Presidenti i Romës: Monedhën në stadiumin e ri do t’a hedhë Papa

Roma i ka idetë e qarta për të ardhmen dhe ideatori padyshim është presidenti amerikan i skuadrës James Pallotta. Për mediat italiane ai ka deklaruar se po vijon projektin e tij për të falimentuar radiot e qytetit të Romës. Sipas Pallota-s ekzistueset flasin vetëm absurditete dhe një radio e klubit ku raportohet situata e vërtetë do të sjellë falimentimin e tyre.

“Jemi skuadra e vetme në Europë që ka një stacion radio të vetën, të cilën e kemi krijuar dy vite e gjysmë më parë. Mendoj se gjatë kësaj kohe kemi falimentuar 2 radio, na mbeten edhe 7 të tjera. Kemi nevojë që të shpjegojmë versionin tonë të ngjarjeve, nëse do të dëgjoja çdo ditë radiot, tani do të isha hedhur nga ura sepse flasin absurditete për atë që bëjmë, apo bëj unë”, janë fjalët e Pallota, të publikuara nga “ForzaRoma.info”.

Në fjalët e tij në një seminar para studentëve të MIT në Boston, ai ka theksuar se ekziston nevoja urgjente për të ndërtuar stadiumin e ri në Romë.

“Në tre vite shpresojmë të kemi stadiumin tonë dhe ky është çelësi, pasi nuk mund të konkurrojmë me Barcelonën në asnjë mënyrë nëse ata sigurojnë 1 miliard dollarë të ardhura, ndërsa ne duhet t’ia hedhim me 220-240 milionë euro.

Stadiumi ynë do të jetë impianti më i përdorur në këtë zonë të Europës. Do të ketë edhe ndeshje të futbollit amerikan të kolegjeve. Mund të jetë ndeshja mes Boston dhe Notre Dame me Papën që do të hedhë monedhën para fillimit të takimit”, tha Pallotta.

SHKARKO APP