Pritshmëritë ekonomike në Greqi
Duhet të ndajmë disa mendime paraprake rreth situatës pas zgjedhjeve të reja politike në Greqi dhe impaktet e saj. Zgjedhjet në Greqi analizohen në disa dimensione:
1. Impakti politik në Greqi – rënia e dinastive politike. Kjo krijon kredibilitet publik- shumë i rëndësishëm për hapat e para të qeverisë së re. Pritshmëritë e larta shpesh krijojnë kosto që mund të zbuten vetëm nga rezultate konkrete të uljes së papunësisë dhe rritjes ekonomike.
2. Impakti në raport me Trojkën – do të duhet të ketë pa vonesë rinegociata për një fleksibilitet më të madh në bërjen e reformave të domosdoshme dhe ristrukturimin e borxhit.
2.1.Greqia nuk del dot nga euro pa dalë nga Bashkimi Evropian.
2.2.Çdo zgjidhje jashtë bashkëpunimit me FMN, BE dhe eurozonën është më e rëndë për Greqinë.
2.3.Fleksibiliteti i kërkuar nga Greqia ka mbështetje Brenda BE-së. Kjo kërkohet edhe nga disa vende të tjera të saj që janë nën rritjet e ulëta ekonomike dhe kërcënohen nga papunësia e lartë dhe deflacioni.
2.4.Krijimi i shpejtë i qeverisë dhe fillimi pa vonesë i negociatave, pavarësisht nga vështirësitë e tyre është detyrim për ta mbrojtur ekonominë e Greqisë nga përkeqësimi i saj dhe njëkohësisht për të reduktuar pasiguritë dhe paqartësitë për eurozonën.
2.5.Çdo paqartësi dhe pasiguri për Greqinë dhe eurozonën duhet të jetë sa më i vogël dhe sa më i shkurtër në kohë, pasi ato rritin kostot e financimit të ekonomisë greke dhe eurozonës. Ky rrisk po synohet të zbutet vetëm përkohësisht nga paketa e lehtësimit monetary në shuma të konsiderueshme nga BQE.
2.6.Shtetëzimi i bankave – Përveç bankave me problem dhe vetëm për t’i ristrukturuar ato nuk mund të jetë një politikë ekonomike e suksesshme.
2.7.Greqia duhet të angazhohet brenda unionit bankar të BE-së që synon të rrisë cilësinë e mbikqyrjes së bankave, ristrukturimin e bankave me problem dhe për garantimin në nivel evropian të mbrojtjes së depozitave në çdo vend të saj.
3. Kredibiliteti i qeverisë së re – Do të kushtëzohet nga përbërja e saj dhe fleksibiliteti për renditje prioritare të premtimeve. Kjo do të ndajë suksesin gradual nga dështimi.
4. Në raport me Shqipërinë – nuk do të ketë ndryshime thelbësore lidhur me temat në diskutim.
4.1 Emigracioni shqiptar në Greqi për shkak të kontributeve të veta positive dhe për shkak të këndvështrimit të qeverisë së re për emigracionin, nuk do të preket nga politika të caktuara të qeverisë, por nga tërësia e zhvillimeve ekonomike dhe politike në Greqi
Nga Arben Malaj