Pr/ligji-Kalimi i tokës bujqësore në pronësi të përdoruesve
Në asnjë rast, objekt i këtij pr/ligji nuk janë tokat bujqësore të pandara dhe as krijimi i titujve të rinj të pronësisë. Qëllimi i këtij projektligji është rregullimi i situatës juridike për familjet bujqësore apo individët, subjekte të përfitimit të tokës bujqësore në pronësi, të cilët e përdorin atë faktikisht, por që, për shkaqe të ndryshme, nuk janë pajisur me tituj pronësie.
Aktualisht ka familje bujqësore apo individë, të cilët janë pajisur me akte të marrjes së tokës në përdorim pas shkurtit 1996, si dhe janë pajisur me akte të marrjes së tokës në pronësi; po ashtu janë pajisur me akte të marrjes së tokës në pronësi pa u pajisur më parë me aktin e marrjes së tokës në përdorim; janë pajisur me akte të marrjes së tokës në përdorim para shkurtit 1996, por nuk disponojnë akte të marrjes së tokës në pronësi; janë pajisur me akte të marrjes së tokës në përdorim pas shkurtit 1996, por nuk disponojnë akte të marrjes së tokës në pronësi; nuk janë pajisur as me akte të marrjes së tokës në përdorim dhe as me akte të marrjes së tokës në pronësi.
Pr/ligji parashikon që ata që duhet të kenë qenë subjekte të përfitimit të tokës bujqësore në pronësi; të përdorin tokën faktikisht për qëllime bujqësore; sipërfaqja për të cilën do të jepet titulli i pronësisë në çdo rast nuk mund të kalojë sipërfaqen që i takonte sipas normës për frymë të fshatit.
Projektligji parashikon disa kufizime, përsa i takon dhënies në pronësi të sipërfaqeve të caktuara të tokave bujqësore, kur prona është regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si pronë private; është përfshirë në procesin e legalizimeve, apo është lëshuar akti i pronësis nga komisionet e ndarjes së tokës, ose është objekt i një konflikti gjyqësor.