Prag katastrofe – I nxehti afrikan po rrezikon zhdukjen e midhjes në Butrint

Rreth 270 ton midhje kanë ngordhur këtë vit në liqenin e Butrintit si pasojë e temperaturave të larta.

Sipas specialistëve temperaturat në liqenin e Butrintit kanë shkuar në 40-42 gradë celcius. Temperaturat kanë prekur midhjen deri në thellësinë 40 centimetra.

Ky është i disati vit që midhja e Butrintit rrezikon të zhduket.

Enton Spaho, përgjegjës i sektorit të akuakulturës në drejtorinë e shërbimeve të peshkimit në Tiranë në një prononcim për mediat tha se “jemi informuar për një rritje masive të temperaturave në liqenin e Butrintit dhe është ngritur një grup pune për verifikimin e situatës duke konstatuar se ka ngordhje të vargjeve rreth 40 centimetër.”

Sipas Spahos, një problem i madh ngelet hapja e kanalit të Vivarit që mund të jetë një ndihëmesë e madhe për rritjen e baticave dhe zbaticave.

Investitori i midhjeve Hysen Mane thotë se “në liqenin e Butrintit janë rritur temperaturat deri në 40 gradë nën 1 metër ujë, midhja reziston deri në 27-28 gradë, ka filluar ngrodhja masive e midhjes”.

Sipas tij “ka filluar të ngordhi edhe midhja e farës që është më rezistente nga midhja e prodhuar, jemi përballë një katastrofe të jashtëzakonshme dhe kjo vjen vetëm si një shkak për moshapjen e kanalit të Vivarit”.

Temperaturat e larta po shkaktojnë një stres termik mbi midhjen që kultivohet aty duke shkaktuar dhe dëmtime të saj.  Në rajonin e Sarandës janë 35 subjekte private të licensuar që merren me kultivimin e midhjes.

SHKARKO APP