Prodhuesi turk rrit prodhimin e troftës në Shqipëri – Kushtet ideale favorizojnë shitjet
Klima e Shqipërisë është perfekte për prodhimin e troftës ylber dhe ka rezultuar fitimprurës për prodhuesin turk të peshkut, Kilic, i cili synon të zgjerojë operacionet në vendin tonë.
Kompania, e cila është vendosur në Shqipëri në vitin 2014 përmes një sipërmarrjeje të përbashkët, tashmë zotëron një sërë rezervuarësh dhe fabrikash përpunimi në të gjithë vendin, me një kapacitet prodhimi deri në 10 mijë ton në vit.
“Shqipëria ka kushte natyrore ideale për kultivimin e troftës ylber dhe ndodhet pranë tregjeve të BE. Krahas kësaj, edhe kërkesa e brendshme për këtë produkt po rritet”, shprehet Sinan Kiziltan, zëvendëspresidenti i kompanisë për IntraFish.
Edhe kostot e punës janë më të lira në Shqipëri se sa në Bashkimin Europian, çka redukton kostot operacionale, duke qenë i aksesueshëm për tregun kryesor.
Në Europë, tregjet kryesore për këtë specie trofte janë Rumania dhe Italia, megjithëse eksportohet në rreth 36 vende.
Afërsia gjeografike e hallkave të prodhimit e lehtësojnë edhe procesin final, me rezervuarin për çeljen e peshqve në Shkodër, 20 kilometra larg fermës në Liqenin e Vaut të Dejës. Kjo kompani ka edhe një fabrikë përpunimi në Durrës, ku ngrin dhe paketon produktet.
Të gjitha këto kushte kanë nisur të japin një efekt të konsiderueshëm në madhësinë e biznesit. Prodhimi në Shqipëri synon të arrijë 1.5 mijë ton, nga totali prej 6,5 mijë ton të shitjeve vjetore të kompanisë të troftës ylber.