Presidenti dekreton ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Do të paguani 5 %…
Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Pas dekretimit dhe botimit në Fletoren Zyrtare, ligji hyn menjëherë në fuqi, duke i hapur rrugë një fushate të re kombëtare për rivlerësimin e pronave.
Rivlerësimi i pronave gjatë vitit 2026
Nga janari deri në dhjetor 2026, i gjithë territori i vendit do të përfshihet në procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Rivlerësimi do të kryhet me një normë tatimore prej 5%, më e ulët se norma aktuale prej 15% që aplikohet në rast shitjeje të pronës.
Kjo normë prej 5% përfaqëson nivelin më të lartë tatimor të aplikuar ndonjëherë për rivlerësimin, që nga hera e parë e nisjes së këtij procesi, dhe do të jetë e njëjtë si për individët ashtu edhe për bizneset. Tatimi do të paguhet mbi diferencën mes vlerës së regjistruar në kadastër dhe vlerës së re të rivlerësuar.
Njohja e amortizimit të pronës
Për herë të parë, ligji parashikon edhe njohjen e amortizimit të pasurisë, duke marrë parasysh vjetërsinë e pronës. Sa më e vjetër të jetë pasuria e paluajtshme, aq më i ulët do të jetë tatimi që do të paguhet pas rivlerësimit.
Çmime të reja reference për pronat
Gjatë vitit 2026, me përjashtim të Tiranës, vlera e pronave në të gjithë vendin pritet të rritet, për shkak të hyrjes në fuqi të çmimeve të reja të referencës, të cilat janë konsultuar dhe përgatitur gjatë këtij viti.
Bilanci i rivlerësimit të fundit
Fushata e fundit e rivlerësimit u zhvillua në periudhën 2020–2022, me një normë tatimore prej 3%. Gjatë asaj periudhe, rreth 94 mijë pasuri të paluajtshme, në pronësi të qytetarëve dhe bizneseve, u afruan me çmimet reale të tregut.
Si rezultat, buxheti i shtetit përfitoi 138.6 milionë euro, një shifër e ndikuar si nga rritja e normës tatimore ashtu edhe nga rritja e ndjeshme e çmimeve të tregut të pasurive të paluajtshme
KOHA JONË SONDAZH

