Projektet e “Rama 2”, ja çfarë i kërkoi Basha zyrtarëve të FMN-së
Lulzim Basha kërkoi sot që kontrolli i FMN në vend të jetë më i fortë për shkak të gjendjes ekonomike dhe të balancave fiskale me koncesionet korruptive.
Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, Basha i shprehu zyrtarëve të lartë të FMN shqetësimin për projektin e 1 miliard eurove koncesione që qeveria ka lançuar. Sipas tij, kjo politikë fiskale përqëndron edhe më shumë fondet publike në pak duar.
“Partia Demokratike do të mbështesë një program tjetër me FMN-në ku kontrolli është i nevojshëm të jetë akoma dhe më i fortë për shkak të gjendjes ekonomike dhe të balancave fiskale me projektin korruptiv të koncesioneve”. Klima e biznesit në vend, që Basha përpiqet t’i pikturojë zyrtarëve të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, është se ekonomia sot po centralizohet drejt një grupi biznesmenësh të fuqishëm që janë të lidhur me vetë Edi Ramën.
Këtë konstatim ai e lidh edhe me fushatën që qeveria Rama po ndjek kundër informalitetit. Kryedemokrati shprehet se kjo fushatë shinjestron bizneset e vogla. Për Bashën, kjo fushatë do të lejojë veprimtarinë e abuzuesve të mëdhenj, që operojnë, sipas tij, me mbështetjen e qeverisë.
“Në këtë klimë vjen dhe fushata kundër informalitetit e qeverisë e cila në të shkuarën ka sjellë shqetësime të mëdha tek bizneset. Kjo fushatë do të jetë e drejtuar ndaj tatimpaguesve biznese të vogla dhe do të vazhdojë të lejojë abuzuesit e mëdhenj që operojnë me mbështetjen e qeverisë.
Bizneset shqetësohen nga taksat e larta, nga sistemi i komplikuar fiskal dhe nga burokracia dhe korrupsioni që vjen nga nivele të larta”,-u shpreh Basha në takimin e sotëm me shefen e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Anita Thuludhar dhe përfaqësuesin e institucionit në Tiranë, Jens Reinke.