Politika vonoi bursën e energjisë – Sekretariati: Ndani OSHEE-në, me gazin keni përparuar

Situata politike përgjatë vitit 2017 vonoi ngritjen e bursës së energjisë,  që është një prej projekteve kryesore të parashikuara në modelin energjetik shqiptar.

Konstatimi vjen nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, i cili ka publikuar raportin e fundit mbi ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në sektorët e energjisë, gazit, eficencës dhe hidrokarbureve.

Në një raport të mëparshëm Sekretariati u shpreh me rezerva mbi mundësinë e ngritjes së bursës, por tashmë kujton se modeli i Tregut e autorizon ministrin të vendosë afatin e ri para përfundimit të vitit 2017. Gjithashtu, raporti vëren se  procedura e certifikimit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit është e përfunduar, por ende kërkohet një mekanizëm pajtueshmërie.

Ndërkohë që, vonesë konstatohet edhe në drejtim të ndarjes së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike si dhe de rregullimit të çmimeve për gjenerimin dhe furnizimin me energji. Ndërkaq, në drejtim të sektorit të gazit, raporti flet me nota më pozitive, duke theksuar se Shqipëria ka arritur përparim në lidhje me prioritetet e përcaktuara në Raportin e mëparshëm.

“Në veçanti, Shqipëria ka përparuar në mënyrë të konsiderueshme nga ndarja e Albpetrol dhe krijimi i  Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Albgaz.”

SHKARKO APP