Presidenti Begaj pritet në vizitë zyrtare nga Mbreti Abdullah: Shqipëria dhe Jordania drejt një faze të re bashkëpunimi
Shqipëria dhe Jordania hodhën një hap tjetër drejt intensifikimit të dialogut politik dhe nxitjes së bashkëpunimit ekonomik, angazhim i riafirmuar në Amman gjatë takimit mes Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, dhe Mbretit Abdullah II, në kuadër të vizitës zyrtare të Kreut të Shtetit në Jordani.
Vizita synon t’i japë një shtysë të re marrëdhënieve dypalëshe dhe të konsolidojë bashkëpunimin politik, ekonomik dhe të sigurisë, si dhe zgjerimin në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.
Të dy liderët theksuan rëndësinë e avancimit të agjendës së përbashkët dhe shprehën vullnetin për ta çuar përpara partneritetin mbi bazën e respektit reciprok, miqësisë së qëndrueshme dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
Gjatë takimit, u shpreh vendosmëria për të shndërruar mundësitë në arritje përmes rritjes së investimeve.
Presidenti Begaj, vlerësoi potencialin për forcimin e dimensionit ekonomik dhe zhvillimin e turizmit, duke theksuar rëndësinë e vendosjes së një linje të drejtpërdrejtë ajrore mes dy vendeve.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit falenderoi Mbretin Abdullah II për njohjen e Kosovës dhe mbështetjen e saj në forume ndërkombëtare.
Të dy udhëheqësit rikonfirmuan qëndrimin për thellimin e bashkëpunimit shumëpalësh, duke nënvizuar vizionin e përbashkët për stabilitet, demokraci dhe prosperitet rajonal e global, si dhe vlerësuan bashkëpunimin në kuadër të Procesit Aqaba.
Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria ka përqafuar dhe promovuar në mënyrë aktive dialogun ndërfetar, duke e cilësuar vendin si model të harmonisë fetare dhe mbrojtjes së diversitetit.
Në diskutime u përfshi edhe situata në Lindjen e Mesme, ku të dy liderët ndanë bindjen se dialogu dhe zgjidhjet paqësore mbeten rruga e vetme për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Gjatë vizitës në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, Presidenti Begaj, u takua edhe me Kryeministrin Dr. Jafar Hassan, me të cilin bisedimet u përqendruan në zhvillimin e marrëdhënieve në ekonomi, turizëm, teknologji informacioni dhe arsim.
KOHA JONË SONDAZH

