Programi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, qeveria publikon tenderin me vlerë 76 mln euro

Qeveria shqiptare do të prokurojë shumën prej 76 mln euro si pjesë e programit të rindërtimit të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Tenderi është shpallur dy ditë më parë dhe përfshin rindërtimin e shtëpiave të dëmtuara, konviktet dhe shkollat.

Open Data Albania ka bërë të ditura disa shifra sipas të cilave, për rindërtimin e shtëpiave do të bëhet një prokurim prej 5.4 mld lekësh.

Për rindërtimin e konvikteve dhe shkollave një prokurim prej 1.2 mld lekësh si dhe 7 prokurime më të vogla në bashkitë e Kurbinit, Lezhës, Krujës Kavajës, Rrogozhinës, Kamzës, Vorës dhe Shijakut për ndërtimin e shkollave dhe të shtëpive.

Ajo që bie në sy është se për këto tendera qeveria shqiptare ka zgjedhur procedurë të kufizuar, e cila zhvillohet në dy faza.

Në fazën e e parë bëhet një thirrje publike për të gjitha kompanitë që kanë interes në parim që të deklarojnë interesin e tyre.

Ndërsa në fazën e dytë nga lista e kompanive që kanë shpallur interes qeveria përzgjedh disa të cilave u kërkon që të paraqesin ofertë e mes tyre zgjedh fituesin.

Por sipas ligjit, prokurimet publike parashikohet që afati kohor për dorëzimin e kërkesës për pjesëmarrje është 20 ditë nga data që është shpallur njoftimi.

SHKARKO APP