Problemet e procesit, Mandija takohet me Demirajn, pasdite thërret në raport 4 ministra
Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija, në cilësinë e drejtueses së Task Forcës, u takua sot në mesditë me Ministrin e Brendshëm Dritan Demiraj dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Haki Çako, me të cilët u diskutuara për masat e marra nga ana e Policisë së Shtetit për rastet e denoncuara, që prej datës 24 qershor e deri më tani në këtë orë, në zyrën e zv/kryeministres, nëpërmjet numrit të vënë në dispozicion dhe portalin elektronik të denoncimeve.
Në përfundim të takimit Zëvendëskryeministrja Mandija njoftoi mbledhjen e Task Forcës në orën 17:00 . Në rendin e ditës së kësaj mbledhje si çështje kryesore është raportimi nga Ministri i Brendshëm dhe Drejtorit i Policisë së Shtetit për problematikën e hasur gjatë procesit zgjedhor që prej ditës e djeshme, 24 qershor e deri në këtë moment, ku do të shqyrtohet rastet e denoncuara dhe masat e marra.
Si pikë e dytë e rendit të ditës është raportimi nga Ministri i Financës, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Arsimit dhe Ministri i Drejtësisë për rastet e adresuara nga institucionet e tyre në drejtim të Policisë së Shtetit.
Ky është takimi i gjashtë i Task-Forcës për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërise për vitin 2017.