Politikanë zengjinë, hiqeni lëkurën e luanit !…

Nga Kristo Mërtiri/“ S’janë shkaqe, po sebepe/ Turpin e pacin për vete …”. Të dielëm mbrëma, befas kjo këngë e mirënjohur zagorite po dallgëzonte në valët e celularit tim në mes të Tiranës. Miqtë e vjetër ia kishin marrë shtruar e me oi-oi, atje, midis Grykës së Këlcyrë-Mezhgoranit. Pas punëve e halleve, ndoshta po kthenin edhe ndonjë kupë rakie nga ajo e zier dy herë te Kroi i Madh. Se kujtesa dhe gjuha u shkon natyrshëm ku u dhemb njerëzve të thjeshtë. Veç këta dinë si të qesëndisin, të fshikullojnë e zbrazin me lezet vramendjet e marazet përballë politikës së ndryshkur shqiptare. 25 vjet larg çdo mikrofoni e kamere, larg çdo podiumi të lartë partiak e qeveritar. Në varfërinë e mençurinë e tyre, dinjitozë gjer në dhimbje. Herë-herë shpresëvrarë, por edhe optimistë të pandreqshëm përmes jetës plot derte e zhgënjime të pamerituara…

–      Aman, na dëgjo pak, o miku ynë i veçantë. Se ti je më afër gurrës së turbullt politike, je në kryeqytet. Sonte ta nisëm mendimin tonë edhe me këngë. Se nuk qanim dot. Politikanët hajdutë po luajnë përditë cingëlthi me fukarenjtë, me vegjëlinë !…Po shkruhet shumë për “sulltanin” Erdogan në Turqi dhe mirë bëjnë. Por te ne janë bërë sa hap e mbyll sytë mjaft “sulltanë” ekonomikë nga sarajet e politikës dhe të mercenarëve të saj. Dhe na shesin dëngla e moral nga trojet e rrëmbyera a të “dhuruara”, nga vilat luksoze në Tiranë, në Farkë e në Dajt, në Gjirin e Lalëzit, Velipojë, në Bregun e Detit, në Veri e në Jug. Paskan tharë zorrët dhe shpirtin me soj e sorollop, e i ngritën e selitën me…rrogat e shtetit në tranzicion ! Dhe tani gjoja hahen “qënce” përditë për Reformën në Drejtësi, ndërsa natën përrallisen e u gëzohen llogarive të majme bankare brenda e jashtë mëmëdheut të telikosur e brinjëdalë. Askush nuk dha e nuk po jep xhevap, e as hesap. U rënkon shpirti për shtetin e së Drejtës ?! Djathtas e majtas… “Fusha është e lirë dhe dhëntë Zoti që lepuri në barkun e tyre të bëhet luan dhe ata të vijnë të votojnë reformën në drejtësi. Unë vetë nuk e besoj që SHBA dhe BE janë gati ti thonë lepurit luan dhe të pranojnë deformimin e skeletit të reformës”.

-Nuk folëm ne kështu, foli Kryeministri i vendit. I dha karar me ca shkreptima xixëlluese që nuk ndezën dot as eshkën tonë në kutinë e duhanit famoz mes Golikut e Trebeshinës. Disa thanë se e vuri kufirin në degët e thanës, mbase jo si e ëma e Zeqos. Të tjerë e pagëzuan pa mëdyshje si trimëri të vonuar, kur krreu jataganin nga milli e lëshoi kushtrimin fundor për të dalë përtej procesit absurd të negocimit me PD-në. Përse vallë ? Sipas atij, ti jepet mundësia kësaj partie të gënjejë shqiptarët se është maxhoranca që e pengon kompromisin (?!). Shkurt meseleja, veshi lëkurën e luanit qerratai. Mirëpo shikon fiku-fikun e piqet. Pas tij, trashi e ngriti zërin kryetari i opozitës. Edhe ky i hodhi trupit të njëjtën lëkurë. Të dy me argumente dalëboje. Por ambasadori amerikan sikur ua preu hyxhymin teatror. I drejtpërdrejtë e pa ekuivokë. Madje e refuzoi menjëherë atë mjegullnajë kryeministrore. Dhe jo më kot e nisi me fjalët shqip: “Të dashur shqiptarë !”. Pra, durimi ndaj liderë-kalanderëve, mori fund. Dhe bëri propozimin që do mbahet mend gjatë: Të ngujohen në një kullë me oxhak deri sa të rilindë e të dalë “tymi i bardhë” i Konsensusit! Veçse ato 4 pyetjet therëse të tij nuk mund të harrohen kollaj: “Po kush ka më shumë frikë nga kjo reformë ? Krerët e krimit të organizuar ? Gjyqtarët e korruptuar ? Apo politikanët kriminelë ?…”.

Më thoni, a doni më shqip se kaq! “Sot përgjigjja është e qartë. Të gjithë ata kanë frikë dhe të gjithë po e luftojnë”. Mirëpo ajo loja “cingëlthi” po vazhdon. Hidh e prit. Prit e hidh. Maxhorancë e opozitë. Mujsharët po shtohen. Patriotët e “kulluar” të sovranitetit, nuk mund t’u hedhin hi syve të njerëzve të thjeshtë e të ndershëm, të cilët dinë shumë për atë strehën e fundit të horrave. Lëkura u është regjur e bërë shollë. Sepse 25 vjet nuk janë pak. Historia mban brenda shënime të paretushuara, por edhe zezona turpmbuluara. Prandaj shumica e shqiptarëve e duan sinqerisht bashkautorësinë amerikano-europiane. Dhe nuk e duan vetëm në draftim, por sidomos në zbatim. E theksojnë, në praktikë ! Kjo është e vërteta përvëluese që i tmerron të korruptuarit dhe hipokritët me damkë. Të tjerat janë dokrra e pemë pa kokrra. Ne jemi dhe do mbetemi përjetë borxhlinj ndaj SHBA-së. “Ta them copë, nuk e kemi ne lepurin (?!)”, cicëroi menjëherë në internet kryetari i maxhorancës. Po cili i ha vallë këto aguridhe politike e foshnjore të Ramës ? Ndoshta vetëm rilindësit e sotëm të “Mjaft”-it të djeshëm dhe ata të “G 99”, që dikur mbushnin bulevardin e madh të Tiranës si “të pavarur” e OJF civile për të sikterisur të majtën nga pushteti. Çudirat s’mbaruan: Erdhi dita që po këta karçinë vjeshte në politikë, pushtuan pa cak e pa bam majat e PS-së dhe të pushtetit që dha vota popullore (?!). Ndërsa socialistët e vërtetë janë ende të fyer e me gisht në gojë. Dhe tani shurdhohen e hutohen nga presionet, intrigat, kërcënimet, kulisat, ftesat e mbulesat politike që synojnë paprekshmërinë kolltukofage dhe privilegjet lumë në kurriz të shtresave në nevojë. Fjala vjen, qëndrimi jo pak inatcor i Metës në vigjilje të 21 korrikut, besoj u ka ngecur në fyt edhe ngjalat rilindëse në Durrës!…

Dhe nuk ra ndonjë hata e papritur. Sepse mjaft gjëra në jetën politike, zakonisht siç nisen po ashtu edhe bitisen. E ka thënë bukur i mençuri : Disa ilaçe janë më të këqija sesa sëmundja vetë. Në fund të fundit, edhe kur një herë në hënë nxjerrin ndonjë të vërtetë, mashtruesve nuk ua beson kush. Ky tranzicioni ynë plagëshumë, i ka peshuar në disa prova ndershmërie e drejtësie përballë opinionit publik të lodhur e durimshteruar. Për shembull, “Vetingut” të stërlakuar, njerëzit e thjeshtë i thërrasin “Sitë”. Dhe jo rastësisht e duan në duart e ndërkombëtarëve. Janë bindur me kohë se vetëm këta mund të veçojnë saktë miellin nga krundet, në drejtësi e në politikë. Sepse këto “parti oligarkësh” po i marrin frymën vendit. Dhe nuk janë lepuj të zakonshëm nëpër pyllin e pluralizmit apo në tregun e lirë të hipokrizisë. Mjaft prej politikanëve zengjinë po veshin lëkurën e luanit ! Dhe harrojnë që vetëtrajtohen menjëherë e bëhen kallpazanë qesharakë. (Miqtë e mi të vjetër në Jug, ngulën këmbë fort te një premtim: Ne, jemi gati të nisemi për Tiranë me automobilë apo me kuaj, drejt një mitingu masiv në sheshin “Skënderbej”. Ama, me një kusht të panegociueshëm. Të lejohet vetëm një parullë me gojë në tribunë apo me shkrim në banderola: KJO KLASË POLITIKE DUHET SHPORRUR !…Nuk po bëjmë hajgarë). S’doja t’i cingërisja më tej. U thashë të mos e marrin kaq seriozisht atë lëkurën e luanit. Por ata e mbyllën bisedën me një fabul të shkurtër ezopiane:

-“Pasi veshi një lëkurë luani, gomari u end lart e poshtë nëpër pyll duke u argëtuar teksa frikësonte kafshët mendjelehta që ndeshte rrugës. Kur hasi dhelprën, u përpoq ta frikësonte edhe atë. Mirëpo, dinakja, sapo dëgjoi zërin e gomarit, i tha: -Do të më kishe trembur edhe mua, sikur pëllitja të mos të të kishte tradhtuar”…

SHKARKO APP