Pranga drejtuesve të hipotekës Fier, akuzohen për korrupsion

Janë prangosur 2 zyrtarë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipoteka) Fier, përfshirë edhe ish-krye-regjistruesin, i cili ka qenë në këtë detyrë deri në shtator 2014. Dy zyrtarët dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale “korrupsioni pasiv….” dhe “korrupsioni aktiv…”.  Në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Fierit, nga ana e forcave të Policisë së Shtetit janë ndaluar shtetasit: Aleksandër Myrtaj- Krye-regjistrues, ZVRPP Fier dhe Kastriot Rakipaj- topograf, ZVRPP Fier.  Në bazë të hetimeve të deritanishme të Prokurorisë së Fierit, që pretendohet se kanë nisur në muajin maj 2014, ka dyshime të arsyeshme se këta persona kanë kryer veprime korruptive në procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, rifreskimit në kartelat e pasurive dhe pasqyrimet e ndryshimeve në lidhje me to. Aktet korruptive pretendohet se Aleksander Myrtaj i kryente kryesisht në ambjentet e zyrës ku ushtron detyrën. Lidhur me këto veprime, personat nën hetim janë përpjekur t’i justifikojnë si shuma parash të dhëna për borxh, për ushqime apo karburant. Por, këto deklarime, gjatë pyetjeve nga organi i Prokurorisë, ka pasur kundërshti në deklarata me njëri – tjetrin. Prokurori ka vlerësuar se të dhënat e siguruara deri në këtë fazë të hetimit janë të mjaftueshme në kuadrin e dyshimit të arsyeshëm se shtetasi Aleksander Myrtaj, me veprimet e tij, ka konsumuar elementë të veprës penale: “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.  

SHKARKO APP