Postmodernizmi, një synim i ri në fushën e ideve

Nga: Ferit Baça – Ndonëse modernizmi dhe postmodernizmi janë produkt i raportit dhe ndërvartësisë  nga njëri-tjetri, kuptimi, përmbajtja dhe përcaktimet e tyre teorike lindën nga shpërthimet e vrullshme dhe galopante në fushën e mendimit filozofik, shkencor dhe të industralizimit, gjatë shekujve të kaluar. Idetë e reja që ushqyen postmodernizmin, ndikuan me një vrull të paparë në të gjitha fushat e jetës së shoqërisë njerëzore, sikurse stina e pranverës që bën të lulëzojë dhe shpërthejë dasma e të gjitha ngjyrave të natyrës. Me sa duket, koncepti i postmodernizmit do të vijë  vërdallë edhe për shumë dekada të tjera, si një ëndërr e bukur grishëse për faktin se, në fusha të veçanta të jetës së shoqërisë njerëzore, ende nuk është kapërcyer epoka   moderne. Me sa duket edhe në këtë rast, studiuesit e  epokave të  reja, shfaqën një ngutje të përfaqësuar   nga parashtesa dhe nocioni “post – përtej) që iu bashkëngjit modernizmit si një padurim për të shkuar sa më shpejt përpara në visone, në mendime dhe  ndërtimin e një  një epokë të re, shumë herë më të përparuar. Me interes është edhe sqarimi  i asaj çfarë  duhet të kuptojmë me nocionin  “Moderne”, fjalë  me origjinë latine, pra, “modo” d.m.th “aktual ose  tani”, pavarësisht kuptimit relativ që mund të simbolizojë herë një periudhë kohore 20 vjeçare, herë një tjetër 50 apo njëqind vjeçare.

“Moderniteti” nënkupton ndryshime të mëdha dhe të thella  në jetën e shoqërisë njerëzore.  Antoni Giddens e konsideron modernitetin një mënyrë jotradicionale jetese dhe organizimi shoqëror që u krijua në Europë në fillimet e  shekullit të 17-të dhe që më pas u përhap në mjaft vende të tjera. Sipas tij, moderniteti i ka rrënëjt tek Ndriçimi i Arsyes,  pra,  largimi nga besimi te Zoti dhe rritja e besimit tek Arsyeja. Ilumistët, burimin e të së vërtetës e kërkonin jo më tek arsyeja hyjnore, por tek vëzhgimi empirik dhe te mendimi racional. Kështu, moderniteti shënon ndërprerjen e rendit tradicional dhe shkëputjen nga mënyrat tradicionale të të menduarit, të sjelljes dhe të organizimit institucional të shoqërisë, të cilat mbështeteshin në marrëdhëniet farefisnore, në besimet fetare dhe praktikat tradicionale dhe  konservatore. Ndonëse vetë historia njerëzore dhe fushat e saj, si historia, filozofia, shkenca, letërsia, për të lehtësuar më mirë studimin e tyre, konceptohen si periudha historike, si: epoka e vjetër, epoka e mesjetës, epoka e rilindjes, epoka e kohës moderne dhe, për kohën tonë, në dallim nga ato të mëparshmet, si epokën postmoderne.

Postmodernizmi është një lloj rindërtimi e revizionimi jo vetëm i modernizmit, por edhe i gjithë trashëgimisë universale në fushën e kulturës, artit,  letërsisë dhe filzofisë. Postmodernizmi është një vështrim dhe vlerësim që përfshin jo vetëm kategoritë klasike tradicionale, por edhe modernizmin. Në dallim nga modernizmi, një botëkuptim që përpiqej të “lante duart” sa më shpejt  me trashëgiminë e kaluar, dhe duke kundruar si një i verbuar vetëm të ardhmen,  postmodernizmi paraqitet gjithëpërfshirës, në aspektin kohor, duke shndërruar në pronë dhe ushqim të tij gjithçka të trashëguar dhe  përtej kohërave historike, për sigurimin e një vazhdimësie të pacak, në kahun e së ardhmes.

Postmodernizmi huazoi fillimisht modelet e kritikës post moderne në fushën e letërsisë dhe analizat e filozofisë së Perëndimit. Merita më e madhe e filozofisë postmoderne është krijimi i një literature në fushën e teorisë kritike. Filozofia post moderne përgjithësisht karakterizohet nga skepticizmi ndaj qëndrimeve kritike të dy rrymave zotëruese: metafizikës dhe humanizmit perëndimor, ndaj pritshmërisë që filozofët të mund të dallojnë njohjen nga mosnjohja, progresin social nga regresi, sundimin nga nënshtrimi ose praninë nga mungesa. Për disa kritikë të tij, ky skepticizëm është i ngjashëm me relativizmin dhe nihilizmin. Filozofia post moderne duhet parë jo si një argument i pastërt abstrakt ose logjik, por si një rrethanë apo nevojë historike.  Postmodernizmi synin  të arrijë atë që nuk e arriti modernizmi. Duke rishpirtëzuar disa variante të braktisura të modernizmit, postmodernizmi u kristalizua si një synim i madh për zgjerimin e hapësirës së lirë të jetës e qenies njerëzore, por edhe drejt një ringjalljeje të kulturës artistike në momentet e krizës së modernizmit dhe të globalizmit, duke vendosur në qendër të fushës së saj parime e koncepte, të përftuara përmes revizionimit të historisë. Ky koncept është aq i gjerë sa që në atë përfshihen edhe fusha të tjera të qenies dhe ekzistencës së njerëzimit në kushtet e globalizimit të shumë anshëm botëror.

Tani tehu i diskutimeve  rreth postmodernizmit është drejtuar në shpjegimin e dukurive e proceseve të reja, që përfaqësojnë të ardhmen dhe rolin e mendimit filozofik në konsolidimin e sistemit demokratik të shoqërisë moderne, të lirisë, të   zhvillimit të kulturës artistike të shek.XXI.
Nëpërmjet trajtimit  të postmodernes në raport me modernen dëshirojmë të nënvizojmë faktin  se bëhet fjalë  për një proces e zhvllim dialektik, ku e reja i hap rrugën vetevetes në luftë me të vjetrën, duke realizuar përgatitjen e nevojshme për  kapërcimin e  etapave historike. Kapërcimi i tyre e ka zënë  shoqërinë gjithmonë në befasi dhe të  papërgatitur. Përsa i përket legjislacionit juridik bashkëkohor, aq të nevojshëm dhe të domosdoshëm  për  vendin tonë, kur ai ka fituar statusin e vendit kandidat  për anëtarësimin në Bashkimin Europian, për trajtimin e ideve në fushën e artit dhe të letërsisë si dhe në zhvillimin e mendimit filzofik bashkëkohor, i cili i paraprin trendit të zhvillimit shoqëror.

SHKARKO APP