Portreti i vitit, që po lëmë pas, në 16 foto

1. Janar

Ushtria e Erdogan-it, kundër PKK-së

Gjendemi në Turqinë Jug-Lindore, në kufij me Irakun. Viti 2016 hapet me ofensivën e ushtrisë së Erdogan-it kundër PKK-së dhe enklavave kurde të vendit. Është rrethi i Silopi-t, një nga qendrat e vogla që u goditën nga artileria dhe pastaj u detyruan të qëndronin në ambientet e brendshme të shtëpisë. Por, kjo foto shpreh një forcë dhe dinjitet të pabesueshëm, duket thuajse sikur kërkohet të mbyllet identiteti dhe kurajua e një populli, që po i reziston gozhdimeve të tre diktaturave, dhe që ka arritur të krijojë një ishull pavarësie, që kërkon ta mbrojë me çdo kusht. Një foto që komentohet nga Michele Rech në rreshtat e mëposhtëm. “Shikojmë një nënë, me tre fëmijët e saj në një shtëpi të boshatisur për shkak të luftës. Detajet tregojnë se bëhet fjalë për një familje që nuk ka qenë e varfër, dekorimet e tavanit në të cilat kanë qenë të vendosur llambadarët tregojnë diçka të tillë. Nuk ka mobilie, vetëm një stol, një jastëk dhe rrënojat në dysheme. Ku do të flenë gjatë netëve të ftohtë të janarit? Si do të ngrohen? Çfarë do të hanë? Kanë humbur çdo gjë. E megjithatë gruaja qëndron në këmbë, pa lëvizur, pa ulërima, pa lot. Shikon me krenari përtej të çarës gjigande. që është hapur në murin e shtëpisë së saj. Përtej shtypjes së Erdogan-it, përtej vuajtjeve të luftës, atje ku gjenden njerëzit e saj që luftojnë me guxim që të vazhdojnë të shpresojnë në një të ardhme”.

2. Shkurt

E ardhmja e Clinton-ëve

– Mungojnë ende shumë muaj para se të arrihet ai votim që do të tronditë botën dhe Amerikën. Trump nuk është bërë ende kandidat i Shtëpisë së Bardhë dhe Hilary po lufton ende me Sanders në zgjedhjet demokratike. Asnjë paralajmërim për tërmetin që do të vijë më vonë. Edhe pse kjo foto mund të jetë një shenjë, duket sikur përshkruan të ardhmen e Clinton-ëve. Fati është shkruar tashmë! Dy pensionistë luksi, por pensionistë, janë ulur në një tavolinë fast food-i, si një çift normal. Fotografi i ka kapur ata në normalitetin e tyre, në vetminë e tyre, ndërsa janë duke ngrënë në një nga manifestimet e shumta të zgjedhjeve paraprake. Është një foto që reflekton një perëndim, një foto ku është shkruar fjala fund. Është e çuditshme, përfundonte në këtë mënyrë edhe një nga serialët më të dashur amerikan, “Sopranot”. Në skenën e fundit Tony me gruan dhe fëmijët ishin të ulur në një tavolinë fast food-i. Hillary e kishte imituar atë skenë gjatë një spoti, kur humbi zgjedhjet me Obamën. Këtu e ka interpretuar përsëri, por këtë herë në mënyrë të pavetëdijshme.

3. Mars

Sirianët në kërkim të Europës Qendrore

– Vijnë nga fshati i Idomeni-së për në Greqi, po përpiqen të kalojnë kufirin maqedonas për të mbërritur në Evropën Qendrore. Pjesa më e madhe janë sirianë. Një grua ka hapur sytë e shokuar dhe tjetra është duke qarë. Nuk kanë asgjë me vete, përveçse veshjeve të tyre. Është një foto biblike. Ai lumë i vogël i turbulluar nga balta duket si Deti i Kuq. Ta kapërcesh do të thotë të ia mbathësh nga një gjendje skllavërie, horrori. Do të thotë të shpëtosh nga lufta. Por, për refugjatët nuk ka asnjë Moisi që mund të ndajë ujërat.

4. Mars

Muri i padukshëm që SHBA-të kanë ndërtuar rreth e përqark Kubës

– “Air Force One” me në bord Brack Obama-n po fluturon në periferi të Havanës përpara se të ndalet në Kubë. Aeroplani modern dhe i fuqishëm presidencial duket se është kaq pranë makinave të shekullit të njëzetë, që kubanezët arrijnë ende t’i bëjnë të funksionojnë, saqë për pak mund t’i prekë: dy botë kaq të ndryshme, e deri më tani të ndara, më në fund po kryqëzohen dhe janë gati për t’u takuar. Njerëzit ndalojnë në rrugë, por janë të pavetëdijshëm, që kjo vizitë do të ndryshojë historinë e ishullit. Në murin e padukshëm që SHBA-të kanë ndërtuar rreth e përqark Kubës, duke i imponuar një embargo të ashpër, dhe ku po fillojnë të duken të çarat e para. Është mars, Fidel Castro është ende gjallë, dhe është ende e paimagjinueshme që Donad Trump “do të pushtojë” Shtëpinë e Bardhë, do të shohim se çfarë do të bëjë me atë mur presidenti i ri i SHBA-së. 5. Prill

Prince, si një ikonë e shenjtë

– Prince shfaqet thuajse si një Krisht në Mantegna, thuajse si të ishte një ikonë e shenjtë, në foton që kjo vajzë e trishtuar ka marrë me vete për ta kujtuar në Los Angeles. Fotoja ka një litar të vogël. Ndoshta, vajza e ka pasur të varur në murin e dhomës, portretin e idhullit të saj ose në vendin e punës. Lotët e saj tregojnë se sa i thellë dhe i rëndësishëm është raporti që kemi me atë që shkruan kolonat zanore të jetës sonë. Fjalët e tyre, muzika e tyre janë korniza në të cilën ne ndërtojmë ndjenja, emocione dhe ëndrra. Dhe kur autorët e tyre ndahen nga jeta, na duket se një pjesë e jona, një pjesë e jetës sonë vdes bashkë me ta.

6. Maj

Sporti, si mision kombëtar

“Lotët nuk mjaftojnë për të të ndalur, duhet të vazhdosh ushtrimet e tua”. Është pikërisht ky mesazhi, që duket se i përcjell dora e trajnerit të padukshëm kësaj vajze të vogël në Shanghai. Gjesti i trajnerit nuk është një përkëdhelje, as një ngushëllim. Dora duket e tensionuar dhe e ngurtë, fshin lotët nga fytyra e vogëlushes, si të shprehte një urdhër, një moral imponues. Vogëlushja. Çfarë moshe mund të ketë? Gjashtë apo shtatë vjeçe? E shikon e frikësuar dhe e dorëzuar. Shoqja e saj, më e madhe, duket e stepur dhe e dekurajuar. Të dyja e dinë se nuk kanë zgjedhje tjetër. Duhet të vazhdojnë të praktikojnë kuadrin suedez. Është kjo metoda kineze. Të ushtrosh në mënyrë rigoroze, si profesionistë, qysh në moshë të hershme të gjitha disiplinat, si gjimnastika. Në mënyrë që trupi i atletëve të vegjël të formohet, sipas nevojave të sportit që praktikojnë. Sepse, sporti nuk është një pasion individual por, një mision kombëtar, që matet me medalje.

7. Qershor

Kampioni paraolimpik pa proteza para gjykatës

Pistorius heq protezat në aulën e gjykatës së Pretoria-s, ku po gjykohet për vdekjen e së fejuarës. Një gjest ekstrem, të cilin e kishte vendosur së bashku me ekipin e mbrojtjes. Avokatët ngulmojnë se e bënë një akt të tillë për të rindërtuar ngjarjen e natës së vrasjes. Kampioni paraolimpik ishte në shtëpi dhe pa proteza. Por, është mëse e dukshme tentativa për të emocionuar jurinë nëpërmjet të pandehurit, që eci në lot para saj. Edhe pse atleti nuk ishte shfaqur kurrë më parë në publik në këtë mënyrë, kjo tentativë ishte e kotë, sepse nuk ia shmangu atij dënimin.

8. Qershor

Mjaftoi vetëm një javë për të harruar Jo Cox

Një këpucë elegante, e zezë, me takë. Një agjent i policisë e merr në vendin ku Jo Cox sapo është vrarë nga një fanatik neonazistë. Parlamentarja laburiste angleze ishte duke bërë fushatën e saj elektorale kundër Brexit-it. Kjo vrasje preku thellë opinionin publik, dhe gazetat e të gjithë botës publikuan historinë e një gruaje të fortë, kurajoze dhe në karrierë. Mungonin vetëm 7 ditë nga zgjedhjet dhe të gjithë menduan dhe thanë se kjo vrasje do t’i kishte dhënë votat “Remain-it”, duke e çuar drejt fitores. Sondazhet konfirmuan. Por, nuk ndodhi kështu. Ndoshta, Farage do të ishte mundur po të ishte votuar një apo dy ditë më vonë. Por, jetojmë në një botë me kujtesë afatshkurtër, dhe valët e mëdha emocionale fashiten në mëngjesin e ardhshëm. Mjaftoi vetëm një javë për të harruar Jo Cox.

9. Korrik

Baton Rouge, një nga imazhet simbol të protestave në SHBA

Një botë e tërë flet në këtë foto. Nga një anë një vajzë afro-amerikane, elegante veshur me balerina dhe me flokët e drejtë, që reflekton një pamje të qetë dhe të fortë përballë policisë. Nga ana tjetër agjentët që duken, të bëjnë hapa pas, sikur të ishin trembur nga kjo qetësi e padepërtueshme, një qetësi që di ta shpreh vetëm ai që e di se ka të drejtë. Arsyeja kundër forcës dhe motivi për të cilin vajza Baton Rouge është bërë një nga imazhet simbol të protestave në SHBA për dhunën e policisë kundrejt afro-amerikanëve.

10. Korrik

Flamuri trengjyrësh

Një flamur trengjyrësh, një shishe me shampanjë dhe deti, një qytet pushimesh që sapo ka pësuar një tragjedi. Kjo foto përmbledh horronin që ka ndodhur në Francë gjatë një natë që duhet të kishte festë. Dhe një ditë më vonë në “Promenade des Albanais”, një burrë që ka dalë me biçikletë, por që nuk i bëjnë këmbët të vazhdojë të ecë. Ndalon në një stol, ndoshta qan, i mbytur nga dhimbja.

11. Korrik

Reagimi i ashpër i rojeve të Erdogan-it

– Është një foto shumë mbresëlënëse, që përmbys të gjitha fotot ushtarake që mund të jenë parë. Zakonisht puçistët janë ushtarakë të dhunshëm që rrahin apo masakrojnë civilë. Këtu ndodh krejtësisht e kundërta! Shikoni burrat në pjesën e poshtme që janë të armatosur me rripa gome dhe që godasin ushtarët e shkretë në uniformë, të cilët nuk tentojnë as të reagojnë. Janë të rinj, të pafuqishëm dhe të frikësuar. Kjo është një nga shkrepjet e pakta që tregon se çfarë i pret ushtarët, që guxojnë të sfidojnë Erdogan-in; dhuna, arrestimet, për disa edhe vdekja. Grushte shteti për demokraci!

Murgesha shqiptare, simboli i tërmetit që tronditi Italinë

12. Gusht

Murgesha dhe mesazhi i saj

Kjo foto ka bërë xhiron e botës, për mediet e huaja ishte simboli i tërmetit që tronditi Italinë. E kanë publikuar të gjithë edhe në shkrepje të tjera, sepse është Italia. Një murgeshë, e re, e plagosur, me një celular të vjetër në dorë, me sandale të thjeshta veshur në këmbë. Në këtë foto përmblidhet gjithçka që për gazetat, portalet dhe televizionet e botës përfaqëson Italinë; besimin, bukurinë antike, madje një farë elegance dhe qëndrimi edhe në dhimbje. Nuk ka rëndësi nëse murgesha quhet Marjana Lleshi dhe është shqiptare. Në botën simbolike imazhi i saj përfaqëson jo vetëm Italinë e plagosur, por edhe Italinë që mbijeton. Ai gjest i saj, tentativa për të telefonuar ende pa u ngritur në këmbë, gati për t’u thënë të afërmve se është mirë, i ka prekur të gjithë.

13. Shtator

Rilindja e Aleppo-s

Me delikatesë. Në mes të një tragjedie të rëndë lufte, në dhimbjen e Aleppo-s së shkatërruar nga bombardimet, dy burra po mbajnë në krahë dy fëmijë të sapolindur. Për këto jetë të vogla, dhe të brishta të Alepos kjo është një rilindje për herë të dytë. E para ishte kur këta fëmijë të luftës erdhën në jetë, dhe e dyta ka qenë kur u kursyen nga bombat.

14. Tetor

Futbollisti gjunjëzohet kur këndohet himni nacional

Futbollisti amerikan Colin Kaepernick, gjunjëzohet ndërsa këndohet himni nacional amerikan, në stadiumin e Santa Clara-s, në Kaliforni. Përkrah tij janë shokët e skuadrës Eli Harold (në të majtë) dhe Eric Reid (në të djathtë). Është kjo mënyra e tyre për të protestuar kundër dhunës së policisë mbi popullin afroamerikan, që kujton grushtet e mbyllur të Tommie Smith dhe John Carlos gjatë Olimpiadave në vitin ’68 në Meksikë në emër të lëvizjes “Black Power” (Pushteti i Zi, lëvizje në mbështetje të të drejtave të njerëzve me ngjyrë). Kaepernick e kishte filluar në tjetër mënyrë protestën e tij të heshtur, por madhështore. Ai qëndronte i ulur kur ekzekutohej himni para çdo ndeshjeje. Por, ishte kritikuar nga një pjesë e komunitetit të tij. “Kështu – i kishin thënë- nuk i nderon vëllezërit e vdekur në fushën e betejës. Ndaj për këtë motiv qendërmbrojtësi i San Francisco- s vendosi të gjunjëzohej. “Në këtë mënyrë nderoj ata që sakrifikuan jetën e tyre për ne, por vazhdoj të mos ngrihem për t’i bërë homazh një shteti, që na ofendon dhe na ofendon”. Dhe protesta e tij u bë virale.

15. Nëntor

Trump dhe Obama shtrëngojnë duart

Donald Trump pavarësisht të gjithave dhe të gjithëve fitoi Shtëpinë e Bardhë dhe Obama-s i duhej ta priste dhe ta pranonte, në mënyrë simbolike, këtë fitore. Kjo foto përfaqëson triumfin e demokracisë pasi dy rivalët e mëdhenj – madje armiq – në politikë duhet të shtrëngojnë duart. Por, kuptimi i thellë i kësaj fotografie përmblidhet në shprehinë e fytyrës së presidentit të SHBA-së, që tregon një distancë yjore nga burri që ka përballë. Fytyra e tij shpreh tmerr. Kjo fytyrë do të mbetet gjykimi më i fortë se çdo lloj fjalimi, që u mbajt gjatë këtyre zgjedhjeve amerikane.

16. Dhjetor

Terroristi i parë islamik i veshur me kostum vrau ambasadorin rus

– Duket një skenë e shkëputur nga një film i Trantino-s, një aktor në një nga skenat e emisionit italian “Le iene”. Është terroristi i parë islamik i veshur me kostum dhe kullaro. Në realitet Mevlut Mert Altintas, 22-vjeçari që vrau ambasadorin rus në Turqi, e kishte zgjedhur me kujdes veshjen e tij. Është një kostum uniform. Ai ishte një polic që punonte në eskortat e shtetit ndaj dinte ta mbante mirë kostumin e zi, kravatën e errët dhe këmishën e bardhë që do ta bënin thuajse të padukshëm. Në sytë e njerëzve të sigurisë, ai ishte njëri nga ata. Dhe gjatë asaj të hëne në paradite ai lëvizte si njëri nga ata. Hyri në qendrën kulturore të Ankarasë duke paraqitur një teserë të policisë. Sapo ambasadori nisi të flasë ai u zhvendos në cep, ashtu siç parashikohet nga protokolli i eskortave të shtetit, më pas nxori pistoletën, dhe veproi në mënyrë të ftohtë, i vendosur, si një profesionist. Goditja e parë ishte atë ditë në pika jetësore, dhe pastaj ai zbrazi karikatorin mbi trupin e ambasadorit. Më pas bëri deklaratën para telekamerave. Terrori më i madh që ngjalli ky atentat lind nga fakti se ai që e kreu ishte një agjent policie. Frika është se mund të ketë të tjerë si ai. Edhe nëse radikalizohen edhe policët, nëse përbëjnë rrezik, të mbrohesh bëhet diçka e pamundur. Por, ky është mesazhi që ISIS do të dërgojë në Ankara; edhe kush ju mbron mund t’ju vrasë./Shekulli/

SHKARKO APP