Presidenti i Rajonit të Pulias: Tirana ka ndryshuar në dy vite, Veliaj nga më të mirët në Europë

Bashkia e Tiranës dhe Rajoni i Pulias do të shtojnë bashkëpunimin midis tyre në fushën e menaxhimit dhe të trajtimit të ujit të pijshëm. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në një vizitë Presidentin e Rajonit të Pulias, z. Michele Emiliano, me të cilin bisedoi mbi përfitimet e përbashkëta nga projektet e programit INTERREG, Pulia – Shqipëri, si dhe në çështjen e ujit të pijshëm.

Kryebashkiaku Veliaj tha se miratimi i projekteve të programit INTERREG për bashkëpunim mes Ujësjellësit të Pulias dhe atij të Tiranës, i hap rrugë investimeve të rëndësishme në këtë sektor, për t’i dhënë fund shqetësimit të qytetarëve për furnizimin me ujë të pijshëm. “Lajmi i parë i mirë ka të bëjë me miratimin e projekteve INTERREG, për bashkëpunim midis Ujësjellësit të Pulias dhe Ujësjellësit të Tiranës. Në fakt, qëllon që dy ujësjellësat tanë janë ata që performojnë më mirë në vendet respektive. Ashtu siç po bëjmë me BERZH-in për të marrë kredi për dy investime të rëndësishme, ashtu do të vazhdojmë edhe masterplanin me Ujësjellësin e Pulias, për t’u siguruar që Tirana ka shërbimin më të mirë, edhe në këtë fushë, ashtu siç ka shërbimin më të mirë në fushat e tjera”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë vlerësoi performancën e treguar nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë për eliminimin e avarive në rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm te konsumatorët, si dhe në administrimin e të ardhurave. Veliaj theksoi se falë mirëmenaxhimit të këtij sistemi, është bërë i mundur dyfishimi i furnizimit me ujë të pijshëm i banorëve të kryeqytetit. “Pavarësisht problemeve, sot kemi Ujësjellësin më të mirë në Shqipëri. Kemi dyfishuar furnizimin me ujë dhe kemi një rrjet shumë më të gjerë, që po përfshin edhe zonat informale. Kemi më shumë abonentë dhe kemi një rekord të korrektesës, që qytetari i Tiranës ka ndaj ujësjellësit”, tha ai.

Ndërkohë, rajoni i Pulias do t’i bashkohet nismës së Bashkisë së Tiranës në projektin ambicioz për krijimin e “Pyllit Orbital”, që do të rrethojë kryeqytetin me një brez të gjelbër me 2 milionë pemë. Në shenjë miqësie mes dy vendeve, rajoni i Pulias do të dhurojë pemë për Tiranën, duke rritur sipërfaqen e gjelbër. “Rajoni i Pulias do t’i bashkohet idesë tonë për “Pyllin Orbital”, që është gjithashtu ide e hartuar nga arkitektë italianë. Kemi vendosur që një pjesë të “Pyllit Orbital” ta quajmë “Pylli i Pulias”, nga ku do të marrim një sasi prej disa qindra pemë, për ta thelluar edhe me një projekt konkret miqësinë dhe raportin që kemi me njëri-tjetrin. Ky park do të jetë i pari që do të hapë këtë risi dhe do të vazhdojmë, siç kemi filluar këtë vit, me 50 mijë pemë. Nga viti tjetër, duke filluar me “Pyllin e Pulias”, do të fillojmë projektin gjigant deri sa të kapim në vitin 2030, 2 milionë pemë në të gjithë territorin e Tiranës”, theksoi Veliaj.

Presidenti i rajonit të Pulias, Michele Emiliano, u vlerësua nga kryebashkiaku Veliaj me Medaljen e Skënderbeut. Duke e falenderuar për vlerësimin, Emiliano u shpreh se Tirana po ndryshon me ritme të shpejta. Presidenti i rajonit të Pulias vlerësoi punën e kryebashkiakut Veliaj në krye të Bashkisë së Tiranës, ndërsa garantoi bashkëpunim të ngushtë në projekte të përbashkëta për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm.

“Jam gjithmonë i lumtur kur vij në Tiranë dhe e gjej qytetin gjithmonë e më të bukur, plot me aktivitete ekonomike, njerëz të gëzuar dhe të lumtur. Ky është rezultati më i bukur për një kryetar bashkie që tërheq investime, tërheq ekonominë. Tirana është një ‘kalë me gjak të pastër’, që tërheq gjithë Shqipërinë, dhe kjo patjetër që na mbush me gëzim. Janë të shumtë italianët të cilët vijnë të punojnë këtu në Tiranë, kështu që kemi përmbysur flukset migratore. Janë italianët tashmë që vijnë këtu për të përfituar nga ky moment shumë i rëndësishëm”, tha ai Emiliano, duke shtuar se ky është një moment i rëndësishëm bashkëpunimi mes dy vendeve.

“Jam shumë i lumtur që projekti ynë për ujësjellësin e Tiranës është aprovuar nga Bashkimi Europian, kështu që INTERREG do të na lejojë të vazhdojmë me të gjithë masterplanin e përbashkët dhe kjo patjetër është vazhdimësia e një tradite bashkëpunimi. Do të jemi të lumtur të kontribuojmë në lindjen e Pyllit Orbital përreth qytetit. Duam të kontribuojmë duke lënë një shenjë të vogël të miqësisë mes Pulias dhe Shqipërisë. Sa herë që vij këtu rimarr entuziazëm dhe kam gjithmonë e më shumë dëshirë të vazhdoj këtë bashkëpunim dhe natyrisht, duke i bërë urimet e mia një prej kryetarëve të bashkive më të zotë të Europës”, theksoi Emiliano.

Më pas, kryetari i Bashkisë së Tiranës e shoqëroi Presidentin e Rajonit të Pulias, z. Michele Emiliano, në një vizitë në sheshin e ri ”Skënderbej” dhe në kantierin e punimeve për Bulevardin e Ri të Tiranës, i cili është një ndër projektet më të rëndësishme strategjike të Bashkisë së Tiranës, çka e shndërron pjesën veriore të kryeqytetit në arterien kryesore të zhvillimit për vitet në vijim.

SHKARKO APP