Prezantohet strategjia, për menaxhimin e financave publike
Paratë publike duhet të shkojnë në destinacionin e duhur dhe të përdoren në mënyrë më efiçente në zhvillimin e ekonomisë e të vendit. Kjo teori e njohur ndërkombëtarisht, duket se nuk ka gjetur asnjëherë përshtatje në tërë këto vite në Shqipëri, për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, për të cilën edhe BE po i bën presion vendit tonë që t’i shpallë luftë këtij fenomeni, se përndryshe nuk do t’i hapen dyert e Europës. Paraditen e sotme është prezantuar nga ministri i Financave Shkëlqim Cani, strategjia qeveritare për menaxhimin e financave publike. Në fjalën e tij, ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka nënvizuar se ruajtja e stabilitetit ekonomik është prioriteti i kësaj strategjie, ndërsa ka shtuar se, qeveria nga ana e saj do të ketë si objektiv shmangien e akumulimit të borxheve ndaj biznesit. – “Ruajtja e stabilitetit makro-ekonomik ka qenë gjithmonë prioriteti ynë. Detyrimet e qeverisë së kaluar ndaj bizneseve e përkeqësuan situatën, por ne kemi parametra të rinj dhe objektiva që të parandalojmë krijimin e borxheve të reja. Ne do të bëjmë edhe kufizime të shpenzimeve në buxhet, ndërsa do të intensifikojmë mbledhjen e taksave dhe të ardhurave”, ka deklaruar Cani. Gjithashtu ministri ka vlerësuar se, të gjitha këto masa garantojnë një kuadër marko-ekonomik të qëndrueshëm, por ka shtuar se suksesi i kësaj strategjie varet edhe nga përkushtimi i nëpunësve.