Politikanë, larg duart nga reforma

Nga Andrea Stefani-

Është plotësisht e drejtë që pasi ekspertët ndërkombëtarë shkruajnë projekt-reformën të jetë Parlamenti që ta votojë atë. Sepse presupozohet që deputetët përfaqësojnë vullnetin e sovranit. Në këtë kuptim kërkesa që të arrihet një konsensus politik për reformën është e justifikuar. Por, ndërkaq, ajo bëhet dogmatike, e ekzagjeruar pra e dëmshme dhe aspak në favor të një reforme të shëndetshme kur nuk merr parasysh realitetin shqiptar dhe, në radhë të parë, realitetin konfliktual të politikës shqiptare.

Dhe cili është realiteti i politikës shqiptare? Ajo është e sunduar sot nga një elitë politike që, për shkak të kapjes po prej saj të gjyqësorit, ka nja 25 vjet që gëzon statusin e pandëshkueshmërisë. Një status që e ka nxitur të korruptohet thellë e më thellë, deri në palcën e vet. Kuptohet që e tradhtuar nga drejtësia, demokracia nuk ka patur alternativë tjetër veçse të votojë e stërvotojë, për 25 vjet, këtë klasë politike, këtë lidership, këta politikanë. Por edhe logjika më e thjeshtë ta thotë se pjesa dërrmuese e kësaj klase politike dhe e këtyre lidershipeve të pasuruara kafshërisht me korrupsion e grabitje, nuk mund të jetë e interesuar për realizmin e një reforme në drejtësi. Dhe ky kontingjent antireformë i politikës gjendet i shtrirë, ku më shumë e ku më pak, në të gjithë krahët e spektrit politik. Madje ata janë në një aleancë të heshtur me njeri-tjetrin. Prandaj edhe kur kundërshtohen për anë teknike të reformës në drejtësi, në fund fare, bashkohen në kërkesën për të arritur, me çdo kusht, konsensusin në nivelin politik.

Por çdo të thotë “me çdo kusht”? Do të thotë që të bien dakord ta qethin reformën në mënyrë që në fund të saj, të lindë një drejtësi e pranueshme për ta. Dhe një drejtësi e pranueshme për të korruptuarit dhe krimininalizuarit e politikës së sotme, do të thotë një drejtësi që nuk e ndëshkon krimin dhe korrupsionin që rëndon në bilancet e tyre jo vetëm ekonomiko-financiare. Pra, një drejtësi që nuk është drejtësi!

Një “konsensus” i tillë në kurriz të reformës vetëm emrin do ta kish të tillë se, në fakt, do të qe pazari i radhës i kësaj klase politike që ka 25 vjet që tallet me shqiptarët dhe pasurohet ndërsa ata varfërohen. E megjithatë me të drejtë shtrohet pyetja, si i bëhet, si mund të anashkalohen politikanët në një republikë parlamentare?

Duhet të hiqet dorë nga koncepti elitist se politikën e bëjnë vetëm politikanët. Në demokraci tendenca është që politikanët të jenë më shumë qytetarë dhe qytetarët më shumë politikanë. Pra politika synohet të jetë më demokratike, më gjithëpërfshirëse. Në demokraci është edhe shoqëria civile dhe një masë përherë më e gjerë njerëzish, ai që rëndom e quajmë “popull” apo “sovran”, që gjenerojnë politikë. Madje, në momente të caktuara, janë pikërisht këta që i imponohen përfaqësuesve të tyre në Parlament me anë të referendumeve.

Dhe ky është pikërisht një nga ato momente historike. Për shkak të korrupsionit që bart, klasa politike e sotme, lidershipi i saj veçanërisht, është në konflikt interesi me reformën në drejtësi. Prandaj, si të gjithë ata që kanë konflikt interesi, duhet të hiqen mënjanë. Motoja duhet të jetë: Politikanë, larg duart nga reforma në drejtësi! Sepse janë vetëm me fjalë për reformën, sa për të budallallepsur ndërkombëtarët se gjoja janë të gjithë bashkë, “në unitet për drejtësinë” por me zemër e gjakime, janë kundër saj. Prandaj edhe konfliktohen duke ja hedhur fajin njeri-tjetrit por në të vërtetë, i gëzohen në fshehtësi mosmarrëveshjes që vetë kanë pjellë. Ndaj edhe kur bëjnë thirrje për konsensus, mesazhi i vërtetë është për pazar. Është një klasë që, sikundër kemi parathënë dhe po provohet, mund të prodhojë ose pazar pse mosmarrëveshje për reformën në drejtësi. Deri më sot ka dalë në plan të parë mosmarrëveshja. Tani po bëhen përpjekje për pazarin që do ta bastardonte reformën. Prandaj thërrasin: Konsensus! Prandaj ftesa e djeshme e Ilir Metës për konsensus nuk është fare në favor të një reformë të shëndetshme.

Prandaj duhet të detyrohet kjo klasë politike të “abdikojë” duke ja hequr monopolin e vulës përfundimtare mbi fatet e vendit pra, edhe për reformën në drejtësi. Politikanë të korruptuar e kriminalizuar (e kanë akuzuar vetë njeri-tjetrin si të tillë) nuk mund të kenë veton edhe mbi një reformë të hartuar, në fakt, nga ndërkombëtarët. Dhe kur shmanget Parlamenti, vendimin mund ta marrë vetë sovrani. Çështjen duhet ta marrin në dorë vetë shqiptarët duke u shprehur me referendum nëse janë dakord për reformën e hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë dhe të aprovuar nga Komisioni i Venecias apo jo? Është koha që sovrani të flasë vetë për një reformë kaq historike dhe të mos i lërë fatet e tij në duart e një grushti zuzarësh të korruptuar të politikës.

Dhe referendumi do ishte shumë më gjithëpërfshirës sesa një grusht deputetësh. Referendumi do ishte një konsensus real, krejt ndryshe nga pazari i liderëve politikë të cilët, nuk është e vërtetë se kanë bërë gjëra të mëdha me “konsensuset” e tyre. E vërteta është se nuk kanë arritur dot asnjëherë konsensuse. Ato vetëm emrin kanë patur të tilla. Ashtu qe edhe “konsensusi” i turpshëm për ndryshimin e Kushtetutës në prill të vitit 2008. Shqiptarë, ruajuni nga konsensuset e politikanëve të korruptuar!

Dhe janë pikërisht politikanët që nxjerrin si pengesë “të pakapërcyeshme” faktin që sipas dokumentit themeltar të shtetit, ndryshimet e Kushtetutës kalojnë në referendum vetëm pas aprovimit nga 2/3-tat e deputetëve. Kjo është e vërtetë. Por është po aq e vërtetë se një prag i tillë për referendumet kushtetuese, është në vetvete një absurd. Një grusht përfaqësuesish të sovranit dalin mbi sovranin dhe i bëhen barrierë vullnetit të tij! Prandaj nëse referendumin për reformën nuk e lejon Kushtetuta duhet ndryshuar edhe ajo. E për sa kohë po amendohen nja 40 nene të Kushtetutës, le të ndryshohet edhe ai nen i saj që e pengon sovranin që të kapërcejë mungesën e vullnetit të një grushti deputetësh të korruptuar që po punojnë nën rrogoz kundër reformës në drejtësi. Por nuk ka nevojë të shkohet deri atje nëse vetë deputetët “abdikojnë” në favor të sovranit duke ja lënë atij të vendosë për atë që ata nuk po merren dot vesh, reformën në drejtësi.

Por edhe kësaj logjike i kundërvihen “specialistët” e manipulimit publik. Është e rrezikshme thonë, t’ja lësh Sovranit të drejtën e ndryshimit të Kushtetutës sepse ndoshta “nesër”, mund të dalën një lider fashist që duke patur mbështetjen e “popullit”, mund të ndryshojë Kushtetutën në favor të një diktature a tiranie. Ky elitizëm vulgar pretendon se demokracia do të jetë më pak e rrezikuar nga një plutokraci që krijohet fare lehtë (sikundër edhe është krijuar në këto 25 vjet) dhe më shumë e rrezikuar nga një fashist apo komunist që do ja bënte mendjen dhallë tërë shqiptarëve, gjë që duket shumë më e vështirë! Dhe e gjejnë zgjidhjen tek heqja e të drejtës së Sovranit për të vendosur vetë për fatet e tij me referendum. Kjo nuk është aspak tjetër por zbatimi i teorisë platoniane të gardianëve të “së mirës publike” që sipas Poperit, është një nga tre burimet e totalitarizmit.

Shekuj më parë kur në SHBA gatuhej Kushtetuta “Publius” shkruante, në një nga artikujt e tij, se zjarri bën shumë dëme por, do të qe budallallëk që për të përjashtuar mundësinë e zjarrit, të eliminosh ajrin që ushqen atë. Ai shtonte se liria është për përçarjen si ajri për zjarrin, një ushqyes pa të cilin shuhet menjëherë. Por nuk mund të mos jetë budallallëk më i vogël, t’i japësh fund lirisë, që është thelbësore për jetën politike për shkak se ushqen përçarjen, se sa që të zhdukësh ajrin që të mos ketë më zjarr. Këtë budallallëk bëjnë edhe politikanët tanë. I heqin demokracisë referendumin sepse ai na qenka i rrezikshëm. Por a nuk do të thotë kjo t’i heqësh demokracisë… popullin?!

DITA

SHKARKO APP