Profesionet, zinxhiri i jetës

Nga Anila Rezhda

Profesionet

Punë të ndryshme, poste të larta, të ulëta, shkallë që ngjisim ose zbresim, qëllim jete, ëndërr, pyetja e dyte mbas emrit në prezantimet me këdo, titull universitar, titull jete, titull që bën krenarë fëmijët tanë, punë, që fëmijët nuk i thonë dot për prindërit e tyre, tavolina rezerve për profesionistët në restorante luks, lokale të thjeshta për punëtorët që bëjnë punë të rëndomta. Të gjitha këto për mua janë profesione. Ligjet e pashkruara të jetës i kanë veçuar profesionet nga punët. Unë do shkruaj për njerëz të nderuar, që lehtësuan, zbukuruan, kontribuan në lumturinë e jetës time. Ju të nderuar lexues mund ti ndani në kategoritë që shkruaj më lart, thjesht sepse kështu i dëgjoj në bisedat e përditshme. Unë, nuk jam bindur kurrë se ato janë dy.

 

Portieri i pallateve

Në përgjithësi njerëz pensionistë, që duan të punojnë akoma, duke i ofruar shërbime aq me vlerë banoreve të pallatit. Njeriu i parë që përshëndesim para se të ikim në punë, në shkollë. Herë me shprehje të plota, me humor, herë shkarazi me copëza fjalësh, fillimi i ditës, i detyrimeve. Gjithmonë veç, nuk harrojmë ti lëmë një porosi, dhe ai si njeri i çliruar tashmë nga çmenduria jonë e të rendurit, na siguron se do ta mbarojë patjetër porosinë tonë. Flasim fare pak me Të, se o nxitohemi të ikim, o nxitohemi në kthim të hymë në shtëpi që të çlodhemi, por…

Ai njeri i nderuar, është i pari që kupton deformimin e bukur të trupit të femrës, ëmbëlsinë e fytyrës nga lumturia që për muaj tashmë do “udhëtojë” në jetë, vetë e dyta. Ta thotë. E mallëngjyer në përqafimin e Tij, ja pranon. Jo shumë kohë më vonë do të të ndihmojë të ngjitesh me kujdes në shtëpi, pajën shumëngjyrëshe të bebit.

Jo të gjitha ditët, për të gjithë njerëzit janë njëlloj. Nëse hëna dhe dielli duken akoma në qiell të dy bashkë duke i uruar njëri-tjetrit: kurajo, çlodhje të këndshme, dhe dëgjon hapat e tua të rënda, ngashërim të mbytur që të mos zgjohen të tjerët, Ai të ka kuptuar. Hap të dy dyert e mëdhaja që të hyjë era e freskët e ditës në zgjim, me duart që i dridhen, ngjit në xhamin e portës së jashtme të pallatit, letrën me dizain të zi. Emër i dashur, i shtrenjtë i familjes tënde që për herë të parë, nuk do përshëndesi portjerin e nderuar.

Ai sheh vetëm hyrjet dhe daljet tona, dy dyert e mëdhaja të jetës, por di tamam atë që ndodhi mes këtij fillimi dhe fundi të vogël të së përditshmes. I qetë, gjithmonë duke u marrë me lulet, pa na shikuar kur nuk duhet, na thotë se letrat e llogarive të egra, na presin poshtë portës, ajo letër që pret nuk ka ardhur akoma, erdhën dhe sot trëndafilat e Atij dhe i ktheu mbrapsht se burri u kthye nga udhëtimi i largët, të jep të hollat që i kërkon se ke harruar me dashje-padashje portofolin, të vjen turp të thuash fjalën borxh, pret autobuzat e fëmijëve dhe ti shoqëron deri lart që të mos të të digjet gjella, ikën me pushime dhe i thua të ketë kujdes shtëpinë nga flaka, uji, hajdutët, të ujisi lulet, të mbledhi letrat.

Unë e dua shumë portjerin e mënçur të pallatit tim. Edhe Ai besoj. Nuk harroi kurrë të më presë me një copë kek, byrek, frutë në dorë, mua që i dukem se nuk ha mirë, mua që largësia e atyre që dua më mbyt, mua që afërsia e Tij më jep aq siguri.

Askush nuk rend dot aty ku do, kur do, distancat shumfishoshen nga malli. Portieri është më afër me ne se të gjithë. E respektoj profesionistin e mençur.

 

Prostitutat në luftë

 “Pushtuesit, po rrëmbenin në mesnatë si kafshë të egër, djemtë e vajzat nga shtëpitë tona. Tmerr! Mur me mur, portë më portë, dëgjoheshin trokitjet e njohura, se fëmijët duhej të largoheshin. Një grup i madh djemsh nga lagjia ime, filloi të ecte si një trup i vetëm në errësirën e epokës që rronim. Ku të shkonin? Qyteti i rrethuar me zinxhirët

e vdekjes teknike, “kryevepra” e mendjes njerëzore!!! Vetëm njerëzit në këtë botë vrasin qënien e njëjte me ta, njerëz!!! Kafshët e të njëjtit lloj, kurrë njëri-tjetrin!

Ecën deri në të dalë të qytetit. Ishin shtëpitë e Dritave të Kuqe. Vetëm njëra ishte hapur. Prostituta, pastronte me qetësi oborrin. Gjysëm lakuriq si gjithmonë. Jo nga zhurma por nga instikti u kthye të shohë kush ishte. Drita e kuqe, sinjali i dashurisë që shitet dhe blihet qëkur ka lindur njerëzimi, tregonte të kuq sytë e djemve të rinj nga tmerri i vdekjes që i ndiqte. Ishin shumë, por  prostitutat me koshiencë harrojnë të numërojnë. Një numër mund ti bëj të vdesin nga…askush nuk fliste. U dëgjuan të shtënat e automatikëve, shumë afër. Një lëvizje dore dhe të gjithë hynë në shtëpinë përdhese. Ata të paemër arritën, se kur ju thua pushtues, titull ju jep, nder ju bën.

–          Eeeej ndyrësirë, pe gjë ku ikën një grup djemsh?

–          Përderisa ikën kë gjëmoni?… hahahaaa…

–          Mbylle gojën bushtër!

–          Derën e hapa zoti oficer, si thoni? Shijoni pak jetë dhe ikni pastaj të vriteni me qetësinë tuaj…

Rrobtishani me ngjyrë të shplarë ra në tokë dhe zbuloi trupin e saj te majmë, i vetmi konstrukt i krijuar për epshe shtazarake. Zbritën nga xhipat. Filluan të krijonin radhën, të hiqnin rrobat ushtarake me flamurin e ndyrë të tyre mbi to. Zhurmës se hapave, të makinave, shtëniet e armëve, ja zunë vendin  ulërimat e truve të sëmurë, gjakpirës ishin, si mund ta shijonin ndryshe seksin?! Orët kalonin. Ishin shumë, shumë. Por duhej ti dukeshin pak, ti vononte, që “bijtë e Saj” të fshehur, bijtë e popullit të fitonin kohë për të dalë nga qyteti. Dhe ikën. Dhe ishin bijtë e Saj, po, ishin dhe të Sajit atë natë. Si nënë i mbrojti, akoma më shumë. Me trupin e saj të rraskapitur nga egërsia e atyre qenieve që nuk mësuan më të thjeshtën në jetë që, kishin dalë nga një trup femre. Jo më të mësonin përse dhe kë luftonin, kë vrisnin!!!

Sot…

Dy kategori: ato që vazhdojnë traditën, të keqe, të mirë, të pështirë…nuk e di. Di që është realitet, rroj dhe duhet ta përmend. Ato që sot nxjerrin lekë për pak muaj, për pak vite, aq sa nuk kanë nxjerrë kurrë një jetë  njerëzit e ndershëm duke punuar papushim, për të rritur, edukuar, studiuar fëmijë të shkëlqyer, vajza dhe djem të mrekullueshëm që do dashurohen, do martohen dhe do ripërtërinë jetën me bukurinë e mendjes dhe të shpirtit të tyre të artë. Prostitutat moderne nuk ndjekin asnjë traditë, thjesht ekzekutojnë traditën me vlera të paçmuara të profesionit të tyre që në shekuj tërhoqi vëmendjen e të sëmurëve psiqikë, të kalbësirave për të lënë të lirë në dritën e hënës të shkëlqejnë sytë e çifteve të dashuruar, të ndezur nga epshi i kontrolluar. Të lirë të shijojnë puthjet e ëmbla të mallit për të qenë një jetë bashkë. Ju falenderoj si femër të nderuara prostituta klasike! Di t’ju veçoj mirë nga ato të luksit të qelbur.

Gjinekologu

Doktor, profesor, universitar, i dashuri i ligjshëm i ç’do femre. Nuk i harrova thonjëzat, nuk doja ti vija!!! Di sekretet e natës dhe të ditës të femrave, njeh pak, shumë pak burrat e grave, të dashurit e tyre. Di veç më mirë se mijëra qetapet e shkruara, në mijëra institucione, emrin e vërtetë të  baballarëve, të fëmijëve, të engjëjve që vijnë në jetë. Janë betuar të shpëtojnë jetën e njerëzve si doktorë, nuk janë betuar veç të trazojnë akoma më shumë qetësinë e shoqërive tona duke treguar një të vërtetë të madhe. Shyqyr që një ligj i mirë e ndalon rreptësisht ta thonë. I vetmi doktor qe ka përgjegjësinë e dy jetëve, ndoshta dhe tre. Burrat qajnë vetëm përpara tyre. I shërben mrekullisë së madhe të jetës, përtëritjes së saj, që me dashje apo pa dashje solli në jetë fëmijë. Shpesh ndoshta mërzitet se si një femër doli për të sajtën herë nga klinika e tij, duke mos marrë lajmin se pëllumbi i bardhë erdhi nga qielli dhe puthi barkun e saj i dha jetë jetës së saj, është shtatzënë- nuk është shtatzënë! Gjinekologët, qajnë në sy të femrave që e meritonin të bëheshin nëna të shkëlqyera bile. Nuk di nëse këtë skenë të fundit e kam dëgjuar, lexuar apo jetuar!!! Në supin e gjinekologut kam thënë të vërtetën e lakuriqtë, mes flokëve të mij, afër veshit kam ndjerë pëshpëritjen e fjalëve të Tij: “unë jam doktori i vetëm i shpresës sepse shpresoj do të thotë jetoj dhe jetoj do të thotë shpresoj. Nuk mund të gënjej dot kurrë. Unë pres i pari në duart e mij vetë  jetën, fëmijët”. Nuk i kam bërë akoma dhuratë të madhe gjinekologut tim si ju të gjithë nga gëzimi. Ne rastin tim Ai më ka premtuar se do më bëjë dhuratën më të bukur në botë. Ndoshta ngaqë jemi miq!!!

Parukieri

E takoj aq shpesh {shkoj vetëm në meshkuj}, themi kaq gjëra monotone, një jetë më thotë se u bëra kukull!!! Sa e urrej në atë moment dhe Ai e di, se ja them. Merret me qimet e kokës. I pret, i dredh, i përdredh, i ngre lart…mbas një mbrëmje në disko, mbas një shiu, mbas një nate magjike dashurie me fantazi, flokët qe ti rregulloi me aq kujdes dhe me aq lekë janë bërë sikur ke futur gishtin në prizë. Ç‘far ti thuash të nesërmen? Prapë lekë do që tët bëjë kukull! Mos ka më tepër vlerë për meshkujt?! E besoj. Sidomos me prerjet e reja, i ka bere kaq të bukur, kaq sexi, kaq joshës. Tradhtia, mos ndoshta lind kur sheh një mashkull që sapo ka dalë nga parukeria?!Që ne femrave sot na i dogji flokët, na i përvëloi, na i shtoi me fije estetike, na i lyen me ngjyra ylberi nuk i vjen keq?! Unë e shaj keq parukierin tim. Por ai vetëm qesh. Sepse e di që unë nevrikosem me histerinë e femrave që rrinë në dyqanin e tij me orë, pinë cigare më keq se burrat, marrin poza përpara femrave si të jetë mesi i natës përpara meshkujve, i nxjerrin shpirtin duke i kërkuar me dy qime flokë që kanë ti nxjerri me kokë-lulelakër. Me kaq shumë flokë duan të duken!? Ku ti gjejë i shkreti?! Këtu fillon më vjen keq për Të, i them me çiltërsi të dalim në ballkonin e parukerisë dhe të flasim si dy shokë të mirë. Qesh dhe na përgatit kafet.

E besuat që nuk e dua?! Kë, Atë dorëartin?! Nuk mund të ndodhte kurrë.

Në sallonin e bukurisë së Tij hyjnë e dalin të gjitha moshat. Ato që duan të rriten të duken më femra, ato që duan të duken më të reja, gjyshet e shenjta që mbulojnë rrugët nga kaloi bora e jetës së tyre, femra me bukuri verbuse që bëjnë provë modelin që ju shkon për ditën e dasmës, vajza si lulet që duan mos prishin gjallë në botë imazhin që lanë në mendjen e mashkullit që mbrëmë fjetën për herë të parë bashkë. Të vetmet që justifikoj. Hera e parë, më pëlqeu shumë, si do  dukem sot ditën, do ketë herë tjetër?! Djem të mirë, me takt ju lutem, e di që jeni të bukur por kjo që ju propozoj unë do ti bëjë që t’ju adhurojnë. Nuk dua ta kujtoj ankthin para takimit të parë me të dashurin tim në dritën e diellit mbas takimit në errësirë, në mes të gënjeshtares së mjaltë, natës.

Parukieri ka vlera të paçmuara, i shërben shpirtit të njeriut, është një nga zinxhirët e profesioneve. Me aq sa shkruajta më lart ndoshta do qeshni. Gëzohem, do e dëshiroja shumë.

Ta kthejmë monedhën nga ana tjetër?

Nganjëherë ndodh, uroj vetëm tek pak, fare pak njerëz në botë, të hymë në dyqanin e tij të palyera fare, të ngrira si mermer, pa ngjyrë. Do na pyes më vonë me takt përse jemi kështu, për aq sa nuk do flasim Ai di aq mirë se cila krehje e bukur, e thjeshtë, i përshtatet ambientit ku do shkojmë. Na i mbledh bishtalec, shkëlqejnë nga pastërtia, nga llaku, mbi kostumin e zi që kemi veshur. Lotët e hidhërimit nuk duhet të ngatërrohen me flokët, fytyra duhet të jetë e lirë nga to, fytyra që do prekim me mijëra herë në momentin që do ndjejmë dëshpërimin e pashmangshëm të vdekjes së njeriut tonë. Humbëm punën lekët u pakësuan. Ai di të bëjë krehje që do shprehin se unë kam personalitet për ata që nuk më ndihmojnë dot, mirë do të jetë të mos mësojnë kurrë të vërtetën. Në jetë ka shumë rënie por e ngritura aty ku ishe dhe akoma më lart është e pashmagshme për të gjithë. Mos dyshoni për këtë mesazh dashurie që ju jap.

Një ditë  pamja  jonë tregon frikë të madhe. Flokët na janë rralluar shumë. Rreze…jo Dielli!!! Ai parukieri juaj i dashur do j’u presi flokët e gjatë, do flasi më tepër se kurrë me ju, do të të bindi që duhet ti ngrësh sytë dhe ta shohësh veten në pasqyrë, se asnjë doktor, asnjë operacion, asnjë pauzë në jetë nga lodhja e trupit nuk mund të jetë fundi i vërtetë. Sëmundja është metoda që Zoti provon aftësitë tona. Vetëm kaq. Një peripeci e lodhshme është, më shumë melankoli. Dita që si fllad pranvere do  trokisni në derën e Tij për të rifilluar nga çmenduritë nuk do vonojë të dashurat e mija të panjohura. Paruken mos e hidhni kurrë poshtë mbasi të fitoni luftën me Kancerin!!! E meriton një copëz vend në shtëpinë tuaj, krijesa e duarartit tuaj, Parukierit të mirë.

 

Vazhdon… Nëse e dëshironi Ju të nderuar lexues.

 

 

 

  

 

 

 

 

SHKARKO APP