Pranvera arabe mbeti me ngrica

Nga Muamer Vuci

Pranvera Arabe u shpall nga e gjithë bota si simbol i fillimit të demokracisë arabe, që u përshëndet nga të gjithë popujt e botës, dhe vërtetë ajo nisi si një pranverë e vërtetë për demokracinë, për jetën e popujve arabë dhe këtë sinjal të bukur e dha Tunizia kur martiri arab dogji vetveten midis kryeqytetit Tuniz të Tunizisë. Le t’i shohim më konkretisht ngjarjet që ndodhen në Tunizi, në Egjipt, Libi dhe së fundmi në Siri. Konkluzioni i ditëve të sotme është ky: Në këto vende pati një pranverë të cilën e mbuluan ngricat dhe popujt e këtyre vendeve u ndeshën me ngjarje shumë të hidhura. Të vjen keq për pamjet që kemi parë në televizor, për ato përplasje dhe vdekje kur dihet se gjithë këto popuj u ngritën për më mirë, për një demokraci reale por e vërteta është ngricat e pranverës ulen shumë temperaturat politike dhe arritën të shfaqen si luftë civile si në Siri dhe tashti së fundi me shenja të këqija edhe në Libi. Duke qenë mik i popullit arab, anëtar kryesie i kësaj shoqate, them me plot të drejtë se popujt arabe të këtyre vendeve nuk e meritonin këtë ndëshkim. Ata dëshironin një pranverë me gjelbërim, me lule të bukura e jo të mbytur me barut, me predha e tanke. Vetë këto popuj kanë dekada që mbështesin luftën e drejtë të popullit palestinez për një Palestinë të lirë, por panë tek vetvetja një shkatërrim ekonomik edhe më të madh. Varfëria ekonomike dhe vëllavrasjet e shumta dhe tani së fundmi terrorizmi i shfaqur me po aq arrogancë nga ISIS dhe ALKAIDA arabe janë bërë armiqtë më të mëdhenj të kombit arab 400 milionë. Përgjakja e rëndë në Siri dhe në Irak me terroristët e ISIS – it të ashtuquajturit të kalifatit ISIS duhet të luftohet me të gjitha energjitë nga popujt arabë duke i marrë frymën në mënyrë urgjente kësaj organizate terroriste, më e rrezikshmja që mund të jetë shfaqur deri tani në tokën arabe. Sot Siria dhe Iraku janë bërë qendra e gravitacionit të diplomacisë botërore. Mbështetja e madhe që po japin vendet arabe me në krye Arabine Saudite, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me disa vende kryesore të perëndimit po bëjnë që të shpartallohet në shkretëtirat e Irakut dhe të Sirisë kjo organizatë mizore që njeh vrasje dhe vetëm vrasje, prerje kokash dhe vetëm prerje kokash. Në ngjarjet e pranverës arabe një shembull të mirë për t’u ndjekur dhe për të dalë nga rrugëdalja e zymtë në rrugën e demokracisë po e jep tani Tunizia. Tunizia vendi historik i Kartagjenës mundi që me një psikologji demokratike të popullit të vet arriti të japë një model të tranzicionit të jetës të tunizianëve drejt demokracisë. Kështu në këto tre vite në Tunizi ka një administratë teknokrate në punë. Krijimi dhe aprovimi i kushtetutës së re i dha energji të reja gjithë popullit tunizian, sepse ajo u ndërtua në gjithëpërfshirjen e shtresave sociale të popullit dhe me një komision elektoral të denjë me përfaqësues të këtyre shtresave. Heqja e gjendjes së jashtëzakonshme do të bëjë që Tunizia të bëhet një vend ku demokracia ka jetë dhe arabi mbështetet në ligjet e aprovuara. Kushtetuta e re tuniziane i ka dhënë një barazi të plotë gjinore popullit. Duke parë jetën konkrete në Egjypt, Libi, Jemen është e nevojshme që edhe këto vende duhet të nxisin elemente të demokracisë për të krijuar një atmosferë paqësore si në aprovimin e kushtetutës, aprovimit të disa ligjeve demokratike për t’i dhënë shtytje paqësore tranzicionit shumë të ashpër në këto vende. Themi në veçanti në Libi ku për dekada nuk ka pasur kurrë jete partie, madje Libia është ndër vendet e rralla arabe që me ligj nuk ka lejuar asnjë lloj partie. Gjatë këtyre viteve partitë e krijuara në Libi me baza fisnore duke qenë pa ndonjë përvojë shumë të madhe nuk kanë arritur që të krijojnë hapësira demokratike në qytete të ndryshme dhe me vështirësi të mëdha po konceptohet jeta demokratike në këtë vend. Ishte një sukses që parlamenti i ri u zgjodh por të vjen keq që ky parlament nuk mund të bëjnë jetën politike normale në Tripoli dhe detyrohet të bëjë mbledhje dhe aprovim ligjesh në një traget grek në brigjet e Libisë. Kjo është qesharake kur mendon sepse fiset e ndryshme në këto shkretëtira të Saharasë kanë krijuar organizata dhe njësi milicie që i kundërvihen njëra-tjetrës. Dëshirojmë që popujt arabe që janë në këtë situatë kritike të një lufte dhe përplasjeje vdekatarë t’i japin fund kësaj gjakderdhje dhe të gjejnë zgjidhje të plota demokratike për problemet e mëdha që kanë vendet e tyre. Në këtë mes mendojmë se edhe liga arabe duhet të qëndrojë më afër problemeve të mëdha që kanë këto popuj dhe Nadir El Arabi duhet të mobilizojë gjithë ligën arabe për të mbështetur proceset demokratike në këto vende. Kjo periudhë e drejtimit të tij ishte një katastrofë e madhe e pakënaqësisë së sunive në Irak. Tani kur mbështetja e vendeve arabe është konkrete, në veçanti nga Arabia Saudite, Katari, Kuvajti, etj, dhe mbështetja luftarake me avionë qe po i bën SH.B.A. në shpartallimin e plotë të organizatës terroriste ISIS, ka një shpresë për një zgjidhje të shpejtë të kësaj situate. Me ngjarjet në Siri ku panorama është shumë trishtuese dhe ku rekrutimi i njerëzve të thjeshtë për xhihad ka përfshirë shumë vende të botës dhe të Europës, në këtë infeksion të rëndë janë përfshirë dhe rekrutuar edhe disa shqiptarë që jetojnë në trojet tona. Kjo është indinjuese sepse arabet në historinë e tyre shekullore kanë treguar se dinë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre dhe sot bota arabe me 400 milionë banorë duhet të jetë pranë çdo zgjidhje konkrete. Ne kundërshtojmë me forcë çdo lëvizje të shqiptarit për të shkuar në xhihad në Siri (Sham), gjoja për të luftuar dhe ai vetë nuk e di se kë lufton, prandaj i bëjmë thirrje atyre që të marrin edhe familjet që kanë lënë në vende të ndryshme dhe të kthehen në atdhe.

Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Vendet Arabe

SHKARKO APP