Produktet e universitetit të Tiranës dhe partia

Nga Ilir Levonja

 Ajo që të bën përshtypje në këtë zallamahinë e çështjes Tahiri, me aktorë komisionin e mandateve, treshen e prokurorëve, Tahirin vet, publikun që pret, ku midis ka plot femra të eksitura, punë trendi etj…, është ballafaqimi i mësueses më nxënësen. Apo i pedagoges me studenten.

Ky ballafaqim midis zonjës Hysi, rojtares a kuratores së ligjeve qeveritare dhe prokurores Imeraj. Një rob nga grigja jonë, por që i irriton ”reformatorët” me faktin që paska lindur në Tropojë. Dhe po të vësh re sot faqet në shtypin e ditës, ka aq shumë mllef komentesh ku prokurorja del si një kamikaze për emrin e Berishës. Nuk e di, por marrëzia jonë është kaq e bukur, kaq me ethe, sa e gjitha çfarë ndodh në Shqipëri është material brilant për syrin regjisorial. Tek ne asgjë nuk ndodh seriozisht. Tek ne gjithçka bjerret në preteksin e yçklave të njëpasnjëshme që dalin. Ne jemi robër të dyshimit. Dhe kështu kemi për të mbetur. Madje për hatër të këtij dyshimi dhe inatit me iksin apo ypsilonin, nuk e kemi problem të falim çdo mëkat, çdo padrejtësi popullore a sociale.

Jo më kot sot të gjithë po merren me zhbirimin e lidhjeve të prokurores me Berishën, se sa me kartelin e drogës ku përmendet Tahiri. Por mos u nxitoni në përfundime se, prokuroria e Katanias ka akoma prova të pa shpalluara.

Por jemi tek ballafaqimi i mësueses me nxënësin. Eshtë si të thuash ballafaqim i investitorit me produktin. E para, pedagogia plot ironi i kujton prokurores doktorimin, çfarë është dhe çfarë nuk përbën provë. Madje me pyetje që karakterizohen rëndom me atë ë-në shqiptare. Provë është kjo, ë? Thotë media 3 tonë drogë, kjo është prove, ë? E dyta, përballë saj nxënësja që me qetësi i kujton mësidhënien se cili është roli i prokurorit dhe cili i gjykatës etj.

Pse e shoh këtë ballafaqim si një sadifaksion historik? Një rast që do i ofronte vendit intelektualët e vërtetë. Produktet e universitetit të tij. Dhe për më tepër respektin e brezave që po rriten për katedrat edukuese të baballarëve të tyre.

Por nuk ndodhi. E gjitha u kthye në një ironi pyetje përgjigjesh.

Kur duhej të ishte një bashkëpunim i forte në kuptimin e vlerave intelektuale. Aq më tepër kur jemi peng i një reforme në drejtësi duke mbetur në klasë vit pas viti për aderimin në europë. Një bashkëpunim ku askujt tjetër, nuk do i takonte për të qënë më krenar se sa  universitetit dhe kësaj pedagoge për studentin e tyre. Por nuk ndodh. Ndodhi e kundërta. Kjo pedagoge që sot është një shtetare partiake, bëhet vazhdimësi e asaj inteligjence mediokre, produkt i universitetit të Tiranës. Jo për fajin e universitetit. Jo për fajin e Shqipërisë, por për fajin e partisë.

Tani se cila është prove dhe cila nuk është e tillë, është bajate t’ia tregosh një pedagogeje të jurispudencës. Por duhet ndonjëherë edhe ajo përvoja me fjalë po bajate prej popullit. Ajo që sipas teje prove është muti, jo era e tij. Tahiri vetëm erë po lëshon. Se cili është dallimi e dashur pedagoge, po ta ilustroj me një bisedë poetike mes gjermano amerikanit Charles Bukowksi dhe së vjehrrës. (Ndofta një vjehërr artistike) Gruaja plot edukate e mirësjellje i ankohej përse njerëzit përdorin fjalë të pista? Në fakt edhe ai ishte një përdorues i hapur i tyre, më shumë se aq. Mbase ajo po i binte pragut që të dëgjonte dera.

Dhe ai iu përgjgij, sepse po të përdorim këtë fjalorthin tend plot edukatë e kulturë, nuk ka më jetë pasi bëhet një jetë e mërzitshme. Kjo po ndodh edhe aty, një edukim i mërzitshëm po vret Shqipërinë ditë më ditë. Dhe sigurisht ti je pjesë e tij.

SHKARKO APP