Presidenti grek Pavlopulos: Nuk ekziston çështja çame

Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos ashpërson tonet me Tiranën zyrtare lidhur me pretendimin për çështjen çame.

Lajmi bëhet i ditur nga “Ert.gr”, ku theksohet se Presidenti grek, i ngarkuar emocionalisht dhe me tone aspak diplomatike, i bëri thirrje Shqipërisë të respektojë ligjin, të drejtat e njeriut dhe të pronës, si dhe të drejtat e pakicës greke në Shqipëri.

Ndërkohë që çamët i cilësoi si pjesë të mizorive naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Është e pakonceptueshme që udhëheqja e Shqipërisë të ngrejë çështje çame. Përveç faktit se kjo çështje nuk ekziston, është më mirë që Shqipëria të mos kujtojë se çfarë do të thotë historia e të ashtuquajturave çamë gjatë periudhës së mizorive naziste në Greqi.

Nëse dëshiron të ketë ndonjë perspektivë evropiane. Më vjen keq që jam i drejtpërdrejtë, por në ditë të tilla si kujtimi i holokaustit ata guxojnë të flasin për çamët.

Më mirë të mos kujtojmë historinë e atyre që u shfaqën si çamë në hapësirën greke. Respekti për historinë është baza ndërkombëtare për miqësinë dhe fqinjësinë e mirë”, tha Pavlopulos. Deklaratat, Presidenti grek i bëri gjatë vizitës që zhvilloi sot në Shtabin e Forcave Ajrore, në Larisa./

SHKARKO APP