Projekti 5 miliard dollaresh për portin e Karpenit, 26 milion lekë për konsulencën

Një fond prej 26 milionë lekësh është ndarë nga qeveria shqiptare për mbulimin e shpenzimeve për konsulencën e huaj për portin e Karpenit.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë, ku është vendosur rishpërndarja e fondeve të buxhetit të vitit 2016, duke i kaluar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, dy fonde të reja, njëri për shpenzime korrente prej 14 milionë lekësh, ndërsa tjetri për shpenzime kapitale të brendshme prej 26 milionë lekësh.

“Fondi prej 26 000 000 (njëzet e gjashtë milionë) lekësh të përdoret për mbulimin e shpenzimeve të konsulentëve të huaj që do të bëjnë studimin dhe vlerësimin ligjor e financiar për projektin “Projektimi, ndërtimi, operimi, mirëmbajtja dhe menaxhimi i portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike”, thuhet në pikën a të vendimit të qeverisë. Fondet në fjalë pakësohen nga programi “Mbështetje për zhvillim ekonomik”, dhe programi për “Zhvillimi i turizmit”.

Për ndërtimin e këtij porti është premtuar një shumë prej 5 miliardë dollarësh. Porti i Karpenit ndodhet në zonën e Kavajës. Projekti ka hasur në kritika nga opozita, e cila pretendon se 1700 hektarë tokë po i jepen kompanive fantazmë.

SHKARKO APP