Porti i Durrësit, në 8 muaj numri i udhëtarëve u rrit 12%

Në portin më të madh të vendit, gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti u përpunuan 625,348 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj. Kjo shifër është 12% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Destinacionet kryesore kanë qenë portet e Barit, Ankonës dhe Triestes (Itali).

Sipas statistikave të Autoritetit Portual Durrës, tragetet kryen gjatë 8 muajve 717 lundrime gjithsej ose 30 lundrime më shumë se gjatë periudhës janar-gusht 2015.

Po ashtu mjetet e lundrimit të udhëtarëve kanë transportuar afro 500 mijë ton mallra, rreth 1% më shume se në 8 muajt e vitit të kaluar.

Burime nga Sektori i Statistikave në APD, bëjnë me dije se numri i udhëtarëve shqiptarë krahasuar me vitin e kaluar është rritur me 10%.

Gjatë këtij viti me tragetet e linjave kanë udhëtuar 386,102 shqiptarë, ndërsa numri i udhëtarëve të huaj ka arritur në 150.096, ose 21% më shumë se në 8 muajt e parë të vitit 2015.

Edhe numri i autovetuurave që u transportuan nga tragetet në 8 muaj është rritur me 17% , duke arritur në 129,920. Numri i kamionëve të përpunuar u rrit me 5%, duke arritur në rreth 40,000 gjithsej.

SHKARKO APP