Presidenti Meta takon kryeparlamentarin e Maltës: Thellim i marrëdhënieve mes dy vendeve
Në ditën e dytë të vizitës shtetërore, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e Parlamentit të Maltës, Anglu Ferrugia.
Presidenti i Republikës rikonfirmoi edhe një herë vullnetin e Shqipërisë për të intensifikuar marrëdhëniet në të gjitha fushat me interes të përbashkët me Maltën.
Përveç mirënjohjes për mbështetjen e Maltës për Shqipërinë në axhendën e saj të integrimit europian, Presidenti Meta i shprehu kryeparlamentarit dëshirën për të thelluar kontaktet dhe bashkëpunimin ndërmjet dy Parlamenteve.
Presidenti Meta vlerësoi se krijimi i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Maltë, do të ishte një mekanizëm nxitës për njohjen më të mirë të zhvillimeve dhe arritjeve në secilin vend, dhe do të përshpejtonte nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike dhe tregtare për të dy vendet.
Gjithashtu, Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve tona në kuadër të “Unionit për Mesdheun”.