikës shqiptare, por pa vetë shqiptarët duket se kjo reformë mbetet nën dyshim. A nuk janë të panumërueshëm njerëzit që duke e ditur mirë nevojën për reformë në drejtësi thonë se: “Si mundet që politika të bëjë një reformë në drejtësi të tillë që të ndëshkojë vetveten”?! A nuk shërben si provë e parë për këtë fakti i freskët i pakundërshtueshëm i moszbatimit të ligjit të dekriminalizimit?!

Në këto rrethana të jashtëzakonshme për Shqipërinë, pyetja fare e natyrshme është: Ç’duhet bërë? Të presim për zgjedhjet e reja?! A mund të kemi besim se do të kemi një proces zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm me të njëjtat mekanizma të gjoja përkujdesjes ligjore për të dhe me të njëjtët aktorë politikë që i venë në veprim këta mekanizma?! A duhet të presim që zgjedhjet të na riprodhojnë edhe një herë politikë të pandershme dhe padrejtësi zgjedhore?!

Këto janë arsyet që më bëjnë të mendoj dhe të përsëris pa fund se pa një reformë në politikë nuk mund të ketë reformë në drejtësi. E thënë ndryshe, pa vendosur drejtësi dhe ndershmëri në politikë nuk mund të kemi një sistem drejtësie që të bëjë drejtësi. Ky është një rreth vicioz dhe atë mund ta çajë vetëm vullneti popullor… dhëntë Zoti duke u shkuar pas aktorëve të rinj politikë dhe nëpërmjet zgjedhjeve, … por zgjedhjet e radhës duken shumë larg për një mision aq madhor për Shqipërinë.

SHKARKO APP